Kuvendi i Republikës së Kosovës shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë me një varg aktivitetesh.
Në prani të përfaqësuesve të shumtë të shoqërisë civile, nxënësve dhe qytetarëve të tjerë, hapjen e Ditës së Demokracisë e bëri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Në fjalën e tij kreu i Kuvendit tha se këtë vit kjo ditë po festohet më ndryshe, pasi që Republika e Kosovës është anëtarësuar në Partneritetin për Qeverisje të Hapur, përcjell Arbresh.info.
“Për ne është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme anëtarësimi në këtë organizatë, pas një periudhe të gjatë punësh dhe përpjekjesh që nuk kufizohen vetëm në legjislaturën tonë, por vijnë qysh më herët, nga e kaluara. Kjo pra përveç tjerash tregon edhe për pjekurinë e institucioneve tona, sepse janë disa projekte që vazhdojnë qysh më herët dhe kurorëzohen në njërën prej legjislaturave të caktuara”, tha kryetari Konjufca.
Transparenca, shtoi kryetari i Kuvendit, është vlera më demokratike e një qeverisjeje dhe kjo, siç tha ai, rrit besueshmërinë e publikut dhe të shoqërisë në institucione. Njëkohësisht e bën qytetarin hisedar të vendimmarrjes dhe pjesëmarrjes në procesin demokratik.
“Institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë për aktivizimin sa më të madh të të rinjve, duke investuar në edukimin dhe zhvillimin e tyre, ngase një shoqëri demokratike mund të mirëmbahet si e tillë kur çmohet kontributi i gjeneratave të reja”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Kryetari Konjufca shtoi se përbërja e legjislaturës aktuale i ndihmon deklaratës së tij, sepse 15 për qind e deputetëve janë nën moshën 35 vjeçare.
Ndërtimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit dhe arritjen e lirisë dhe pavarësisë, kryetari i Kuvendit e quajti testament të së kaluarës, e të cilin tha se duhet ta përcjellin me shumë kujdes te gjeneratat që po vijnë.
“Ne duhet të angazhohemi për krijimin e mundësive për angazhim sa më aktiv të të rinjve dhe t’i fuqizojmë ata nëpërmes programeve dhe platformave të ndryshme. Forma më e mirë se si të arrihet kjo është investimi në forcimin e edukimit dhe zhvillimit të aftësive të të rinjve tanë. Edukimi dhe përfshirja e të rinjve si një burim i rëndësishëm i zhvillimit njerëzor është thelbësor për demokracinë”, tha kryetari Konjufca./Arbresh.info/
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...