Temperaturat e larta të muajve të verës kanë ndikuar që disa vendbanime të kenë mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm.
Ani pse nga kompania e ujësjellësit “KRU Prishtina” pohojnë se nuk kanë aplikuar reduktime të furnizimit me ujë të pijshëm.
Në një intervistë për portalin Arbresh.info, ushtruesi i detyrës për kontrolle dhe shkyçje në kompaninë “KRU Prishtina”, Gazmend Behluli, pohon se nuk janë duke aplikuar reduktime në asnjë zonë, mirëpo problemet me furnizimi të ujit ka pasur në disa zona të larta.
“Furnizimi është vështirësuar shumë sidomos në javën e kaluar ku temperaturat kanë qenë shumë të larta dhe kërkesa për ujë ka qenë shumë e madhe, ne nuk jemi duke aplikuar reduktime në asnjë zonë të veprimit ku ne veprojmë, mirëpo jemi duke pasur vështirësi në furnizim në zonat e larta për arsyet të konsumimit shumë të madh në zonat e tjera”, thotë ai.
Behluli thekson se me nivelet e kapacitetit të ujit në liqenin e Batllavës dhe Badovcit qëndrojnë shumë mirë dhe se nuk ka rënie të kapaciteteve.
“Fatmirësisht me akumulimin e ujit në liqene ne qëndrojmë shumë mirë nuk vërehet një rënie e madhe, këtë tash e kanë mundësuar edhe reshjet e fundit, pra me nivelet e akumulimit të ujit në liqene është e mirë. Vështirësi ka në nivelet e larta, në zona që janë më të larta, vështirësi kemi pas në Taslixhe në Kodrën e Trimave dhe në disa pjesë periferike si në Hajvali dhe në Veternik. Vështirësi ka pas edhe në fshatrat Bardh i Madh në Milloshevë. Ekipet tona janë në teren duke na raportuar, ku ne jemi duke bërë një analizë se si duhet të veprojmë në ditët në vazhdim me furnizim më të mirë për qytetarët”, pohon Behluli.
Sipas tij, faktori numër një që ndikon në furnizimin e ujit është keqpërdorimi nga konsumatorët e pandërgjegjshëm.
“Faktori numër një që ndikon në furnizimin e ujit është keqpërdorimi i ujit nga konsumatorët e pandërgjegjshëm. ne vazhdimisht jemi në aksione ditore për identifikimin dhe shkyçjen e këtyre konsumatorëve. Javën e kaluar në fshatin Sllatinë janë bërë 11 shkyçje ilegale të cilët nga punëtorët e “KRU Prishtina”, janë identifikuar”, thotë ai.
Behluli, gjithashtu tregon se problem kyç është keqpërdorimi i ujit nga disa konsumatorë të pandërgjegjshëm, për të cilët, sipas tij, kompania ka nisur procedura penale.
“Ne si kompani nuk kemi të drejtë të bëjmë dënime aty për aty për konsumatorët e pandërgjegjshëm mirëpo ne këto i procedojmë në gjykatë ju bëjmë kallëzime penale për konsumatorët që i identifikojmë, për ata që nuk mund t’i identifikojmë vetëm e bëjmë një kalkulim të dëmit që na është bërë mirëpo nuk mund t’i procedojmë. Deri më tani janë bërë 13 kallëzime penale vetëm këtë vit ndërsa vitin e kaluar deri ne 70 kallëzime penale për qytetarët të cilët e kanë keqpërdorur ujin. Rastet e keqpërdorimit të ujit raportohen nga qytetarët dhe këtë e bëjnë përmes emaili-it zyrtarë dhe përmes call center , ku qytetarët që i raportojnë këto keqpërdorime mbeten anonim”, shprehet Behluli.
Aktualisht, qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave.
Liqeni i Ujmanit (Gazivoda) në Zubin Potok, Batallava në Podujevë, Badovci në Prishtinë, Liqeni i Radoniqit në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në Rrafshin e Dukagjinit, Ibrit në Mitrovicë, Moravës së Binçës në Anamoravë, dhe Lepencit në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
Aktorët e Teatrit Kombëtar që 40 ditë në grevë
Osmani hap dyert e Presidencës për fëmijët, i quan udhëheqës...
“Shkodra Elektronike” në Podcast me Ramën: Fitor...
Rama ndan pamjet: Turistët në kodrat e mrekullueshme të Kara...
Kurti: Serbia me mbështetjen e Rusisë përhap narrativë kundë...
Rritet fluksi i kosovarëve në Morinë të Shqipërisë