Me ndarjen e buxhetit për vitin 2023, 12 për qind më i lartë se vitin e kaluar është në fushën e arsimit. Për këtë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se në bazë të prioriteteve që kanë përcaktuar, i kemi kushtuar vëmendje digjitalizimit të sistemit të arsimit dhe edukimit të hershëm. Ndërkohë, njohësit e fushës, thonë se digjitalizimi e rrit llogaridhënien brenda sistemit arsimor.
Për buxhetin e ndarë për fushën e arsimit, ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, ka thënë se nevojat janë më të mëdha se sa mundësitë. Megjithatë, ajo theksoi për Radio Kosovën se për vitin 2023 është ndarë buxheti për arsim 12 për qind më i lartë. Ndërsa, bëri të ditur se prioritet kanë digjitalizimin e sistemit të arsimit dhe edukimin e hershëm.
“Janë planifikuar gjashtë milionë euro për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve apo për adoptimin e hapësirave ekzistuese në kopshte dhe çerdhe, me synimin që të rritet përfshirja në edukimin e hershëm”, thotë ministrja Nagavci për Radio Kosovën.
“Të gjitha studimet e organizatave më kredibile dhe studimet shkencore, kanë vërtetuar që investimi në edukimin e hershëm, është investimi më i duhur për zhvillimin jo vetëm të secilit fëmijë, por edhe të familjeve e shoqërisë në të ardhmen”.
Ajo shprehet se ky është një investim që kthehet shumëfish për shoqërinë.
“Krahas me miratimin e Ligjit për edukimin e hershëm, që e bën edukimin parafillor, nga mosha 5-6 të obliguar nga viti 2023, konsideroj që është investim i mirë.”
Nagavci, foli për investimet që do të bëhen për sa i përket digjitalizimit të sistemit arsimor.
“Gjashtë milionë euro e gjysmë janë planifikuar për digjitalizim të sistemit të arsimit. Jo vetëm që janë ndarë këto mjete për vitin 2023, por janë planifikuar për tri vitet e ardhshme në kornizën afatmesme të shpenzimeve, në mënyrë që të gjitha klasat e të gjitha shkollat t’i kemi të pajisura me pajisjet e duhura për të përdorur teknologjinë në mësimdhënie”, deklaroi ajo.
“Paralelisht me pajisjet dhe shpërndarjen e rrjetit, është planifikuar edhe përmirësimi dhe zhvillimi i kompetencave të mësimdhënësve në përdorimin e teknologjisë, sikurse edhe përgatitja e materialeve online dhe gjithë komponentët e tjerë të rëndësishëm, siç janë unifikimi i të dhënave apo përdorimi i të dhënave të cilat janë në formën digjitale.”
Rinor Qehaja, nga Instituti “EdGuard”, tha për Radio Kosovën se shpreson se rritja e buxhetit për arsim të kthehet në përfitim për komunitetin, derisa theksoi se digjitalizimi duhet të ketë përkrahje të mjaftueshme financiare.
“Ajo çfarë ne do të donim të shihnim është një mekanizëm llogaridhënës i mirëfilltë, që garanton që këto mjete të alokuara po sigurojnë një cilësi më të rritur në arsim, e jo me investime në infrastrukturë në shkolla, jo investime në mëditje e paga, por investim që sjell ndryshimin në klasë te nxënësi”, thotë Qehaja për radio Kosovën. “Besojmë që digjitalizimi është mjeti që rrit llogaridhënien brenda sistemit arsimor.”
Ndërkohë, me projektligjin për tekste mësimore, parashikohet edhe kopja digjitale të teksteve. Me Planin Strategjik të Arsimit, është paraparë edhe krijimi i materialeve digjitale që mund të përdoren nga mësimdhënësit.
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës