Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë të përbashkët me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, lidhur me krizën energjetike, që po prek të gjithë regjionin dhe vendet evropiane përgjatë muajve të fundit.
Evropa po përballet me çmime rekorde të energjisë, të shtyera në masë të madhe globalisht nga çmimet shumë të larta të furnizimit me gaz. Ne kemi pasur fatin që kemi mundur të mbulojmë një sasi të konsiderueshme të kërkesës së brendshme nëpërmjet Termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Një pjesë tjetër, mbulohet nëpërmjet burimeve të ripërtërishme, tha kryeministri në hapje të konferencës.
Megjithëkëtë, në periudhën e dimrit, me ftohjen e motit rritet kërkesa për energji elektrike, kryesisht shkaku i ngrohjes. Si rezultat, kapacitetet gjeneruese nga termocentralet tona janë të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesën në kohët e pikut, dhe Kosova varet nga importet për të mbajtur dritat ndezur për të gjithë, gjatë gjithë kohës, tha ai.
Kryeministri theksoi se energjia e tregtuar për të mbuluar kërkesën në Kosovë, tani blihet me çmime aq të larta (deri në 7 herë me çmimin e shitjes më shtrenjtë), sa që ka rrezikuar aftësinë financiare të furnizuesit publik dhe të gjitha ndërmarrjeve të zinxhirit energjetik, për ta garantuar sigurinë e furnizimit.
Duke thënë se çmime të këtilla të energjisë mund të vazhdojnë për një periudhë të pacaktuar, kryeministri tha se është e rëndësishme që tani të mundohemi të kursejmë energjinë elektrike maksimalisht.
Qeveria të cilën udhëheq do të trajtojë të gjitha problemet në fushën e energjisë brenda këtij mandati. Strategjia që pres ta prezantoj para jush brenda gjysmëvitit të parë të 2022 është vetëm hapi i parë në këtë drejtim. Unë zotohem për siguri të furnizimit, me tranzicion të qëndrueshëm me çmime të përballueshme, tha ai.
Megjithatë, tani na duhet që së bashku të tejkalojmë dimrin e krizës së madhe të energjisë, tha kryeministri.
Duke theksuar se sot jemi në një situatë ku po vuajmë pasojat e vendimeve të këqija, por edhe mungesës së vizionit për dy dekada, kryeministri theksoi për dy dekada nuk u bënë riparime të qëndrueshme në termocentralet tona, të cilat do të siguronin prodhim të qëndrueshëm mbi bazën e kapaciteteve ekzistuese me sa më pak ndotje, dhe mungesë të vizionit, sepse një dekadë më parë ishte më lehtë të shtoheshin kapacitetet e energjisë.
Shtetin e kemi gjetur për toke në të gjitha drejtimet, por së bashku do ta ngrisim në këmbë. Këtë situatë të trashëguar duhet ta përmirësojmë, por ata që na sollën në këtë ditë le të na kursejnë nga leksionet e le të skuqen nga gjendja që na e lanë shtetin, tha kryeministri.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, falënderoi qytetarët për mirëkuptimin e treguar në kursimin e energjisë elektrike.
Ajo bëri të ditur se më 2 nëntor 2021 ka themeluar Task Forcën teknike për Masat në rast të emergjencave energjetike. Task Forca ka analizuar skenarët e prodhimit vendor të energjisë elektrike, nevojat për import, ndikimin financiar tek palët e sektorit dhe tek të gjithë konsumatorët, dhe ka dorëzuar raport me konkluzionet dhe rekomandimet.
Raporti është trajtuar në Qeveri dhe ka shqyrtuar të gjitha mundësitë për të minimizuar efektin në sektorin e energjisë dhe në financa publike.
Ministrja Rizvanolli shpjegoi se situata është përkeqësuar dukshëm me rastin e ndërprerjes se të dy blloqeve të Kosovës B, që ka qenë jashtë çdo parashikimi. Si rrjedhojë, është ndalur edhe puna e ngrohtores së qytetit të Prishtinës.
Në konferencë u bë e ditur se në mbledhjen me korrespodencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është miratuar vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu Sh.A.) dhe KfW për Projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar gazetarë,
Kriza energjetike që po prek të gjitha vendet e regjionit dhe vendet Evropiane përgjatë muajve të fundit, tanimë ka arritur edhe në mesin tonë.
Ballafaqimi me kriza të energjisë nuk është risi as për Kosovën, e as për shtetet më të fuqishme në botë.
Evropa po përballet me çmime rekorde të energjisë, të shtyera në masë të madhe globalisht nga çmimet shumë të larta të furnizimit me gaz. Ne kemi pasur fatin që kemi mundur të mbulojmë një sasi të konsiderueshme të kërkesës së brendshme nëpërmjet Termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Një pjesë tjetër, mbulohet nëpërmjet burimeve të ripërtrishme.
Megjithëkëtë, në periudhën e dimrit, me ftohjen e motit rritet kërkesa për energji elektrike, kryesisht shkaku i ngrohjes. Si rezultat, kapacitetet gjeneruese nga termocentralet tona janë të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesën në kohët e pikut, dhe Kosova varet nga importet për të mbajtur dritat ndezur për të gjithë, gjatë gjithë kohës. Për më tepër, fatkeqësisht, madje dy blloqe të Termocentralit Kosova B aktualisht i kemi jashtë funksionit si pasojë e avarive të paparashikuara. Kjo ka rritur edhe më tepër kërkesën për importe. Një situatë të ngjashme e kemi pasur edhe javën e kaluar kur të tri blloqet e termocentralit Kosova A kanë qenë jashtë funksionit, por atë situatë e kemi menaxhuar me ndërmarrjet e energjisë pa u vërejtur fare pasojat nga qytetarët.
Ndërkaq në këtë moment që po flasim, energji elektrike kemi diku rreth 390 MW kapacitet, pikërisht prej tri blloqeve të Kosovës A.
Sidoqoftë, energjia e tregtuar për të mbuluar kërkesën në Kosovë, tani blihet me çmime aq të larta (deri në 7 herë me çmimin e shitjes më shtrenjtë), sa që ka rrezikuar aftësinë financiare të furnizuesit publik dhe të gjitha ndërmarrjeve të zinxhirit energjetik, për ta garantuar sigurinë e furnizimit. Në rastet të këtilla, devijimet ndërmjet kërkesës së brendshme dhe energjisë elektrike të siguruar për ta furnizuar qytetarin në Kosovë, mbulohen nga operatori i Transmisionit, KOSTT. Këtë KOSTT-i e ka bërë me sukses deri tani, pavarësisht pengesave nga Serbia, e cila pamundëson alokimin e kapaciteteve interkonektive në kufi me Kosovë, duke shkaktuar kufizimin e mundësive për furnizim nga jashtë.
Deri më tani, këto ndërmarrje mbajnë të vetme mbi supe barrën e krizës energjetike në Kosovë dhe kjo tashmë është bërë e papërballueshme. Andaj, duke ndjekur edhe shembullin e shteteve evropiane, Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve. Do të bëjmë maksimumin që të ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike.
Përderisa unë mund të marr shumë veprime apo masa të përkohshme për të tejkaluar krizën, jam i varur nga përfshirja e gjithsecilit për ta tejkaluar njëherë e mirë situatën e tanishme.
Çmime të këtilla të energjisë mund të vazhdojnë për një periudhë të pacaktuar. Është e rëndësishme që tani të mundohemi të kursejmë energjinë elektrike maksimalisht. Qeveria të cilën udhëheq do të trajtojë të gjitha problemet në fushën e energjisë brenda këtij mandati. Strategjia që pres ta prezantoj para jush brenda gjysmëvitit të parë të 2022 është vetëm hapi i parë në këtë drejtim. Unë zotohem për siguri të furnizimit, me tranzicion të qëndrueshëm me çmime të përballueshme.
Megjithatë, tani na duhet që së bashku të tejkalojmë dimrin e krizës së madhe të energjisë.
Sot, të nderuar qytetarë, jemi në një situatë ku po vuajmë pasojat e vendimeve të këqija por edhe mungesës së vizionit për dy dekada. Vendime të këqija sepse për dy dekada nuk u bënë riparime të qëndrueshme në termocentralet tona, të cilat do të siguronin prodhim të qëndrueshëm mbi bazën e kapaciteteve ekzistuese me sa më pak ndotje, dhe mungesë të vizionit sepse një dekadë më parë ishte më lehtë të shtoheshin kapacitetet e energjisë. Por ja që ishte më me leverdi të vidhej nga KEK-u se sa të investohej në të.
Por ne jemi në krye të detyrës. Shtetin e kemi gjetur për toke në të gjitha drejtimet, por së bashku do ta ngrisim në këmbë. Këtë situatë të trashëguar duhet ta përmirësojmë, por ata që na sollën në këtë ditë le të na kursejnë nga leksionet e le të skuqen nga gjendja që na e lanë shtetin.
Nga mbledhja me korrespodencë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, porsa e miratuam vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu Sh.A.) dhe KfW për Projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.
Ju faleminderit për vëmendjen.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...