Për herë të parë në histori, Kosova do të fillojë me prodhimin e dronëve luftarak.
Prodhimi i tyre do të nis në vitin 2028, ndërsa do të shërbejnë për përmbushjen e misionit dhe mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Kështu ka bërë të ditur eksperti i sigurisë, Drizan Shala një prononcim për Arbresh.info, duke dhënë disa detaje rreth kësaj çështje.
“Industria ushtarake e Republikës së Kosovës, tani më ka filluar të formësohet në kontekstin e përmbushjes së nevojave të saja. Në këtë aspekt për herë të parë do të dalin dronët të cilët do të prodhohen në Kosovë. Dronët do t’i shërbejnë në përmbushjen e misionit dhe mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që është mbrojtja e integritetit territorial”, tha Shala.
Ai, tregon kur mendohet të dalin prodhimet e para të këtyre dronëve.
“ Prodhimet e para do të dalin në 2028-ën, pas përmbylljes së planit gjithëpërfshirës 10 vjeçar të tranzicionit, ku FSK-ja do të këtë edhe emrin e saj, Forcat e Armatosura të Kosovës, dhe me këtë rast do t’i ipet mundësia që të avancojë më tutje pa pengesa”, ka shtuar Shala.
Sipas tij, me prodhimin e këtyre dronëve Kosova do të jetë lidere në Ballkanin Perëndimor.
“Ky është një hap i duhur dhe i domosdoshëm që tani për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë, dronët të modelit Bayraktar, të teknologjisë së saj do të prodhohen në Republikën e Kosovës, dhe ne do të jemi lider në Ballkanin Perëndimor, në përmbushjen e nevojave edhe të partneritetit të cilin do të bëjë Kosova nga Partneriteti për Paqe në programin e NATO-s drejt avancimit potencial për të qenë anëtare e plotë”, potencoi Shala.
Përmes kësaj, sipas ekspertit të sigurisë, Kosova do të ndihmojë në sigurinë kolektive të vendeve anëtare të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
“Me këtë gjë, mund të themi se lidere e dronëve, me teknologji të fundit do të jetë Kosova, dhe kjo do të ndihmojë me tutje në avancimin e sigurisë kolektive, të vendeve anëtare të NATO-s, që veprojnë në Ballkanin Perëndimor që janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Hungaria, Sllovenia, etj.. Mund të themi se Kosova do të jetë njëra nga shtyllat përpos Turqisë që tani më ka të avancuar teknologjinë e Bayraktarëve-Droneve”, ka theksuar Shala.
Por, ndryshe nga Shala, mendon ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tashmë deputet i PDK-së, Rashit Qalaj.
Ai shprehet skeptik sa i përket kapacitetit të Kosovës për prodhimin e dronëve.
“Mendoj që është një dëshirë e mirë, dhe mendoj që ndoshta do të duhej sa më shpejt mirëpo momentalisht Kosova nuk ka kapacitet, Kosova nuk prodhon asgjë gati sa i përket pajisjeve të sigurisë e të mos flasim për dronë. Sidoqoftë nëse ka ndonjë marrëveshje zyrtare mes shteti të Kosovës dhe Turqisë ose ndonjë shteti tjetër, mendoj që me angazhim dhe me ndarje buxhetore edhe mund të bëhet” , ishte shprehur deputeti i PDK-së.
Për çfarë droni bëhet fjalë?
Sipas disa publikimeve nëpër rrjetet sociale, është lënë të kuptohet se kompania e cila do të filloj me prodhimin e dronëve në Kosovë është “Militrex KOSOVA Defense”.
Kjo kompani në llogarinë e saj në platformën X ka publikuar edhe skicën e ku shihet se këta dronë do të ngjajnë me dronët Bayraktar nga Turqia.
Sipas të dhënave të publikuara nga kjo faqe, dronët luftarak që do të prodhohen në Kosovë do të shërbejnë për vëzhgim, mbrojtje dhe sulm.
Mirëpo, një gjë e tillë deri me tani nuk është konfirmuar nga qeveria apo ndonjëri nga anëtarët e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Transformimi i FSK-së në ushtri
Forca e Sigurisë së Kosovës është shumë afër transformimit të saj 10 vjeçar në ushtri.
Qeveria e Kosovës ka dyfishuar buxhetin për FSK-në dhe për vitin 2024 ka ndarë mbi 153 milionë euro.
Përveç buxhetit, Kosova ka filluar me blerjet e pajisjeve ushtarake, e ku në fillim të këtij viti nga SHBA Kosova ka blerë 246 raketa Jevelin nga SHBA-të në vlerë prej 75 milionë euro.
Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri ka nisur gjashtë vite më parë, dhe ndonëse kanë mbetur edhe katër vite deri në përfundim, kjo procedurë po shkon me hapa të përshpejtuar.
Aktualisht, FSK ka rreth 2,500 pjesëtar ndërsa ky numër pritet të rritet pas periudhës së tranzicionit në mbi 7,500 përfshirë edhe pjesëtarët aktiv dhe rezervë./Arbresh.info/Ejona Hyseni
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...