BE: Zbatim i plotë i Marrëveshjes Bazë, pavarësisht vendimit lidhur me Këshillin e Evropës

15:12 | 29 Mars 2024
KRG

Bashkimi Evropian (BE) e ka përsëritur të premten se vendimet në Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me bllokun drejtpërdrejt, pasi ajo është organizatë tjetër e pavarur evropiane, prandaj u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë detyrimet nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan vitin e kaluar.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse Serbia e shkeli këtë Marrëveshje kur votoi kundër raportit të raportueses për Kosovën në Komitetin për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës këtë javë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku pret zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes pa marrë parasysh.

“Pa marrë parasysh këto veprime në Këshillin e Evropës, kur është fjala te dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, BE-ja vazhdon të pret që të gjitha pjesët e Marrëveshjes nga viti 2023, për rrugën drejt normalizimit të zbatohet me shpejtësi, në besim të mirë dhe në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra, ashtu siç palët ishin pajtuar me aneksin e implementimit në Ohër”, tha Stano.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Dhe, sipas nëntit 4 të Marrëveshjes së shkurtit, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Stano nuk u përgjigj drejtpërdrejt i pyetur rreth këtij neni, por ka përsëritur se, siç thuhet edhe në Aneksin e Ohrit për zbatim të Marrëveshjes, të gjitha pikat duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra.

“Këshilli i Evropës luan rol qendror në promovimin e vlerave fondamentale Evropiane dhe standardeve të përbashkëta, përfshirë edhe të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. U takon shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me këtë organizatë, përfshirë edhe anëtarësimin”, shtoi ai.

Ai në veçanti e ka përmendur detyrimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

“Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili është rruga më konkrete për të siguruar mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë”, shtoi ai.

Stano i akuzoi të dyja palët për moszbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Është për keqardhje se, përkundër përpjekjeve nga ana e BE-së dhe bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare, deri me tash progresi në zbatimin e obligimeve nga kjo Marrëveshje ka qenë shumë i limituar, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia”, theksoi Stano.

Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.

Kundër kanë votuar dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj./REL.

Të ngjashme