Avokati Berisha: Dyshohet se Rexhepi është ekzekutuar në mënyrë tinzare nga më shumë se një person

20:06 | 30 Shtator 2022
E.H

Besnik Berisha, avokati i të zhdukurit Bedri Rexhepi, ka thënë se dyshojnë që ky i fundit është rrëmbyer dhe në mënyrë tinëzare është ekzekutuar nga më shumë se një person.

Në rtv Dukagjini, Berisha është shprehur se beson që janë mbledhur prova të mjaftueshme që ky rast të procedohet në Gjykatë ditëve në vijim.

“Gjatë hetimeve janë hasur mbetje mortore, të cilat dyshohen se i takojnë Bedriut”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket raportimeve se Jeton Vllasaliu ka pranuar vrasjen e Bedri Rexhepit, Berisha ka kërkuar mirëkuptim për të gjithë të interesuarit në këtë çështje duke shtuar se veprimet hetimore janë drejt fundit.

Berisha ka treguar se brenda 10 ditëve do të ketë një aktakuzë, e cila do të konkretizoj dyshimet e secilit.

I pyetur për motivet e vrasjes, Berisha ka thënë se dyshon që motivet janë pasurore, në mënyrë që t’ia marrin pasurinë Bedri Rexhepit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të premten se ka identifikuar një lokacion të dyshimtë në Novobërdë, ku dyshohet të jetë trupi i zhdukur i Bedri Rexhepit.

Sipas njoftimit nga Prokuroria, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin që dyshohet se është “Rrëmbim”. Dhe se janë gjetur, disa mbetje mortore në një zonë kodrinore-malore në Novobërdë.

“Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” “, thuhet në njoftimin nga Prokuroria në koordinim me Policinë e Kosovës.

LEXO EDHE:

Gjenden mbetje mortore, dyshohet se kanë të bëjnë me rrëmbimin e biznismenit Bedri Rexhepi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme