120 anëtarë të ri i bashkohen PDK-së në Gjilan, Memli Krasniqi: PDK po rritet, po fuqizohet dhe po rikthehet

16:47 | 23 Dhjetor 2023
E.K

Mbi 120 anëtarë të ri, në krye me afaristin Selver Xhelili, kanë aderuar mbrëmë në Degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka falënderuar të gjithë anëtarët e ri për besimin dhe angazhimin që kanë vendosur të japin në PDK, e përmes saj, për shtetin dhe shoqërinë.

Krasniqi ka thënë se sikur në Gjilan, Partia Demokratike e Kosovës po mobilizohet në secilën komunë të Kosovës, me njerëz të ri, energji të reja e dashuri të madhe për vendin – me një vizion të qartë përpara: që bashkë me qytetarët dhe për ta, të rikthejnë Kosovën në kursin e duhur të zhvillimin dhe integrimit.

“PDK po rritet. PDK po rikthehet. PDK po fuqizohet. PDK do të rikthej besimin e qytetarëve anë e mbanë Kosovës, edhe këtu në Anamoravë, e veçanërisht në Gjilan, për t’u rikthyer aty ku e ka vendin, tek qeverisja për qytetarin dhe me qytetarin. Andaj, urime dhe faleminderit për angazhimin, për sukseset e përbashkëta”, ka thënë Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka thënë se këto aderime janë dëshmi se Partia Demokratike e Kosovës mbetet alternativa më e mirë qeverisëse për vendin, e cila, kudo që është duke qeverisur në nivelin lokal, po kryen punë dhe po e mban fjalën, për dallim nga dështimi i madh i Qeverisë në nivelin nacional – në të gjithë sektorët.

“Nuk dua të flas për degradimin e skajshëm të qeverisjes në vendin tonë: për arsimin që ka rënë në nivelet më të ulëta ndonjëherë. Për shëndetësinë që është në kolaps. Për ekonominë që është në stagnim. Për emigrimin që ka marrë përmasa marramendëse. Për diplomacinë e cila është në vdekje klinike prej ditës së parë në këtë Qeveri. Për sanksionet e për masat ndëshkuese që ky Kryeministër ia ka sjellë vendit tonë nga ata që na kanë ndihmu më së shumti, edhe për çlirimin edhe për ndërtimin e këtij shteti: nga SHBA-të dhe BE”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se qytetarët po e ndjejnë në lëkurën e tyre këtë degradim të skajshëm të qeverisjes së paaftë dhe të pafokusuar në prioritetet e tyre.

“Sot dua të flas vetëm për modelin qeverisës të cilin PDK do ta rikthej tek qytetari në vendin tonë. Modelin që sot e gjeni kudo ku PDK ka përgjegjësi në qeverisje lokale. Nga Ferizaj deri në Mitrovicë, nga Skenderaj deri në Vushtrri, nga Prizreni në Han të Elezit dhe nga Kaçaniku në Drenas”, ka thënë Krasniqi.

Afaristi Selver Xhelili, i cili aderoi së bashku me 120 anëtarë të ri, ka thënë se një nga arsyet pse po i bashkohet këtij rrugëtimi politik është fakti se pa Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka zhvillim të Kosovës. Ai ka thënë se PDK është e vetmja parti që ka mbajtur gjithmonë dyert e hapura për të rinjtë, duke u dhënë hapësirë dhe përgjegjësi qeverisëse.

Ndërkaq, Kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka thënë se ky është një fillim i ri për PDK-në në këtë qytet. Sipas tij, me aderimet e reja dhe punën e madhe që po bëhet në këtë Degë, Partia Demokratike e Kosovës do të rikthehet si partia kryesore në Gjilan./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme