Lideri i iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (SDP) Oliver Ivanoviq, i cili u vra mëngjesin e sotëm në hyrje të zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut, në një intervistë në shtator të vitit të kaluar për gazetën e njohur “Vreme”, kishte bërë një alarm të fortë, por që është injoruar. Ai e ka përshkruar situatën në Mitrovicën e Veriut si “tejet të tensionuar”, duke theksuar se popullata është e tmerruar dhe mbretëron një frikë e madhe. Por, thekson ai, “këta njerëz nuk frikohen nga shqiptarët, porse nga serbët”, transmeton Gazeta Express.
“Situata ka ndryshuar për të keq. Është e pabesueshme ndjenja e rrezikut, e frikës te populli. Nga rreth 100 njerëzit me të cilët kam gjatë dy-tri javëve të para në liri (pasi i kaloi 3,5 vjet në arrest, v.j.), s’gjeta asnjë që në fjalitë e para nuk e ka përmendur çështjen e sigurisë. Të kuptohemi menjëherë: ata njerëz nuk frikohen nga shqiptarët, por nga serbët, nga kapadainjtë dhe kriminelët lokalë që vozisin xhipa pa targa. Droga shitet në çdo kënd, çdo prind druan për këtë. Kishte gjëra të tilla edhe më parë, por jo në këtë masë dhe nuk silleshin ata njerëz kaq vrazhdë si tani. Policia të gjitha këto i sheh dhe s’reagon, kështu që qytetarët ndjehen të pambrojtur, edhe pse në policinë e Kosovës të gjithë janë njerëz tanët, serbë. Disa prej tyre janë policë me përvojë, që kanë punuar për MUP-in e Serbisë, por as ata nuk bëjnë asgjë”, ka thënë Ivanoviqi për javoren beogradase “Vreme” para katër muajve.
Pohimet e veta, siç transmeton Expressi, Ivanoviqi i ilustron me faktin se në dy vitet e fundit në veri të Mitrovicës ka pasur rreth pesëdhjetë raste të djegies së automobilave, janë hedhur bomba dore dhe ka pasur dy vrasje të pazbardhura.
“E gjithë kjo ndodh në një territor prej 2,5 kilometra katrorë që është tërësisht i mbuluar me kamera sigurie. Duket qartë se policia frikohet të mos i ngacmojë autorët e krimeve, ose ata janë të lidhur me strukturat e sigurisë. Disa thonë se policia është thjesht e paaftë, por e kam të vështirë ta besoj këtë. Mendoj, ata janë të paaftë, por jo deri në atë shkallë”, ka thënë Ivanoviqi.
Gazeta përkujton se edhe vetë atij i është djegur vetura, kur ka paralajmëruar se mund të hyjë në garë për kryetar komune në zgjedhjet lokale të tetorit të kaluar. Gjithashtu i është djegur vetura edhe Dragisha Miloviqit, mjekut nga Zveçani, me të cilin ka bërë plane për të marrë pjesë në zgjedhje me listë të përbashkët.
Se kush janë njerëzit që i bëjnë krimet e këtilla, Ivanoviqi është përgjigjur:
“Janë struktura kriminale të lidhura me politikën, të cilët i kapi paniku nga kandidatura jonë. Për dikë që ka infrastrukturë, që disponon me shumë para dhe ka përkrahjen e Qeverisë së Serbisë, partia jonë e vogël s’do të duhej të paraqiste problem. Por, ata e dinë se çka mendon populli për ta dhe kanë frikë se do të humbin nëse qytetarët do të kishin alternativë. Në zgjedhjet e kaluara lokale nuk kishte alternativë – unë isha në burg, kurse Miloviqi nuk kandidoi. Tash i ka kapur paniku”.
Ivanoviq ka treguar se edhe disa bashkëpunëtorë të tij i kanë tërhequr kandidaturat për zgjedhjet lokale, pas presioneve të mëdha dhe shantazheve nga Lista Srpska.
Ai gjithashtu ka treguar se ka ngritur padi kundër personave të panjohur për tri raste të frikësimit, fillimisht në prokurorinë serbe, pastaj në atë të Kosovës.
“Është tragjike që pas 18 viteve jetë në frikë nga shqiptarët ekstremistë, serbët tani frikohen nga serbët ekstremistë dhe shpërngulen për shkak të kësaj. Ky ndryshim ka ndodhur gjatë kohës sa kam qenë në burg dhe unë ndoshta e vërej më mirë nga ata që e kanë përjetuar gradualisht, por është shumë i qartë: njerëzit janë të tmerrësisht të frikuar dhe heshtin ose palohen për t’u shpërngulur.
Nëse shteti nuk ndërmerr diçka që ky trend të ndalet, ekziston rrezik i madh që veriu i Kosovës të rrënohet dhe gjithçka që kemi ruajtur gjithë këto vite të zhduket. Më parë e dinim ku është fronti, por tani nuk e dimë ngase fronti është mes nesh”, ka thënë Ivanoviqi.
Ai gjithashtu e ka akuzuar Beogradin zyrtar se po i nxit konfliktet në mesin e subjekteve politike serbe në Kosovë dhe se e përkrah Listën Srpska, duke i vënë kështu interesat partiake mbi ato kombëtare serbe.
Serbët e Kosovës, sipas Ivanoviqit, e kanë pritur keq përkrahjen e Beogradit dhe të Listës Srpska për qeverinë e Haradinajt, nga e cila nuk pret se do ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe. Ai ka përkujtuar se që nga viti 2014 ka kërkuar nga burgu që serbët vetë, pa pritur gjë të tillë nga Qeveria në Prishtinë, t’i formojnë organet e asociacionit.
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...