Aksioni policor në Zveçan, Kurti: Armët kanë pasur të shpërndahen te bandat e dhunshme në atë pjesë

20:15 | 5 Shtator 2023
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas aksionit policor në Zveçan ku është bastisur një shtëpi në të cilën është gjetur armatim, aksion në të cilin ka marrë pjesë edhe pjesëtarë të KFOR-it.

Kurti me anë të një postimi në platformën X (Ish-Tëitter),  ka thënë se armët kanë pasur të shpërndahen te bandat e dhunshme në atë pjesë të Kosovës, shkruan Arbresh.info.

”Një tjetër fitore për RoL. Policia dhe KFOR bastisi një depo armësh në Zveçan të përdorur për të kontrabanduar armë në Kosovë për t’ua shpërndarë bandave të dhunshme. U konfiskuan armë të tipit ushtarak si pushkë automatike, granata dore dhe eksplozivë“, ka shkruar Kurti.

Lidhur me aksionin, Policia e Kosovës ka ofruar detaje, duke njoftuar se janë konfiskuar katër pushkë automatike, karikatorë, eksploziv, granata dore, municion dhe gjëra të tjera.

“Policia e Kosovës pas pranimit të një informate nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, ka zhvilluar një bastisje në ‘Korile e poshtme’ këtu në Zveçan, me c’rast gjatë bastisjes kemi hasur në armë dhe municion të cilin ju e patë. Aty janë gjetur katër pushkë automatike, karikatorë, eksploziv, granata dore, municion dhe gjëra të tjera. Policia e Kosovës vazhdon të jetë e dedikuar për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike në mbarë territorin e Kosovës dhe në veçanti në veriun e saj… Duke marrë parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve, atëherë del se ky vend ka mundësi të jetë edhe depo. Ne nuk kemi të arrestuar për momentin, por kemi persona të dyshimtë. Në mesin e armëve dhe municionit që ju i patë kishte edhe kallashnikov dhe municion 5X56, që i bie kalibër i NATO-s, e që është një rast interesant për t’u hetuar… Në pjesën veriore të Kosovës situate është e qetë, stabile, por delikate, duke marrë parasysh edhe zhvillimet politike të cilat po zhvillohen në vend”, ka thënë Elshani.

Zbulohet sasi e madhe e armatimit të konfiskuar sot në Zveçan, Policia jep detaje

Për këtë aksion gjatë ditës ka njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri Sveçla ka bërë të ditur në një postim në Facebook se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

”Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it. Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cënohet në asnjë cep të Republikës”, ka shkruar ndër tjerash ministri Sveçla./Arbresh.info

Bastisje në një shtëpi armatimi në Zveçan, Sveçla: Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme