EKSKLUZIVE/Vetura me të cilën u sulmua “Top Channel” dyshohet të jetë e një kosovari, ai flet për Arbresh.info

18:00 | 27 Mars 2023
Emir Abduramani

Vetura me të cilën dyshohet se u sulmua mediumi “Top Channel” mbrëmë në Shqipëri, dyshohet se është e Ramadan Makollit, të cilit po e njëjta veturë iu vodh më 10 korrik të 2020-ës në Shëngjin.

Arbresh.info ka arritur të kontaktojë me Makollin, i cili ka thënë se “Range Rover” me të cilin dyshohet se u sulmua “Top Channel” mbrëmë, ka qenë më parë vetura e tij, por që i është vjedhur nga rojtari i sigurisë së hotelit ku ai po qëndronte.

“Range Rover” me të cilin është sulmu Top Channel, ka qenë veturë e imja deri më 10 korrik të 2020-ës, por ajo m’u vodh nga roja i hotelit ku po qëndroja në Shëngjin me pushime atëherë”. tha Makolli për arbresh.info.

Vetura është gjetur mbrëmë e djegur në autostradën e Kavajës, teksa më herët u raportua se ajo ka qenë me targa të huaja, të cilat, ishin vjedhur një muaj më parë.

“Unë i kam pa lajmet që vetura ka qenë me targa të huaja në momentin kur është gjetë e djegur pas sulmit që ka ndodhë mbramë. Ato targa nuk e di kur ia kanë qitë, që po më duket kanë qenë angleze, por, mu kur ma kanë vjedhë veturën para tre vjetëve, targat e saj kanë qenë 01, pra, të Kosovës”, tha Makolli për arbresh.info.

“Range Rover” është sekuestruar dhe aktualisht ndodhet në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku po i bëhet ekzaminimi nga ekspertët për gjetjen e provave. Në makinë ndodheshin dy armë kallashnikovë, me të cilat autorët ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri pumbash drejt godinës së televizionit kombëtar.

Sulmi i rëndë ndaj Top Channel ndodhi pak pas mesnate. Rreth orës 01:00 autorët kanë qëlluar me kallashnikov nga makina në drejtim të godinës. Viktimë e sulmit mbeti roja e sigurisë, Pal Kola 60 vjeç.

Lajmi për vjedhjen e veturës së Makollit në vitin 2020:

Kosovarit i vidhet vetura e tipit Range Rover, nga rojtari i hotelit në Shëngjin

/arbresh.info/

 

Të ngjashme