Jasharaj i reagon Kurtit: Nëse shkollat prodhojnë 60 % analfabetë, atëherë ato duhet të mbyllen

17:37 | 3 Shtator 2022
E.H

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) njëherish edhe kryetari i këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, ka komentuar deklaratat e sotme të kryeministrit Albin Kurti i cili tha se më shumë se gjysma e fëmijëve nga shkolla dalin si analfabetë.

Sipas Jasharajt, ato shifra janë të pasakta, por nëse do të ekzistonte diçka e tillë, atëherë tha se shkollat do shkollat duhet të mbyllen.

“Arsimi në Kosovë është ky që është, por nëse prodhohen 60 për qind analfabetë në shkolla tona, atëherë shkollat duhet të mbyllen, sepse s’na duhen. Këtë shifër që s’di ku e kanë marrë, nuk është e saktë. Ka dy tre nxënës në klasa më të llastuar, që nuk kanë mësuar, por ua kanë falur notat ndoshta, por nxënësit e tjerë kanë qenë të mirë, shumë mirë dhe të shkëlqyeshëm”, ka thënë ai.

Derisa shtoi se SBAShK-u nuk është fajtor për cilësinë e dobët në arsim.

“SBAShK-u nuk është fajtor, sepse nuk bën as planprograme, as nuk merr kuadro në shkollë, këto kuadro që i kanë marrë DKA-të, ne të anëtarësuarit jemi të detyruar t’i mbrojmë dhe po e bëjmë detyrën tonë”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se Kurti në konferencën e paradites tha se kur shkolla nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë sociale, ose punëtorë krahu në Gjermani./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme