Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot në ora 14:00 në Bruksel me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ky takim u konfirmua nga vetë BE-ja sot në mëngjes, raporton Arbresh.info.
Gjithsesi, ende nuk dihet nëse do ketë takim trepalësh mes Kosovës, Serbisë dhe emisarëve evropianë, apo Kurti dhe Vuçiq do takohen veçmas me emisarët e BE-së.
Krejt kjo pasi presidenti serb, sot ka thënë se do të shkojë në Bruksel për t’u takuar, ama vetëm me Borrellin, sepse sipas tij, s’ka çka flet me kryeministrin Kurti.
Kurse, Kurti që nga e marta kur përmes një konference për media bëri të ditur se pas informacioneve për gjendjen shëndetësore rreth tre policëve të arrestuar, ai është i gatshëm për takim në Bruksel, madje, ai edhe vetë i kishte kërkuar BE-së një gjë të tillë, qysh prej fillimit të tensioneve në veri të vendit.
Si parakusht për pjesëmarrje, kryeministri i Kosovës e kishte vendosur njoftimin për gjendjen shëndetësore të tre policëve të Kosovës të kidnapuar në Bare të Leposaviqit nga xhandarmëria serbe.
Analisti politik, Gazmir Raci, i cili ka qenë edhe pjesëtar i delegacionit të Kosovës në dialogun teknik të kryesuar atëbotë nga Edita Tahiri, ka deklaruar për Arbresh.info se veç me dialog, temat e hapura nga Ohri mund të zgjidhen.
“Është mirë që Kosova u përgjigj pozitivisht menjëherë ftesës për takim në Bruksel sepse vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen gjitha temat e hapura që nga takimi i fundit në Ohër kur u pranuar edhe aneksi për zbatimin e Planit Franko-Gjerman”, deklaroi Raci për Arbresh.info.
Ai tha se Kosova nuk ka pse t’i frikësohet dialogut me palën serbe.
“Kosova nuk ka çka t’i frikësohet dialogut sepse është në anën e saj të drejt në vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në veri të vendit dhe në këtë drejtim, asnjëherë nuk duhet lejuar asnjë bisedë apo negociate me ata individë që cenojnë rendin e ligjin dhe ua mohojnë serbëve lokalë jetën e tyre demokratike”, tha ai.
Tutje, Raci tregoi për tre hapat e ardhshëm që duhet ndërmarrë urgjentisht.
“Do duhet që tensionet të uleshin, policet e rrëmbyer të kthehen shpejt në Kosovë dhe të zotohen dyja vendet që plani i dakorduar në Bruksel të fillojë së zbatuari pa asnjë kusht”, përfundoi ai.
Mbajtja e këtij takimi ka qenë në pikëpyetje deri dje vonë, pas vonesës së konfirmimit nga pala kosovare dhe ajo serbe.
Presidenti serb dy ditë më parë kishte thënë se me kryeministrin Kurti nuk ka çka të bisedohet.
Sipas ish-ministrit të “kasapit të Ballkanit”, Kurti është duke kërkuar luftë me çdo kusht.
Nevoja për mbajtjen e një takimi të shpejtë erdhi pas fillimit të tensioneve në veriun e Kosovës më 26 maj, ku protestuesit serbë të kryesuar nga Lista Serbe bllokuan objektet komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për të mos i lejuar kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet demokratike dhe të rregullta të 23 prillit, që të hyjnë në komuna dhe ta ushtrojnë funksionin e tyre.
Serbët atje po kërkojnë tërheqjen e kryetarëve nga aty, largimin e njësisë speciale të Policisë së Kosovës dhe lirimin e të gjithë të arrestuarve për sulm ndaj pjesëtarëve të KFDOR-it dhe ndaj gazetarëve.
Sulmet ndaj KFOR-it më 29 maj shkaktuan 30 ushtarë të KFOR-it hungarez e italian të lënduar nga përplasjet me protestuesit, ndërkaq ndaj gazetarëve më 16 maj, ku mbeten të lënduar 9 gazetarë e kameramanë nga ekipet e ndryshme të medieve që ndodheshin aty.
Të njëjtit pësuan lëndime të theksuara në trup dhe kokë.
Në lidhje me sulmet ndaj gazetarëve, deri më tash janë arrestuar tre kriminelë serbë.
“Benzinë” zjarrit tensioneve të fundit u dha kidnapimi i tre policëve të Kosovës në Bare të Leposaviqit nga forcat policore dhe ushtarake serbe, pra, një kilometër brenda territorit të Kosovës.
Përpos institucioneve kosovare që kanë kërkuar kthimin e tyre në Kosovë, lirimin e menjëhershëm të policëve e ka kërkuar edhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët kërkojnë që ata të lirohen pa asnjë kusht.
Megjithatë, presidenti serb po heziton t’i lirojë ata, meqë edhe ‘trysni” të mjaftueshme nga ndërkombëtarët ndaj tij nuk ka pasur./Arbresh.info/Emir Abduramani
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...