Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të gjatë, të dhimbshëm, përplot lot e gjak për shqiptarët e vendit që numëron gati 2 milionë banorë.
Për vite e vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët u masakruan, vranë dhe vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Millosheviçit. Ndërkohë që Kosova nisi të frymojë lirshëm pas qershorit të ’99-tës, kur edhe u vendosen trupat ushtarake ndërkombëtare të NATO-së, kurse, tek në nëntor të 2005-ës, nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës.
Ndërkohë që prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, vendi administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet e Përkohshme të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria. Në vitin 2007, datë 2 shkurt, i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, pasi përpiloi nga puna në teren dhe konsultimet e vazhdueshme me të gjitha palët e procesit, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd që hapte rrugë për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Më pas, u mbajtën disa raunde bisedimesh mes dy kryeqendrave të cilat edhe më tej kishin dallime të mëdha, të mbikëqyrur nga Brukseli, zyrtarë dhe kryeqendrat e shteteve aleate, dhe jo vetëm. Konsultimet dhe planet treguan se Kosova nuk e kishte të largët shpalljen e pavarësisë. Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008. Zyra Civile Ndërkombëtare mori përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të pavarësisë. Pak ditë më vonë, një grup vendesh që njohën pavarësinë themeluan Grupin Drejtues që do të mbikëqyrte shtetin e ri.
Plani i Ahtisaarit nuk u zbatua kurrë në veriun e banuar me shumicë serbe, ku edhe më tej nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e shtetit të Kosovës sipas planit dhe Kushtetutës së vendit.
Ndërkohë që faktori ndërkombëtarë në Kosovë vazhdoi të mbetej prezent por më i ‘lehtësuar’ nga vendimet e brendshme për vendin. Më 9 dhjetor 2008, vendin e UNMIK-ut e zuri misioni evropian për sundimin e ligjit -EULEX. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
N ga marsi i vitit 2011, Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet në Bruksel për një seri çështjesh, për të cilat ende ka shumë vakume dhe nënshkrime të cilat në realitet tregojnë pak vullnet për zbatime. Edhe pse këto bisedime teknike u pasuan nga ato në nivel kryeministrash e presidentësh, prapë se prapë nuk shihet ndonjë dritë në tunel për zbutjen dhe bashkëpunimin mes dy shteteve fqinje.
Përndryshe, pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës u përmbyll më 10 shtator 2012, duke u parë asobote si një mundësi e mirë për integrimin e vendit në mekanizmat ndërkombëtare. Megjithatë, edhe në nëntë vjetorin e shënimit të Pavarësisë së Kosovës, sfidë e pandashme e shtetit më të ri që shtrihet në Evropën-Juglindore mbetet heqja e vizave, aspirata për hyrjen në NATO dhe integrimin në BE. Zyrtarisht, deri më sot, Kosovën e kanë njohur 113 shtete.
Në këto nëntë vjet, populli i Kosovës e ka shënuar gati në mënyra krejt të ndryshme ditën e pavarësisë. Një lloj zbehje e kësaj feste është rritur ndër vite, sidomos me pakënaqësitë për zhvillimin tepër të ngadaltë ekonomik, korrupsionin e pushtetarëve në rritje, getoizimin e vendit –duke mbetur i vetmi shtet i izoluar me kufijtë nga Evropa. KosovaPress ju sjell më poshtë një kronologji të pamjeve që karakterizuan Prishtinën në 8 vitet e kaluara në datën e njëjtë, 17 shkurt.
17 shkurt 2008 – Kuvendi i Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme, me 17 shkurt 2008 shpalli Kosovën Shtet i Pavarur dhe Sovran. Kuvendi shpalli Kosovën Republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jo diskriminimit dhe mbrojtës së barabartë sipas ligjit. Duke garantuar mbrojtjen dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijimin kushteve e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse. Përmes kësaj Deklarate, Kosova si Shtet i Pavarur pranon plotësisht obligimet nga Plani i Ahtisaarit, në zbatim të plot të obligimeve, përfshirë miratimin prioritet të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. Gati një milionë qytetarë ishin në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë, për të shënuar ditën e shumëpritur, Pavarësinë e Kosovës. Organizimet zyrtare përcollën agjendën nga mëngjesi i hershëm e deri në orët e vona të natës, ndërkohë që festa vazhdoi edhe për gjatë gjithë javës së ardhshme.
Pas shpalljes së Pavarësisë njohje të menjëhershëm erdhën nga shtetet më të fuqishme të botës, si SHBA, Britani e Madhe, Francë, Itali, Turqi, etj., vala e njohjeve ka vazhduar me intensitete të ndryshme dhe deri më sot numri i shteteve që kanë njohur Kosovën është 113.
17 shkurt 2009 –
Kosova shënon vitin e parë të Pavarësisë. Agjenda e institucioneve dhe bizneseve hoteliere etj., në vend ishte e mbushur me organizime festive. Përderisa Kuvendi mblodhi deputetët në seancë solemne për nderë të një vjetorit të Pavarësisë, edhe kuvendet komunale mbajtën seanca solemne.
17 shkurt 2010 –
Dyvjetori i shënimit të pavarësisë së Kosovës, filloi me homazhe të mijëra qytetarëve dhe përfaqësueseve të institucioneve qendrore e lokale në Kompleksin Memorial në Prekaz. Ndërkohë sheshet ishin të mbushura me shumë qytetar që nga mesdita.
Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu vizitoi familjen e vajzës me emrin Pavarësi, e cila mbushi dy vite.
Po në të njëjtën ditë, kombëtarja e Shqipërisë dhe përfaqësuesja e Kosovës në futboll, zhvilluan një ndeshje miqësore. Për këtë ditë është mbajtur edhe një seancë solemne, ku u tha se pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të Kosovës.
Ndërkohë, policia kishte angazhime shtesë në vendet ku festohej, megjithatë nuk priste që do të ketë ndonjë incident. Kurse, muzeu i Kosovës hapi një ekspozitë kushtuar të gjithë atyre që kontribuuan për pavarësinë e Kosovës.
Festime pati edhe në Mitrovicën e jugut. Festa vazhdoi deri në orët e vona të vona me një koncert, që mblodhi shumë qytetarë në shesh.
17 shkurt 2011-
Dita e Pavarësisë nisi me homazhe në Prekaz dhe tek varri i Rugovës. Gjatë ditës pati disa organizime festive në sheshet kryesore të Prishtinës, ndërkohë që Filarmonia e Kosovës mbajti koncert.
17 shkurt 2012-
Dita u karakterizua nga vizitat e qytetarëve dhe të liderëve politikë e institucional në Prekaz dhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova. Ndërkohë që u përuruar e salla e re e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Në sheshet kryesore të Prishtinës u mbajtën disa koncerte gjatë ditës dhe koncerti përmbyllës në mbrëmje. Pati parakalimet të FSK-së dhe Policisë së Kosovës.
17 shkurt 2013-
Homazhe, tashmë në mënyrë tradicionale, u mbajtën në Prekaz dhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova.
Shkronjat e Pavarësisë ‘NewBorn’, të cilat ndryshojnë ngjyrë dhe simbolikë për çdo vit, u ngjyrosen me të gjithë flamujt që kanë njohur Republikën e Kosovës. Kuvendi mbajti seancë solemne, ndërkohë gjatë tërë ditës u mbajtën koncerte në sheshet kryesore të Prishtinës, dhe në qytetet tjera. Veteranët e UÇK-së parakaluan në sheshin e Prishtinës. Ndërkohë u mbajt edhe parakalimi tradicional i FSK-së dhe Policisë së Kosovës.
17 shkurt 2014-
Dita e Pavarësisë u shënua me seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, në hollin e së cilës ndërtesë u hap edhe një ekspozitë me detaje të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Homazhe u bënë edhe në këtë vit në Prekaz dhe tek varri i Rugovës. Gjatë ditës u mbajt parakalimi tradicional i FSK-së dhe Policisë së Kosovës në sheshin kryesorë të Prishtinës, ku edhe u mbajtën disa koncerte.
17 shkurt 2015-
Dita nisi me nderim të qytetarëve në varret në Prekaz dhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova. Homazhe u bënë edhe tek përmendorja e Zahir Pajazitit. U nda çmimi Azem Shkreli. Festa vazhdoi në shesh gjatë gjithë ditës ndërkohë që jehonë pati edhe panairi “Blej Shqip”. Filarmonia e Kosovës mbajti koncert të madh.
17 shkurt 2016-
Shënimi i përvjetorit të tetë të Pavarësisë kaloi nën ethet e protestës së madhe të organizuar nga partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma. Protesta mblodhi mijëra njerëz në sheshin e Prishtinës, me thirrje për bllokim të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe kundër ‘Zajednicës’. Gjatë ditës u mbajtën homazhe në Prekaz dhe tek varri i Rugovës. Ndërkohë që forcat e FSK-së dhe Policisë së Kosovës mbajtën parakalimin tradicional.
17 shkurt 2017-
Shënimi i datës së Pavarësisë, nga ana e Kuvendit të Kosovës u bë një ditë më herët përmes një seance solemne. Ndërkohë që sot po mbahen homazhe në Prekaz dhe tek varri i Rugovës. Në ditën e sotme mungon parakalimi tradicional i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës. Kuvendi komunal i Prishtinës mbajti seancë solemne, ndërkohë që aty munguan krerët e Komunës, përfshirë kryetarin Shpend Ahmeti. Asnjë koncert nuk është paralajmëruar në qytet, edhe pse koha sot është në favor të datës festive.
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde