Google ADS

120 të rinj certifikohen në ndërmarrësi me përkrahje të MKRS-së

19:56 | 23 Shtator 2020
Arbresh.info

Në kuadër të programit të Edukimit joformal që ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në politikat e saj për përkrahjen dhe avancimin e rinisë në Republikën e Kosovës, sot janë certifikuar 120 të rinj në fushën e ndërmarrësisë në Pejë e Gjakovë.

Projektet e trajnimit në këto dy qytete në fushën e ndërmarrësisë janë financuar nga MKRS-ja dhe kanë për synim që t’i nxisin të rinjtë në biznes dhe t’i përgatisin për tregun e punës.

Në ceremoninë e certifikimit në Pejë mori pjesë edhe ministrja Vlora Dumoshi, e cila tha se është e rëndësishme që këto trajnime të përkthehen në hapje të bizneseve nga vet këta të rijnë.

“Uroj që ky trajnim t’iu përkthehet në punësime dhe në hapje te biznese të vogla që në të ardhmen mund të zgjerohen. Ne e dimë që Kosova po kalon në një gjendje të rëndë pandemie, por për mua si ministre ka qenë befasi ky interesim kaq i madh”, tha ministrja e cila sqaroi se vitin e ardhshëm synojnë që ta rrisin buxhetin për rini.

“Ne jemi të gatshëm që të mendojmë që vitin e ardhshëm ta rrisim buxhetin në mënyrë që të risimin e mundësinë për hapje të bizneseve. Synimi jonë është që të rinjtë kos ta shohin institucionin që nuk munden të komunikojmë me të por që ne mundohemi që mundësitë t’i qojmë përpara. Ne si MKRS po punojmë në draft ligje për të rinjtë. Nga pako e rimëkëmbjes janë ndarë për të rinjtë në vlerë prej 5 milionë euro”, tha ministrja.

Rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku, tha se aktivitete të tilla do ta ndihmojnë shoqërinë, por edhe vet universitetin e këtij qyteti.

Ndërsa të rinjtë përfitues u shprehën falënderues ndaj ministres Dumoshi dhe MKRS-së sepse përmes këtyre trajnimeve sepse mund të jenë mundësi për të arritur sukses.

Mst. 60 të rinj të Gjakovës u certifikuan në ndërmarrësi

Ndërkaq, në ceremoninë e organizuar në Gjakovë për certifikimin e të rinjve, morën pjesë përveç ministres Dumoshi edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, rektori Artan Nimani dhe drejtuesit e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.

Ministrja Dumoshi në fjalën e saj, tha se është kënaqësi që programi i edukimit joformal po realizohet në krejt Kosovë dhe se vëmendja kryesore e saj dhe e ministrisë janë të rinjtë.

Teksa ka folur për mbështetjen Qeveria Hoti që po jep për rininë, Dumoshi përmendi edhe Pakon e Rimëkëmbjes, ku tha se MKRS-së i është ndarë një buxhet emergjent edhe për rininë.

“Jemi duke punuar në projektligjin për rininë dhe tashmë do ta ndryshojmë moshën e cila do të përfshijë të rinjtë nga 15 – 29 vjeç. Gjithashtu do ta ndryshojmë edhe çështjen e vullnetarizmit e cila do të njihet si një përvojë e të rinjve. Sa i përket pakos së rimëkëmbjes, kemi paraparë edhe një pjesë për rininë por që fatkeqësisht këto ditë po e shohim Kuvendin që nuk po e aprovon, ku në këtë pako janë të parapara për mbështetje mbi 1 milion euro për rini”, tha ministrja Dumoshi.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se me ardhjen e Vlora Dumoshit në postin e ministres, shumë projekte janë shtyrë përpara. “Nga MKRS-ja janë përshpejtuar disa projekte prej se ka ardhur në këtë post zonja Dumoshi, që vendit tonë i jep prespektivë më të madhe”, tha Gjini./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme