Google ADS

Kosova larg BE-së, e konfirmon edhe Komisioni Evropian

08:24 | 11 Shkurt 2018
Arbresh.info

Rruga e Kosovës është rrugë e gjatë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Një gjë e tillë tanimë u konfirmua të martën më 6 shkurt kur Komisioni Evropian  miratoi në Strasburg “Strategjinë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunim më të madh të Bashkimit Evropian në atë rajon”.

Me këtë është konfirmuar e ardhmja evropiane e Ballkanit si rajon me vlera të përbashkëta gjeostrategjike dhe vlera të përbashkëta me BE-në.

Kur bëhet fjalë për Kosovën në strategji thuhet se Kosova e ka rastin për përparim të qëndrueshëm përmes implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe bashkimit në përparimin në rrugën evropiane kur këtë ta lejojnë rrethanat objektive.

Po ashtu në strategji thuhet se deri në vitin 2025 BE-ja mund të ketë më shumë se 27 vende anëtare që janë aktualisht, mirëpo shpejtësia e përparimit në këtë rrugë varet nga secili shtet veç e veç.

Për dallim nga Kosova, në këtë strategji vendet të cilat më së shumti kanë përparuar në rrugën evropiane janë Serbia dhe Mali i Z, dhe se ato deri në vitin 2025 mund të bëhen anëtare. Strategjia sqaron hapat të cilat duhet të ndërmarrin këto dy vende në mënyrë që t’i bashkohen BE-së në vitin 2025.

Ndërsa kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Maqedoninë vlerësohet se këto dy vende po arrijnë përparim domethënës në rrugën evropiane dhe shtohet se Komisioni është i gatshëm që të bëjë gati përgatitjet për hapjen e negociatave për anëtarësim, mirëpo kjo varet nga përmbushja e kushteve.

                                                    Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media flet për BE-në (FOTO)

Pas publikimit të kësaj strategjie në të cilën për Kosovën nuk përmendet ndonjë datë për anëtarësim në BE, reaguan edhe institucionet shtetërore.

I pari i shtetit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, derisa ka bërë thirrje që të ratifikohet Demarkacioni me Malin e Zi me qëllim që të hiqen vizat për Kosovën.

“Komisioni Evropian publikoi strategjinë e re për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Këtë strategji e vlerësoj si një përpjekje të BE-së për të rritur përkushtimin dhe nxitur reformat e shteteve të rajonit për anëtarësim në BE. Prandaj, e mirëpres hartimin e këtij dokumenti strategjik, i cili e trajton Kosovën si pjesë integrale të planeve për zgjerim të Bashkimit Evropian. Megjithatë, për arsye të njohura politike, fatkeqësisht, ky dokument nuk ka arritur të paraqes një perspektivë të anëtarësimit gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjitha vendet e rajonit. Në veçanti, kjo strategji ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE”, pati shkruar ai në facebook.

Thaçi ka shkruar se Kosovës i mbetet që të punojë për të mënjanuar barrierat politike për realizimin e aspiratës për integrime.

 “Kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën. Por, Kosova nuk do të zhytet në dëshpërim”, kishte thënë ai.


                               Ramush Haradinaj në një tryezë diskutimi lidhur me rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së (FOTO)

Pas Presidentit, reagimi erdhi edhe nga i pari i ekzekutivit, kryeministri Ramush Haradinaj.

Përmes një njoftimi nga zyra e tij thuhet se Republika e Kosovës ka një varg arritjesh të cilat do të duhej të njihen dhe pranohen nga Bashkimi Evropian si përkushtim serioz për avancim thelbësor në rrugën evropiane të shtetit tonë.

“Me Qeverinë e re, Kosova ka implementuar shpejtë dhe me efikasitet prioritetet kyçe të listuara në Agjendën e Reformave Evropiane (ERA 2017), dhe kështu ka bërë progres të konsiderueshëm në përmbushjen e kritereve të përgjithshme të MSA-së. Qeveria e Kosovës ka pritur që ky progres të jetë i mjaftueshëm për të qartësuar rrugën që ka Kosova para vetes për të fituar statusin kandidat, ashtu siç ishte me të gjitha shtetet tjera të rajonit, dhe Strategjia e Zgjerimit të jetë mundësi dhe udhërrëfim i barabartë për të gjithë, e jo vetëm të listojë kriteret pa i renditur rezultatet e arritura”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas njoftimit nga kryeministri Haradinaj, është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian të ketë politikë të qartë ndaj Kosovës.

“Derisa ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara nesh, është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian të ketë politikë të qartë ndaj Kosovës, në mënyrë që të avancojë procesin e saj të integrimit, dhe të mos rrezikohen të arriturat tona të përbashkëta për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon. Këto janë edhe pritjet e qytetarëve të Kosovës, të cilët presin nga Bashkimi Evropian trajtim të barabartë si për të gjithë qytetarët evropianë. Megjithëkëtë, duhet theksuar përkushtimin e qartë të Kosovës për implementim efikas të MSA-së, seriozitet në forcimin e sundimin të ligjit dhe institucioneve përkatëse, dhe fqinjësi të mirë. Viti 2018 do të duhej të jetë viti kur Kosova me punën dhe përkushtimin e saj, e fiton statusin kandidat dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj”, shkruhej në njoftim.

                            Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli flet për të ardhmen e Kosovës në rrugën evropiane (FOTO)

Për dallim nga dy të parët që u ndjenë të zhgënjyer nga cilësimi që i bëhet Kosovës në këtë strategji, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli e ka quajtur lajm të mirë Strategjinë për Zgjerim të BE-së.

 “Lajmi i mirë nga Brukseli është se BE-ja po tejkalon të ashtuquajturën “enlargement fatigue” – lodhjen nga zgjerimi dhe i është rikthyer seriozisht rajonit tonë. Një perspektivë e besueshme e zgjerimit të BE-së, e që përfshinë Ballkanin Perëndimor është një angazhim i shtuar i Brukselit dhe shteteve anëtare. Ri-afirmimi i një të ardhme Evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimorë nga Presidenti Jean-Claude Juncker, hapë perspektivë të re për më shumë stabilitet në fqinjësinë tonë. Ky është obligim i BE-së për të ruajtur perspektivën kredibile të zgjerimit për rajonin. Me Strategjinë për Zgjerim të BE-së, për Republikën e Kosovës hapet një dritare historike e mundësisë për t’u lidhur në mënyrë të vendosur dhe pa dyshim me të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian. Republikës së Kosovës i është ofruar mundësi për progres të qëndrueshëm nëpërmjet implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, edhe pse ne kemi kërkuar trajtim të barabartë me vendet tjera të rajonit”, thuhej në njoftim.

                    Ministrja Dhurata Hoxha në mbledhjen e Qeverisë flet rrugën integruese të Kosovës (FOTO)

 

Edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, kishte theksuar se është pozitive që Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova e ka vendin e vet në BE dhe e ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia në këtë proces.

“Mirëpres Strategjinë e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pjesë e të cilës është edhe Kosova. BE na e ka hapur derën që të bëhemi pjesë e saj, por ne jemi ata që duhet të ecim nëpër këtë derë. Në këtë fazë, kemi pritur që të specifikohen më konkretisht hapat rreth procesit integrues të vendit tonë, por, megjithatë rruga jonë drejt BE-së nuk ka alternativë. Është tejet pozitive që BE ka konfirmuar se Kosova e ka vendin e vet në BE dhe e ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia në këtë proces. Fakti që BE e trajton procesin e aderimit të Kosovës në BE të ndarë nga Serbia, për mua është një njohje e shtetësisë së Kosovës, përkundër mosnjohjes nga disa shtete anëtare të BE-së dhe rezistencës që kanë shfaqur disa shtete që Kosova fare të mos përfshihet në këtë strategji”, kishte shkruar ajo në facebook.

                                        Deputetet e Vetëvendosjes në Kuvend (FOTO)

E jo vetëm krerët e shtetit ishin ata që reaguan, pasi që për këtë strategji  në të cilën flitet për Kosovën, reagoi edhe Opozita.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka thënë se në këtë strategji BE-ja e ka vendosur Kosovën në kategorinë e katërt dhe të fundit,  duke përdorur fusnotën që vazhdon ta trajtojë me ambiguitet shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Sa i takon Kosovës, strategjia e Komisionit jo vetëm që nuk jep orientim për datë anëtarësimi, apo për të qenë vend kandidat për anëtarësim, por nuk jep as edhe një sinjal që diçka e tillë do të jetë e mundshme pa tejkaluar pengesat që Komisioni i quan pa të drejtë si “objektive”. Pra në dy kategoritë e fundit që ka krijuar kjo strategji e Komisionit, janë vendosur dy shtetet që kanë pësuar e vazhdojnë të pësojnë padrejtësitë më të mëdha në rajon nga Serbia, përmes pengesave të Serbisë që nuk janë aspak objektive, por që janë plan konkret politik dhe ekonomik destabilizues i Serbisë për shtetet e rajonit. Sakaq, gjithnjë sipas kësaj strategjie, duket se Komisioni vlerëson se ky shtet destabilizues, Serbia, i prin integrimit Evropian në Ballkan. Kjo qasje e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është një sinjal shumë i qartë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Ne duhet të ideojmë dhe strukturojmë një politikë të brendshme e rajonale, të Kosovës e të Shqipërisë, për të vendosur peshën që kemi dhe për të realizuar qëllimet ku duam të jemi, në Ballkanin Perëndimor e drejt BE-së”, thuhet në njoftim.

                                                            Deputeti nga LDK, Avdullah Hoti (FOTO)

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se kjo parti do ta merr me seriozitet Strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor.

“Në Strategjinë e re për zgjerim të BE-së, është pozitiv fakti që Kosova është trajtuar si shtet në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por, Kosova është vendi i vetëm që nuk e ka të qartë afatin kohor të integrimit. Është e qartë se na mbetet neve si institucione të Kosovës të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të dëshmuar së Kosova është partner kredibil për integrim në BE, se nuk do të dërgojmë probleme në BE, por do të kontribuojmë në diversitetit të vlerave të BE-së”, kishte shkruar Hoti në Facebook.

                                                          Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova (FOTO)

Për të mos u ndalur me kaq, ndaj këtyre deklaratave reaguan edhe përfaqësues të Bashkimi Evropian në Kosovë.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka folur rreth Strategjisë për Zgjerim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, ku ka thënë se Kosova duhet të bëjë më të mirën nga kjo mundësi.

Përmes një postimi në Twitter, Apostolova pati theksuar se Kosova duhet të punojë shumë në këtë drejtim.

“Varet nga Kosova që të bëjë më të mirën nga kjo mundësi. Për të bashkuar dhe përdorur mundësitë e ndryshme të përshkruara në Strategji për të ecur përpara me reformat, për të përgatitur Kosovën për të forcuar demokracinë, ekonominë dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të jeni të aftë dhe të gatshëm për të luajtur rol të plotë dhe konstruktiv në fatin tonë të përbashkët”, kishte shkruar Apostolova./V.Berisha/Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme