16 vrasje për 8 muaj në Kosovë, sociologët dhe njohësit e çështjeve të sigurisë tregojnë shkaktarët

10:07 | 2 Tetor 2022
A Z

Vrasjet në Kosovë janë bërë shumë shqetësuese viteve të fundit.

Në 8 muajt e parë të këtij viti, 15 persona kanë humbur jetën duke u qëlluar me armë zjarri, apo me mjete të mprehta e të forta.

Ndërkohë, vrasja e fundit ndodhi në javën e kaluar, në lagjen “Kolovica” të Prishtinës, e që u cilësua si vrasje nga pakujdesia.

Disa javë më parë në qytetin e Podujevës një person u therë me thikë, gjatë një mosmarrëveshje në komunikacion. Si pasojë e kësaj humbi jetën A.ZH, 22 vjeçar nga Podujeva. Për këtë rast është arrestuar një person.

Por, pse po ndodhë kjo gjë, ku për një fjalë goje merret jeta e njeriut? Pse gjithë këto vrasje, edhe nga pakujdesia? Kush është fajtori?

Sociologët e shohin si shqetësuese këtë gjë që po ndodhë në vendin tonë.

Sociologu Shaip Hasani thotë se problemi ekonomik, si papunësia e shumë gjëra të tjera, janë shkaktarë i këtyre dukurive që qojnë deri te vrasja.

“Numër një i vrasjeve në Kosovë është problemi ekonomik. Bëjnë vetëvrasje, vrahen, prehen, aksidente në komunikacion për shkak të nervozave të ndryshme. Krejt këto janë pasojë e asaj se populli në atë frymën e vet ku ka mendu se do ta arrijë nuk e ka arrit. Në vendin tonë po mungon fryma, shpresa dhe duke munguar kjo, bien para akteve të ndryshme.”, u shpreh sociologu Hasani për arbresh.info.

Ndërsa sociologu Labinot Konushevci thotë se vrasja si fenomen në Kosovë duhet të shpjegohet nga këndvështrime të ndryshme dhe ndodhë si rezultat i disa faktorëve.

“Faktorët si: frustrimi, temperamenti i pa kontrolluar, emocionaliteti i çekuilibruar, edukimi i dobtë, mungesa e ndërgjegjes dhe empatisë, mungesa e frikës/respektit ndaj ligjit/shtetit, ndikojnë që vrasja të ndodhë edhe për motive të ulta. Në njërën anë, mungesa e kontrollit shtetëror, kontrollit policor, prezencës mbikëqyrëse dhe patrulluese në vende publike, dhe format e buta të ndëshkimeve ndaj vrasësve që dalin nga aktgjykimet e sistemit të drejtësisë, në anën tjetër, bën që të krijohen rrethana lehtësuese që çojnë deri te vrasja”, tha Konushefci.

Ky fenomen negativë, i ka shqetësuar edhe ekspertët e sigurisë.

Ibishi: Vrasjet janë pasojë e armëve ilegale në duart e qytetarëve

Nuredin Ibishi thotë se çdo humbje jete është një humbje e një vlere të lartë në shoqëri.

Sipas tij numri i madh i vrasjeve vjen si pasojë e armëve ilegale në duart e qytetarëve.

“Institucioni dhe sektori i sigurisë e në veçanti Policia po e luajnë rolin mirë por duhet të merren më shumë masa pasi këto vrasje vinë zakonisht si pasoje e armëve ilegale, fatkeqësisht vazhdojnë që në posedim të qytetarëve të posedojnë një numër i madh i armëve ilegale”, tha Ibishi.

Ai më tej shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme duhet të jetë më aktive në legalizimin e armëve.

“Armët ilegale janë ato me të cilat kryhen këto vrasje në masën më të madhe se armëve legale ju paraprijnë trajnimet, certifikimet në nivelet e ndryshme dhe kuptohet edhe vetëdijesimi që arma të mos përdoret që të rrezikoj sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Ibishi. Vjollca

Ndryshe, krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, sivjet ka më pak vrasje. Në periudhën janar-gusht 2021 janë evidentuar 18 raste vrasje (vrasje dhe vrasje e rende), kurse në periudhën janar-gusht 2022 janë evidentuar 15 raste të vrasjeve (vrasje dhe vrasje e rende)./Vjollca Sheqiri / arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme