Google ADS

14 veprimet që ka marrë Komuna e Prishtinës për trajtimin e qenve endacakë

16:17 | 22 Gusht 2022
K.B

Komuna e Prishtinës vazhdon ta ketë një nga prioritet kryesore zgjidhjen e problemit me qentë endacakë.

Bajram Gecaj nga Komuna e Prishtinës ka treguar në detaje të gjitha nismat dhe veprimet konkrete që ka marrë kryetari Rama për trajtimin e këtij problemi.

Janë plot 14 pika që janë marrë nga Rama por që kërkohet ndihma dhe vullneti nga niveli qëndror për zgjedhjen e këtij problemi.

“Kryeqyteti ka ndërmarrë dhjetëfishin e masave të ndërmarra ndonjëherë nga cilido autoritet lokal. Megjithatë, zgjidhja e problemit të qenve endacakë do të mund të ndodhte vetëm nëse vullneti i mirë i kryeqytetit do të shoqërohej me një vullnet të tillë konkret edhe nga komunat tjera, përfshirë dhe në veçanti nga niveli qendrorë.

LISTA E VEPRIMEVE TË DERITASHME TË KRYEQYTETIT:

Kemi hartuar strategjinë kornizë 10-pikëshe për trajtimin e qenve endacakë, përkrahur nga të gjithë akterët, brenda dhe jashtë komunës, e të cilën tani po e zbatojmë në bashkëpunim me të gjithë akterët komunal, rajonal dhe kombëtare (shih në fund të dokumentit);

Është nënshkruar në fillim te vitit marrëveshja me operatorë të jashtëm ekonomik për trajtimin e 700 qenve endacakë, e cila tanimë ka përfunduar;

Jemi afër nënshkrimit të kontratave të 4 lloteve dhe ri-tenderimin edhe të 2 lloteve tjera (rreth 350 mije euro) për trajtimin e qenve endacakë. Pra, tani e tutje nuk do të ketë kufizime si më parë, por do të trajtohen të gjithë qentë endacakë;

Në fillim të vitit, kemi organizuar tryezë të rrumbullakët për qentë endacakë, në të cilën kanë marrë pjesë të gjithë akterët relevant: niveli lokal e qendror, Asociacioni i Komunave të Kosovës, AUVK, organizata e veterinerëve, shoqëria civile, ekspertët ndërkombëtarë, etj.;

Kemi nënshkruar vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në çështjen e qenve endacakë, në mënyrë që të na mundësoi që në raste të caktuara dhe emergjente të mund të veprojmë shpejtë;

Kemi ngritur pikat ushqyese nga 5 në 23 pika, të cilat janë vendosur kryesisht në lokacionet me koncentrim më të madh të qenve endacakë dhe në rrugët hyrëse në kryeqytet;

Është formuar TASK-FORCA e brendshme komunale për trajtimin e qenve endacakë;
Kemi themeluar GRUPIN PUNUES me akterë nga jashtë, siç janë MAPL, MBPZHR, PK, AKK, AUVK, organizata e veterinerëve, shoqëria civile,etj.;

Kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi për monitorimin e gjithë veprimtarisë sonë në këtë çështje nga ana e sektorit jo-qeveritarë;

Jemi në prag të nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e qendrës për trajtimin e qenve, e filluar por e parealizuar nga qeverisja e kaluar, për shkak të problemeve teknike;

Jemi në dispozicion për të bashkëpunuar ngushtë me nivelin qendrorë, si dhe me konsulentët nga BE, për hartimin e strategjisë kombëtare dhe komunale, si dhe ndryshimin e nevojshëm të rregullativës – tani në diskutim publik;

Jemi në fazën e konsultimeve me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) në lidhje me fillimin e procesit të regjistrimit të qenve me pronarë, përfshirë edhe rolin tonë në këtë çështje me rëndësi të jashtëzakonshme;
Kemi organizuar konferencë koordinuese rajonale për çështje të ndryshme, përfshire edhe për qentë endacakë, me komunat më të cilat kufizohet Komuna e Prishtinës. Tanimë Grupin Punues Teknik është formuar, është takuar dhe jemi afër formësimit të këtij bashkëpunim, përfshirë edhe çështjen e qenve endacakë;

Kuvendi Komunal tanimë ka aprovuar fillimin e procedurave për një qendër tjetër gjithëpërfshirëse rajonale dhe të përhershme për trajtimin e qenve, si atyre endacakë, ashtu edhe atyre me pronarë – Strehimorja e Kafshëve.

Deri më tani askush nuk ka mbledhë informata të sakta mbi numrin e qenve endacakë në Prishtinë e as në Kosovë. Partneri ynë nga shoqëria civile, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve (FDK), tanimë ka filluar procesin e numërimit në Kryeqytet, i cili do të na mundësojë planifikim më efikas të veprimeve tona, por edhe atyre të nivelit qendrorë të qeverisjes.

Shuma e mjeteve të ndara dhe te planifikuara deri më tani për këtë vit është 753 mijë euro (shin në fund ndarjet), që është më e madhja ndonjëherë, apo dhjetëfish më e lartë se vitin e kaluar në Kryeqytet.

Strategjia dhjetë-pikëshe

Identifikimi dhe regjistrimi i qenve me vathë dhe micropçipa;

Subvencionimi i vazhdueshëm për kastrim, sterilizim e vaksinim të qenve me pronarë;

Kontrolli i rreptë i mbarështimit dhe i shitjes së qenve;

Kontrolli i vazhdueshëm i riprodhimit të qenve endacakë përmes metodës KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho);

Qendrat për Trajtim të Përkohshëm (QTP) dhe Qendrat e Shpëtimit;

Prezantimi i ‘kujdestarëve të lagjes për kafshët endacake’;

Kontrolli i qasjes në resurse – ushqimi i qenve;

Fushatë për vetëdijesimin e shoqërisë;

Parku i qenve me pronar (për socializim dhe rekreacion);

Inspektor komunal për veterinari;

Mjetet financiare të alokuara apo të planifikuara për vitin 2022:

Realizimi i kontratës në vlerë prej 50,000.00€ – tanimë janë trajtuar 700 qenë endacakë;

Realizimi i projektit për 23 pikat ushqyese në vlerë prej 70,000.00€, i paraparë të realizohet tërësisht në kuadër të këtij viti kalendarik;

Ndërtimi i Qendrës për Trajtimin e Qeneve Endacakë, i cili është në para nënshkrimit të kontratës, në vlere prej 249,000.00€;

Trajtimi i qeneve endacakë në 7 lote, me metodën KSVL, 4 në procedurë të nënshkrimit të kontratës e 3 do të ri-tenderohen, në vlerë prej 350,000.00€;

Vendosja e mikroçipave për qentë endacakë, në vlerë prej 34,000.00€, tani në procedurë.

Vlera totale e mjeteve të harxhuara dhe të zotuara për këtë vit është 753,000.00€” shkruan Gecaj në njoftim. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme