Google ADS

12 muaj asnjë seancë e gjykimit të Ukë Rugovës

20:32 | 19 Nëntor 2018
Arbresh.info

Ka kaluar gati plot një vit që nga seanca e fundit e gjykimit të Ukë Rugovës.

Dhe, Gjykata e Prishtinës ende nuk ka caktuar një datë kur do të vazhdojë gjykimi i Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe të akuzuarve të tjerë në rastin në lidhje me aferën e vizave italiane.

Seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur në muajin nëntor të vitit të kaluar nën udhëheqjen e gjyqtarëve të EULEX-it.

Që nga ajo kohë, EULEX ka përfunduar mandatin në Kosovë, lënda është transferuar te gjyqtarët vendorë ndërsa nuk është caktuar të mbahet ende ndonjë seancë.

Kallxo.com e ka kontaktuar gjykatësen Naime Krasniqi-Jashanica dhe e ka pyetur nëse ka caktuar ndonjë datë për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

Por, ajo ka thënë se deri më tash nuk ka caktuar ndonjë datë për seancën e radhës.

Edhe avokati i Ukë Rugovës, Nexhat Shabanin, tha se deri më tani nuk është informuar për caktimin e ndonjë seance në rastin ndaj klientit të tij.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale, Ukë Rugova ishte pjesë e një grupi kriminal qëllimi i të cilit ishte përfitimi material, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në lidhje me aktivitetet e grupit.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm duke mohuar pretendimet e Prokurorisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme