Që nga paslufta, numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar rritje.
Vetëm në shtatë mujorin e parë të këtij viti, në polici janë raportuar 14 raste të vrasjeve.
Ndërsa vetëm gjatë muajit gushtë u vranë 4 persona.
Një në një lokal në Prishtinë, një tjetër person u qëllua për vdekje në mes të lokalit në Klinë, një tjetër person mbeti i vdekur pasi u qëllua me armë zjarri në një lokal nate në Skenderaj, si dhe më 31 gusht një i ri rreth 30 vjeçar u qëllua për vdekje në Malishevë, raporton Arbresh.info.
Sipas Policisë së Kosovës, nga 14 vrasje që kanë ndodhur në vendin tonë nga janari deri në korrik, shtatë prej tyre janë vrasje të rënda, ndërsa dy të tjera janë vrasje nga pakujdesia, raporton ‘Arbresh.info’ .
Rritja e numrit të vrasjeve në vend, sipas njohësve të sigurisë po vjen si shkak i mos funksionalizimit të mirëfilltë të institucioneve të drejtësisë.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, për Arbresh.info tha se qytetarët në pamundësi për të gjetur drejtësinë përmes rrugëve ligjore, po detyrohen që vetë ta bëjnë drejtësinë duke kryer akte të vrasjeve.
“Jemi të vetëdijshëm që asnjë personi, askujt nuk i lejohet që të marr në dorë drejtësi, por në fakt që në momentin kur Policia e Kosovës nuk merr veprimet e duhura për të sanksionuar personat të cilët paraqesin rrezik për të tjerët, të njëjtit mund të shkaktojnë vrasje siç ka ndodh tani. Në fakt nuk janë vetëm vrasjet që kanë ndodhur për qërim hesapesh, por janë edhe vrasje të cilët grupe apo persona që janë me fuqi nëpër institucione e zbatimit të ligjit, sidomos të policisë dhe drejtësisë, të njëjtit marrin guximin dhe kryejnë vrasje”, tha Elezi.
Një ‘rrebesh’ vrasjesh ndodhi në fillim të muajit gusht, kur brenda disa ditësh ndodhën tri vrasje brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Si në Prishtinë, Klinë, ashtu edhe në Skenderaj, sipas Elezit, janë vrasje të porositura e të mirë organizuara e që siç, thotë ai më herët nuk kanë ndodhur në vendin tonë.
“Kemi të bëjmë me persona të cilët për institucionet e zbatimit të ligjit janë të pakapshëm deri me tani dhe të njëjtit duket se kanë kryer shërbime për vrasje me kërkesë të atyre të cilët i kanë paguar këto lloj vrasje. Kjo po duket ashtu sepse motivi i vrasjeve apo lidhja e vrasësve me të vrarët apo viktimën, nuk është konstatuar, apo kolauduar deri me tani. Prandaj, kjo të lë me besu dhe me kuptu që këto vrasje mund të vijnë si rezultat i angazhimeve që bëhen nga grupet e interesit apo edhe nga bizneset e ndryshme, apo edhe çështje të tjera nga persona të cilët merren me këtë aktivitet”, tha mes tjerash Elezi.
Tutje, ai theksoi se vrasësit mund të vijnë nga Shqipëria, sepse ata kanë një përvojë më të gjatë me raste të vrasjeve.
“Vrasjet me pagesë është një shqetësim shumë serioz. Në të kaluarën nuk kemi pas kësi lloj vrasje të mirë organizume dhe po duket që vrasësit mund të vijnë nga territore të tjera siç është Republika e Shqipërisë, ku kanë një përvojë dhe janë marrë me raste të tilla me vrasje të tilla edhe në të kaluarën”, tha Elezi.
Elezi: Bashkëpunimi mes AKI-së dhe Policisë së Kosovës është i domosdoshëm
Për parandalimin e akteve të tilla, sipas Elezit duhet një bashkëpunim i fortë mes Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Ai shtoi se të dy institucionet duhet të shkëmbejnë informacione të personave të dyshuar nëse ata kanë rrezikshmëri të lartë.
“Institucionet e zbatimit të ligjit p.sh. Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë duhet të shkëmbejnë informacionet e duhura për këta persona që janë me rrezikshmëri të larë. Në rast se neve p.sh. në Kosovë kemi një person apo një grup të cilët kanë rrezikshmëri të lartë, atëherë bashkëpunimi i Policisë së Kosovës dhe Agjencisë për Inteligjencë është i domosdoshëm për kapjen e atyre”, tha tutje Elezi.
Brenda shtatë muajsh janë konfiskuar mbi 600 armë
Ndryshe, edhe armët ilegale në duart e qytetarëve po konsiderohet njëri nga shkaktarët që po vjen deri tek vrasja.
Vetëm në shtatë mujorin e parë të këtij viti, Policia e Kosovës ka konfiskuar 636 armë të ndryshme..
Me rritjen e numrit të vrasjeve, u rritën edhe patrullimet e policisë nëpër rrugët e Kosovës.
Këta të fundit, janë duke e zbatuar planin operativ ‘Goditja’ që ka për qëllim rritjen e sigurisë publike.
Policia mes veprimeve të parapara me këtë plan operativ, parasheh kontrollet të shtuara ndaj personave në lokale e automjete, me qëllim konfiskimin e gjërave të ndaluara, në veçanti armëve të zjarrit dhe mjeteve të tjera të rrezikshme për jetë.
Që ky planë operativ po ka sukses e thotë edhe raportimi i fundit i Policisë së Kosovës, të cilët për 10 ditët e fundit ka konfiskuar katër armë të zjarrit dhe 24 armë të ftohta. Ka realizuar 302 patrullime policore si dhe kanë kontrolluar 282 automjete./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua
Trajneri i Empolit i frikësohet një largimi të mundshëm të I...
Lëshohet në qarkullim pulla postare që lufton dhunën kundër ...
Osmani: Derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhuna, asnjëra ng...