Google ADS

AKR-ja do të ndihmoj VV-në për ta rifituar përsëri pushtetin në kryeqytet

16:01 | 8 Nëntor 2017
Arbresh.info

Marrëveshja e nënshkruar sot në mes Vetëvendosjes dhe AKR-së për balotazhin e 19 nëntorit në kryeqytet nga analistët në vend po shihet si ndihmesë që Vetëvendosje ta rifitoj përsëri kryeqytetin e Kosovës.

Analisti politik Adrian Çollaku, ka thënë për arbresh.info se marrëveshja e nënshkruar sot nga të dyja palët konsiderohet ndihmesë për VV-në që ta mbajë pushtetin.

“Natyrisht që kjo marrëveshje AKR-VV, konsiderohet si një ndihmesë që VV ta mbajë pushtetin në Kryeqytet, mirëpo duhet theksuar se jo gjithmonë votuesi e ndjek partinë, sidomos në balotazhe”, ka thënë ai.

Të njëjtën gjë e thotë edhe analisti tjetër Ramush Thairi. Ai ka thënë për arbresh.info se AKR-ja ka përvojë të mirë në koalicione duke përmendur koalicionin e nivelit qendror.

“AKR-ja ka përvojë të mirë nga koalicionet sidomos në nivelin qendror sepse tre ose katër deputetë i ka maksimalizuar disa herë më shumë dhe ka zënë vende në Qeveri  me ministra e zëvendësministra, dhe në drejtori të ndryshme dhe këtë përvojë është tentuar që ta bëjë edhe në kryeqytetin e Kosovës duke lidh marrëveshje me VV-në”, ka pohuar Tahiri.

Kurse, analisti Donik Sallova thotë se padyshim marrëveshja e nënshkruar në mes VV-së dhe AKR-së garanton fitoren e Shpend Ahmetit.

“Pa dyshim koalicioni i VV-së me AKR-në, garanton fitoren e Shpend Ahmetit. AKR e kuptoi që elektorati i saj në Prishtinë është i prirë të votojë Shpend Ahmetin, prandaj edhe e formalizuan orientimin e tyre për të marrë pjesë në bashkëqeverisje”, ka thënë Sallova për arbresh.info.

Por pavarësisht kësaj sikurse Tahiri ashtu edhe Çollaku edhe pse kanë thënë që nënshkrimi i marrëveshjes është ndihmesë për Vetëvendosjen në balotazhin e 19 nëntorit ata thonë që jo çdo herë elektorati voton partinë.

“Gara në Prishtinë do të varet shumë edhe nga ajo se si do të zhvillohen gjërat ditëve në vijim- pra nëse do të ketë koalicione të reja. Shumë përcaktuese mund të jenë edhe partitë tjera si AAK, PDK dhe Nisma, gjegjësisht përcaktimi i tyre se me kë do të hyjnë në koalicion”, ka thënë Çollaku.

“A do të ketë sukses apo jo varet prej elektoratit  sepse elektorati ndonjëherë nuk e dëgjon partinë në sepse elektorati nuk është i verbër ideologjikisht pasi që  interesat rajonale ose komunale dallojnë prej interesave qendrore  dhe qytetarët tash nuk votojnë partinë sa e votojnë personin dhe në balotazh votat në shumicën e rasteve janë meritë e kandidatit dhe më pak janë të partisë ose të vizionit partiak”, ka thënë Tahiri.

Lëvizja Vetëvendosje ka nënshkruar marrëveshje me AKR-në sot gjatë ditës. Që të dy nënshkruesit e marrëveshjes Shpend Ahmeti dhe Selim Pacolli kanë thënë se me këtë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës./arbresh.info/J.Zhuniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme