Emocione që nuk përshkruhen dot me fjalë, emocione që nuk harrohen, por edhe që nuk përsëriten kurrë.
Kështu e përshkruan 17 Shkurtin e viti 2008, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Ramë Manaj, ditën më të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për shtetasit e Kosovës.
Një shtet i ri shqiptar lindi 16 vjet më parë, nderin dhe kënaqësinë për ta nënshkruar deklaratën e shtetit të pavarur në mesin e 109 deputetëve të asaj kohe e kishte edhe Ramë Manaj, që ishte deputet i LDK-së.
Në një intervistë për Arbresh.info, Manaj rrëfen me emocione lumturinë e asaj dite të bekuar e të paharruar, aq sa thotë se as pena e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare nuk do të mund t’i shprehte.
“Data 17 shkurt të them ka qenë ditë e veçantë është pak, e rrallë nuk mund të them, por ka qenë ditë unike, unikate për gjithë ne, në veçanti për ne që kemi qenë më afër institucioneve, sepse kemi pas emocione që nuk mund të përshkruhen. Mund vetëm të përjetohen, dhe atë të përjetohen njëherë ne jetën e jo të gjitha gjeneratave , por në jetën e atyre gjeneratave që kemi pas fatin të jetojmë në këtë kohë.
Emocione të kënaqësisë e lumturisë ndoshta deri në ekstazë, emocione të një dëshirë të papërshkrueshme, emocione të padurimit sidomos brenda 24 orëve prej kur është ditë dhe kur është thirrur seanca solemne sepse them edhe njëherë është një përjetim unikat, ndoshta edhe pena e shkrimtarit tonë Ismail Kadare e ka të vështirtë të përshkruaj ato emocione”, thotë ai.
Manaj nuk harron t’i përmend edhe ata që kanë kontribuar për shpalljen e Pavarësisë, por edhe aleatët ndërkombëtarë që na ndihmuan ta bëjmë realitet ëndrrën shekullore.
“Çdo popull dhe vend i botës që e ka arrit pavarësinë e tij, ka një datë një ngjarje do të thoja madhore ose supreme atë të pavarësisë së popullit dhe vendit. Dhe populli ynë jo vetëm pas shumë dekadave por shekujsh të vajtjeve, të diskriminimit, të shtypjes, të dhunës , arritëm që me datën 17 shkurt të vitit 2008 të realizojmë atë që gjenerata e gjenerata kanë mundur ta dëshirojnë por edhe ta ëndërrojnë. Dhe kjo është arritur falë, para së gjithash vizionit atdhetar patriotik filozofik të dr. Ibrahim Rugovës, falë luftës që e zhvilloi gjithë populli i dhe e udhëhoqën bijtë më të mirë të vendit Dhe falë përkrahjes amerikane dhe vendeve të tjera demokratike të botës, unë mendoj të gjithë duhet të përulemi deri në përjetësi”, shprehet Manaj.
Ndërsa ditën e asaj date të madhe, ai e përshkruan si të papërsëritshme. Ai thotë se që në momentin që ishte thirrur seanca e jashtëzakonshme e kanë ditur se ishte për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
“Të gjithë ne, edhe populli e dinte se do të ndodhte, por nuk e dinim kur do të ndodhte e shumëpritura, vështirë e imagjinueshme, përballë një dëshire e mos durimi, sepse them më në fund po bëheshim edhe ne të barabartë me vendet e popujt që kishin jo vetëm lirinë dhe pavarësinë, por edhe shtetin e tyre. Çdo sekondë i asaj periudhe ka qenë dhe ka pas emocione të veçanta. Prej kur është ftu seanca, dorën në zemër ne e kemi ditë që do të ndodhte, ka qenë diçka që kishim dëshiru me e ndje, me përsërit çdo ditë, por është diçka unikate, e papërsëritshme dhe qoftë e pa përsëritshme për popullin dhe shtetin kosovar”, thotë ai.
Ish- deputeti i LDK-së, ka një urim për gjithë qytetarët e Kosovës.
“Urimi im për Kosovën dhe qytetarët e saj është që të kenë më shumë lumturi, mirëqenie dhe prosperitet që të punohet më shumë në të gjitha nivelet për shtetin, për zhvillimin ekonomik, shoqëror, social, arsim shëndetësi”, shprehet ai.
Por, si e sheh Manaj Kosovën përgjatë këtyre 16 vjetëve.
“Ka shumë arritje, para së gjithash do të përmendja që janë 105/6 ose 110 shtete që ë kanë njohur pavarësinë e vendit tonë dhe kjo lidhet drejtë drejt me pranushmërinë e identitetit shtetëror të popullit të Kosovës, ka zhvillime dhe progres në të gjitha fushat”, përfundon ai.
Sot Kosova feston 16 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Atë ditë në seancë ishin të pranishëm 109 deputetë, të cilët e nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, në mesin e tyre edhe Ramë Manaj.
Të parët që e nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: Presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...