Google ADS

Lajçak: Ngjarjet e 24 shtatorit nuk ndryshojnë faktin që Kosova e Serbia kanë hyrë në marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit

23:18 | 22 Tetor 2023
E.G

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar pas takimit të emisarëve evropianë dhe të SHBA-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Me anë të një postimi në Facebook, Lajçak tha se temë e diskutimit ka qenë edhe gjendja e sigurisë në veri të Kosovës, shkruan Arbresh.info.

““Si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd kemi diskutuar me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti se si të avancohet normalizimi i marrëdhënieve dhe të arrihet progres në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Temë e diskutimit ishte edhe gjendja e sigurisë në veri të Kosovës”, shkroi Lajçak.

Ai ka thënë se e dënojnë sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, duke shtuar se presin bashkëpunim nga Serbia në këtë drejtim.

“Ne nënvizuam të dy liderët se ngjarjet e 24 shtatorit përbëjnë një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë, i cili tregon gjithashtu se si de-përshkallëzimi ashtu edhe normalizimi janë tani më urgjente se kurrë. Së bashku me partnerët tanë, ne qëndrojmë të bashkuar në dënimin e sulmeve terroriste dhe theksojmë se të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë, duke pritur bashkëpunim të plotë nga Serbia në këtë drejtim”, shtoi emisari i BE-së.

Mes të tjerash, emisari Lajçak tha se është përcjellur tek palët pritshëmria për përmbushjen e obligimeve të tyre nga dialogu.

“Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit në fillim të këtij viti. Në diskutimet tona kemi përcjellë pritjen që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht obligimet e tyre në dialog. Çdo kusht apo vonesë është e papranueshme”, përfundoi Lajçak./Arbresh.info/

Të ngjashme