Bardhyl Mahmuti takon Dick Martin dhe i kërkon duel

13:27 | 1 Nëntor 2018
arbresh.info

Ish-zëdhënësi i UÇK-së për Zvicër, Bardhyl Mahmuti, ka treguar për një ballafaqim që ka pasur me Dick Martyn, ish-senatorin zviceran, i cili ka iniciuar akuzat për krerët e UÇK-së për trafikim organesh, nëpërmjet një raporti të sponsorizuar nga Këshilli i Evropës. Mahmuti ka bërë me dije se ma Martyn ka folur gjatë promovimit të një libri, ku Marty flet përsëri për Kosovën. Më poshtë mund ta gjeni të plotë rrëfimin e Mahmutit për këtë përballje me Martyn dhe kërkesën që ia ka bërë zviceranit për debat në një universitet zviceran.

Mahmuti ka shkruar se pasi i është prezantuar Martyt, i ka treguar se është autori i librit “Mashtrimi i madh”, libër ky i cili zhvesh mashtrimin e madh që është bërë me luftën e Kosovës dhe me UÇK-në, dhe sipas Mahmutit, Marty ka qenë njëri ndër protagonistët kryesorë të atij libri.

Mahmuti thotë se e ka ftuar Martyn të ballafaqohen publikisht, në ndonjë universitet të Zvicrës, në prani të studentëve dhe profesorëve të interesuar për këtë debat.

Ai, po ashtu, thotë se Marty e ka pranuar librin e tij dhe ka thënë se sapo ta lexojë do të ballafaqohen.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

A do të ballafaqohet Dik Marti me Bardhyl Mahmutin?

Të dashur miq, Mbrëmë, më 31 tetor 2018, në librarinë prestigjioze “Payot” në Lozanë të Zvicrës, u bë promovimi i librit të Dik Martit (Dick Marty), i titulluar “Une certaine idée de la justice- Tchétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga). Shkova dy orë më herët se ora e përcaktuar për fillimin e promovimit. Bleva librin në fjalë dhe lexova kapitullin XIX, që i ishte kushtuar ekskluzivisht Kosovës. 

Para se të fillonte promovimi i librit, takova Dik Martin. Pasi iu prezantova, e njoftova se jam autor i librit “Mashtrimi i madh”, të cilin paraprakisht i kam dërguar një kopje të librit me postë elektronike në adresën e tij , kur ishte profesor në Universitetin e Neuchâtel-it. I tregova shkurtimisht se libri zhvesh mashtrimin e madh që është bërë lidhur me luftën e Kosovës dhe me UÇK-në dhe se ai ishte njëri nga protagonistët kryesorë të librit. 

E ftova që të ballafaqohemi publikisht në ndonjë universitet të Zvicrës, në prani të studentëve dhe profesorëve të interesuar për këtë debat dhe i propozova Universitetin e Gjenevës, ku mund të organizohej një ballafaqim i tillë. I propozova Universitetin e Gjenevës, për shkak se, paraprakisht, kisha biseduar me Albana Krasniqin Malajn, drejtoreshën e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë, e cila shprehu gatishmërinë që të siguronte mbajtjen e këtij debati. 

Librin tim e pranoi me gjithë qejf dhe më tha se, sapo ta përfundonte së lexuari, do të më kontaktonte që të organizonim debatin. Moderator i promovimit të librit të Dik Martit ishte gazetari i njohur Pascal Schouëey. Prezantimi i librit nga Pascal Schouëey dhe komunikimi i tij me Dik Martin u bë në mënyrë shembullore. 

Nga tërë diskutimet interesante që patën, po veçoj dy çështje, të cilat më bënë të kërkoj sqarim. Pascal Schouëey e prezantoi Dik Martin edhe si autor që u kushton një rëndësi të veçantë fjalëve që përdor gjatë shkrimit të tij dhe kërkoi sqarim nga Dik Marti, nëse ai ndihej i zhgënjyer nga rezultatet e punës së tij! Pasi përfunduan bashkëbisedimin, gazetari hapi mundësinë që të pranishmit të shtronin pyetje. 

Për të krijuar një atmosferë sa më të mirë komunikuese, Pascal Schouëey iu drejtua publikut me këto fjalë: “Meqenëse të pranishmit ngurrojnë të shtrohet pyetja e parë, atëherë kush dëshiron të shtrojë pyetjen e dytë?”. Menjëherë kërkova fjalën dhe i thashë se unë do të shtroja pyetjen e parë. Fillimisht i sqarova të pranishmit, se “jam autor i librit që zhvesh burimet, ku Dik Marti është mbështetur për të argumentuar raportin për trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë” dhe u thashë se nuk do ta hap këtë temë, për arsye se jemi marrë vesh me z. Marti, që ta zhvillojmë debatin, pasi ai të ketë lexuar librin që i dhurova. 

Megjithatë, po i them vetëm dy fjalë. Kur u shtrua çështja nëse Dik Marti është i zhgënjyer nga rezultatet e punës së tij, unë ju garantoj se zhgënjimi i z. Marti do të jetë shumë i madh kur të lexojë librin tim, sepse aty janë shpartalluar burimet ku mbështetet raporti në fjalë. Në pritje të debatit lidhur me divergjencat tona, sot po shtroj një pyetje rreth pohimit, se “z. Marti është tejet i kujdesshëm në përdorimin e fjalëve”. Jam plotësisht dakord që fjalët nuk janë neutrale në asnjë fushë, e aq më pak në politikë. Sikur të kishim mundësi t’i shtrydhnim fjalët në politikë, ato do të kullonin gjak. Si mund të shpjegohet, që z. Marti në të gjitha intervistat e veta, në “raportin për trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë” dhe në librin e fundit të tij sa herë që flet për përkatësitë etnike në Kosovë, përdor termet “albanofonët” dhe “serbët”. 

A është neutral një qëndrim i tillë? Dihet fare mirë se Kushtetuta e Kosovës, shtet i pavarur dhe i njohur si i tillë nga 116 shtete, i përcakton qartë kombet që e përbëjnë këtë shtet: shqiptarët, serbët… Në këtë vërejtje Dik Marti mori fjalë dhe u përpoq të më bindë, se “nuk ka pasur asnjë tendencë zhvlerësimi, kur për shqiptarët ka përdorur termin “albanofonë”, sepse unë përdor edhe termin “italofonët” në Zvicër”. Përsëri ndërhyra dhe iu drejtova me këto fjalë: “Nëse në këtë kontekst nuk ka pasur asnjë tendencë zhvlerësimi, atëherë si mund të shpjegohet fakti se në asnjë rast të vetëm ju nuk keni përdorur emërtimin “shqiptarët dhe serbofonët”? 

Edhe kësaj radhe Dik Marti pohonte se nuk ka pasur asnjë tendencë zhvlerësimi ndaj shqiptarëve. Në fund u përshëndetëm dhe i thashë se isha në pritje të përgjigjes për organizimin e ballafaqimit tonë. P.S. Fotografimi kur i dhashë librin tim është bërë me lejen e Dik Martit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme