“Trafiku Urban Prishtinë është tu m’detyru me lanë punën të cilën e kam arritur me shumë mund e sakrifica”.
Kështu është shprehur qytetari Leo Berisha, i cili përmes një shkrimi të gjatë në Facebook ka bërë të ditur se si një person ma aftësi të kufizuara, e ka shumë të vështirë qasjen në autobusët e Trafikut Urban, shkruan Arbresh.info.
Sipas tij, shoferët e autobusëve të Trafikut Urban i ndalin autobusët rreth një metër larg nga trotuari, gjë e cila e pamundëson që personat me aftësi të kufizuar të hipin dhe të zbresin nga autobusi.
“Papërgjegjësinë e shoferëve të trafikut urban duhet ta vuajnë qytetarët, që disave prej tyre mund tu kushtoj në punë, në shëndet por edhe me jetë. Personat me “aftësi të kufizuara” nuk mund të kenë qasje në autobusë urban, nëse shoferët vazhdojnë që t’i ndalojnë autobusët në stacione në këtë mënyrë. Autobusi urban në video, gjendet në stacionin tek Newborni, dhe është i ndaluar rreth një metër larg trotuarit, e njëjta situatë përsëritet pothuajse nga shumica e shoferëve, ku në këtë rast një person me aftësi të kufizuara as nuk mund të hyp në autobus dhe as nuk mund të zbres nga autobusi për të dal në trotuar, sepse trotuari ka një lartësi të madhe”, ka shkruar Berisha.
Ai ka potencuar se me këtë problem po përballet tash e dy vite dhe për këtë e ka njoftuar edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, si dhe personat përgjegjës të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Trafikut Urban.
“Pothuajse rreth dy vite jam tu përball me të njëjtin problem, pavarësisht bisedave me Kryetarin e Komunës z.Rama, drejtorin e shërbimeve publike z.Musliu, kryeshefin ekzekutiv të trafikut urban z.Maraj, kërkesave dhe takimeve, gjendja vazhdon të jetë e njëjtë”, ka theksuar Berisha.
Përmes postimit në Facebook, ai iu ka bërë sërish thirrje Trafikut Urban, që të ndërmarrin masa lidhur me këtë problem që po e shqetëson tash e disa kohë.
Lidhur me këtë, Arbresh.info e ka kontaktuar Kryeshefin Ekzekutiv të Trafikut Urban, Burim Maraj, i cili tha se është i informuar për ankesën e qytetarit në fjalë, të cilën e kanë adresuar tek personat përgjegjës.
“Pas shqetësimit të ngritur nga Leo për rastin kur autobusët e “Trafikut Urban” gjatë ndalesave nëpër stacione nuk afrohen mjaftueshëm te pritoret e udhëtarëve, menaxhmenti i ndërmarrjes menjëherë ka adresuar ankesën te personat përgjegjës, në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten. Siç e dini, pritoret e autobusëve kanë pësuar ndryshime pozitive në kryeqytet dhe nevojitet kohë deri sa shoferët tanë të adaptohen me qasjen e re në pritore. Ky përmirësim është i dukshëm këtyre ditëve”, u shpreh ai.
Mirëpo sipas tij, pengesë që autobusët të ndalen më afër trotuarit janë edhe taksitë dhe fluksi i qytetarëve që presin autobusët.
“Autobusët vazhdojnë të ndalen sa më afër pritoreve, por duhet pasur parasysh që taksitë ilegale dhe qytetarët e tjerë vazhdojnë të ndalen në hapësirat para pritoreve, të dedikuara për autobusë, dhe po e bëjnë të pamundshëm ofrimin e shërbimeve adekuate për udhëtarët”, tha Maraj.
Tutje, ai tha se qytetarin Leo Berisha e ka pritur në takim para tre muajsh dhe se kërkesat e tij i kanë parasysh, raporton Arbresh.info.
“Unë para 3 muajve e kam pritur në takim Leon, në të cilin ka paraqitur kërkesat dhe vështirësitë që ka ai dhe personat me aftësi të kufizuara gjatë përdorimit të autobusëve të Trafikut Urban. Aty i kam shpalosur veprimet konkrete që i kemi marrë për këtë kategori dhe ato që do të implementohen në këtë vit”, potencoi Kryeshefi Ekzekutiv i Trafikut Urban.
Mes tjerash, Maraj përmendi edhe projektet për të cilat kanë punuar në vitin që lamë pas, me qëllim që të lehtësohet qasja e personave me aftësi të kufizuara në autobusët e Trafikun Urban.
“Si ndërmarrje, jemi të përkushtuar që kërkesat e tilla, por edhe nevojat specifike të të gjitha kategorive të udhëtarëve, t’i përmbushim pa dallim. Në vitin 2023, kemi punuar në projekte të cilat gjatë vitit 2024 presim të implementohen. Këto projekte përfshijnë lehtësira për persona me aftësi të kufizuara, siç është implementimi i sistemit me zë dhe monitorëve në autobusët tanë, si dhe shenjëzimet adekuate për grupet në nevojë. Duke pasur në ndërmarrje persona me aftësi ndryshe, ne kemi përfunduar projektin e pllakave taktile, dhe kjo tregon që me vizionin e ri jemi të përkushtuar për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të përmirësuar shërbimet dhe për të siguruar një transport më efikas për të gjithë”, deklaroi ai.
Kryeshefi Ekzekutiv i Trafikut Urban, Burim Maraj, po ashtu njoftoi se janë duke punuar që të ofrojnë kushte më të mira për personat me aftësi të kufizuara.
“Ne do të jemi shumë afër personave me aftësi të kufizuara, shoqatave të tyre dhe atyre që janë të interesuar për të bashkëndihmuar në përmirësimin e përgjithshëm të jetës të personave me aftësi ndryshe”, theksoi ndër të tjera ai./Arbresh.info/
BIK dhe “Mbreti Selman” do t’u dhurojnë 500 fëmijëve jetimë ...
Prokuroria Themelore në Prishtinë nesër mban konferencën për...
BQK lansoi Platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbi...
Vazhdon “magjia” e Cole Palmer në Premier League
Evertoni i ndali me barazim tre gjigantët e Premier Leagues ...
39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë për 9 të akuzuarit në...