12 zyrtarë policorë kanë vdekur nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë

12:34 | 15 Dhjetor 2020
V. S.

12 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë humbur betejën me Koronavirus, dhe mbi 1000 mijë janë infektuar që nga fillimi i pandemisë në mars. Këto komente i ka bërë U.D Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë.

Tutje, ai ka thënë se gjatë aktiviteteve policore në parandalim të krimeve të rënda janë realizuar 566 operacione, 939 bastisje si dhe 65 plane operative.

“Numri i vrasjeve gjatë kësaj periudhe ka shënuar rritje nga 19 vitin e kaluar këtë vit i kemi 25. Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar rritje për 6,86%.Në muajin shtator policia ka regjistruar 221 protesta dhe tubime dhe krahasuar me periudhën e vitit paraprak vërehet një rënie. Ka gjithashtu rënie të numrit të përgjithshëm të aksidenteve ku këtë vit janë mbi 11 mijë, ku vitin e kaluar ishin mbi 14 mijë. Gjatë kësaj periudhe në kudër të aktiviteteve policore në parandalim të krimeve të rënda janë realizuar 566 operacione të ndryshme, 939 bastisje si dhe 65 plane operative”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci ia ka kujtuar, Mehmetit deklaratën e kryeministrit Hoti se policia dhe inspektorati nuk po i respektojnë vendimet e qeverisë, dhe e ka pyetur se a është në dakord me deklaratën e shefit të qeverisë.

Mehmeti iu është kundërpërgjigjur deputetit Bajqinovci, duke i thënë se nuk është në dijeni për deklaratën e kryeministrit Hoti, madje ai e ka mohuar duke thënë se të gjitha vendimet e qeverisë janë respektuar.

Ai madje e ka quajtur joetike që t’i komentoj këto deklarata. Ai ka treguar se numri aktiv i të infektuarve me koronavirus të pjesëtarëve të policisë është 293, dhe që nga fillimi i pandemisë 12 policë nuk i kanë mbijetuar virusit.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme