16 vjet shtet, Presidenti Biden e uron Osmanin për Ditën e Pavarësisë

12:02 | 16 Shkurt 2024
K.B

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar një telegram urimi për 16 vjetorin e pavarësisë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R.Biden Jr.

Me këtë rast, Presidenti Biden ka konfirmuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.

“E nderuara zonja Presidente: Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës teksa nderoni Ditën e Pavarësisë tuaj më 17 shkurt. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm – të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale”, thuhet në letrën e presidentit Biden.

Tutje në letër theksohet se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm të sigurisë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht qëllimin e Kosovës për integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke qëndruar së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”, theksohet tutje në mesazhin e presidentit Biden.

Në vijim, gjeni letrën e plotë të urimit, të dërguar nga Presidenti Biden:/Arbresh.info/


Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme