Gruaja që u aksidentua nga nënkoloneli Goran Stojanoviq është në gjendje të rëndë shëndetësore

16:13 | 11 Dhjetor 2024
E.K

Një aksident i rëndë ka ndodhur të hënën që lamë pas në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, ku një grua është lënduar. Burimet e portalit Arbresh.info bëjnë të ditur se në këtë aksident është përfshirë një veturë e Policisë së Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, automjeti është drejtuar nga nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Goran Stojanoviq, i cili është drejtor i Divizionit të Trafikut në Policinë e Kosovës.


Në një intervistë ekskluzive për Arbresh.info, djali i gruas së aksidentuar, Art Uka, ka folur për ngjarjen tragjike.

Ai ka sqaruar se në momentin e aksidentit, nëna e tij, Bahrije Uka, ishte duke udhëtuar për në shtëpi kur u godit nga vetura e Policisë, e cila po udhëtonte me shpejtësi të lartë.

Sipas tij, policia ka pretenduar se aksidenti ka ndodhur për shkak të një situate urgjente.

Art Uka theksoi se shoferi i veturës ishte Goran Stojanoviq, dhe shpjegoi se përveç goditjes, nëna e tij ka pësuar thyerje të dorës dhe këmbës dhe aktualisht është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Aksidenti ka ndodh nana ka qenë në rrugën për shtëpi, policia ka qenë në shpejtësi shumë të madhe, policia thonë se ka qenë diçka urgjente. Shoferi që thonë e ka goditë nënën time është Goran Stojanoviq, drejtor në divizionin e trafikut. Kam kontaktuar edhe me personin që kam qenë me të afër dhe më ka thënë se për çka do që ka nevojë kam me qenë prezent. Nana nuk është në gjendje të mirë, e ka dorën dhe këmbën e thyer nuk është në gjendje të lëvizë. Këtu kërkim falje nuk pranohet. Ka mu bë operacioni jashtë shtetit, besojmë që operacioni ka me qenë i kushtueshëm. Shpresojmë që drejtësia ka me qenë në vendin e duhur. Nana është me aftësi të kufizuara”, tha ai.

 

Art Uka gjithashtu ka kërkuar që drejtësia të jetë në vendin e duhur dhe të sigurohet përgjegjësia për aksidentin.

Për këtë rast, Arbresh.info ka dërguar pyetje në Inspektoratin Policor të Kosovës për të marrë detaje dhe përgjigje lidhur me hetimet, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk është marrë asnjë përgjigje zyrtare./Arbresh.info

Të ngjashme