Google ADS

Kompania Rajonale e Ujësjellësit, realizon 1300 shkyçje për borxhlinjtë

07:24 | 14 Shkurt 2019
Arbresh.info

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” kohë më parë kishte njoftuar qytetarët, se do të merren masa ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit.

Kjo kompani kishte njoftuar se personat që ka dy ose më shumë fatura të ujit të papaguara do të përballeshin me shkyçje.

Zëdhënësja e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Arjeta Mjeku, deklaroi për portalin arbresh.info, se deri më tani kjo kompani ka aplikuar 1300 shkyçje për shkak të mos pagesave ndaj ujësjellësit dhe 80 shkyçje të cilat kanë qenë ilegale.

“Që nga fillimi i vitit 2018 e deri në fund të 2018, ekipet e shkyçjes kanë aplikuar rreth 1300 shkyçje individuale për shkak të mos pagesave ndaj shërbimeve ujësjellës e kanalizim dhe rreth 80 shkyçje për shkak që janë kyçë ilegalisht në sistemin e rrjetit të ujësjellësit. Keqpërdorimi i ujit të pijshëm bëhet në forma të ndryshme nga ana e konsumatorëve, duke e shpenzuar ujin e pijshëm për ujitje, larje të veturave, larje të trotuareve, si dhe duke u kyçë ilegalisht në sistemin e rrjetit të ujësjellësit”, tha Mjeku

E për banorët të cilët ankoheshin se edhe pse po i bëjnë pagesat nuk po u shlyhet borxhi, ajo tha se menaxhmenti i Ujësjellësit tashmë ka krijuar grupe të veçanta për identifikimin e tyre.

“Është e vërtetë që kemi pasë shqetësime të tilla, pasi ka qenë një problem i bartur ndër vite. Edhe shqetësimi i juaj lidhur me konsumatorët që kanë paguar dhe në të njëjtën kohë u ka figuruar si borxh , në momentin e marrjes së njoftimit nga konsumatori që ka paguar, me automatizëm kemi marrë masa dhe i është  larguar obligimi. Gjithashtu ju bëjmë me dije se,  menaxhmenti ka krijuar grupe të veçanta  për identifikimin e konsumatorëve te cilët kanë kryer obligimet ndaj KRU” Prishtina”. Në të njëjtën kohë jemi duke u mare dhe duke punuar në avancimin e mëtejmë të sistemit të pagesave për të eliminuar problemet që mund të paraqiten”, u shpreh ajo.

Përveç konsumatorëve shkyçjen e rrezikonte edhe vet Komuna e Prishtinës si institucion, për shkak të borxhit prej më shumë se 300 mijë eurosh ndaj KRU-së. Por zëdhënësja e kësaj kompanie deklaroi se tashmë kjo punë ka përfunduar sepse komuna në fund të vitit 2018 e ka kryer obligimin e saj financiar ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme