Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Daorsa Kica-Xhelili ka reaguar ndaj statusit të kryeministrit të vendit, Albin Kurtit , i cili tha se gjatë këtyre dy vite e gjysmë qeverisje, Policia e Kosovës ka organizuar mbi 1000 operacione kundër krimit dhe kontrabandës.
Deputetja ka shkruar se bëhet fjalë për të njëjtën Polici që nuk morën pjesë në debat për rezolutë.
“Lexova statusin e Kryeministrit Kurti. Dy herë. Herën e parë, e lexova me pritjen që do të flas për atë që ka premtuar: reformat në drejtësi, (ç’)kapjen e sistemit të drejtësisë, fuqizimin e sundimit të ligjit e demokracinë. Herën e dytë, e lehtësuar pak që as nuk është munduar të propagandojë se ka bërë gjë për të lartcekurat, e lexova ta kuptoj për çka ka shkruar. Policinë. Policinë e njëjtë ndaj të cilës nuk morën pjesë as në debat për rezolutë. Policinë e njëjtë për të cilën i kujtohet t’ia mëvetësoj sukseset si të qeverisë, por jo ta mbështes (përveç me emocione të zëna mundësisht në fotografi që duken si spontante)”, shkruan ajo në Facebook, përcjell Arbresh.info
Pas përmbledhjes së Kurtit, edhe Kica-Xhelili i ka bërë një përmbledhje.
Statusi i plotë:
Dy vjet e gjysmë PA sundim të ligjit, por me sundim të Qeverisë Kurti
Lexova statusin e Kryeministrit Kurti. Dy herë. Herën e parë, e lexova me pritjen që do të flas për atë që ka premtuar: reformat në drejtësi, (ç’)kapjen e sistemit të drejtësisë, fuqizimin e sundimit të ligjit e demokracinë.
Herën e dytë, e lehtësuar pak që as nuk është munduar të propagandojë se ka bërë gjë për të lartcekurat, e lexova ta kuptoj për çka ka shkruar. Policinë. POLICINË!!!
Policinë e njëjtë ndaj të cilës nuk morën pjesë as në debat për rezolutë. Policinë e njëjtë për të cilën i kujtohet t’ia mëvetësoj sukseset si të qeverisë, por jo ta mbështes (përveç me emocione të zëna mundësisht në fotografi që duken si spontante).
Me që statusi i tij kishte të bënte me gjithçka përveç sundimit të ligjit, mendova t’ia bëj unë përmbledhjen:
1. Vetingun e keni gjymtuar sepse e keni futur në thesin e reformave tjera. Si rezultat, keni mbetur me MBETJE, në Gjykatë Kushtetuese, për të cilat ju duhen edhe votat e minoriteteve, që nuk i keni.
2. Në formë të paprecedentë për Kosovë e për shtete demokratike, keni thënë nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës se kryeprokurori i propozuar ju pengon si emër i PËRVEÇËM. Madje, keni folur edhe në emër të Kryetarit të Kuvendit e Presidentes, sepse fundja kjo Qeveri sillet sikur ka epërsi ndaj të dyjave. Ndoshta dhe ka të drejtë në kuptimin faktik.
3. I keni pesë ligje tanimë të konfirmuara si kundërkushtetuese, e gati dhjetëra tjera të ankimuara që me shumë gjasë, për shkak të shkeljeve drastike e kristal të dukshme si kundërkushtetuese, mund të konfirmohen si të tilla.
4. Nga ofendimet e sharjet ndaj prokurorisë, keni vendosur që PËRNJËHERË, si të kishit rilindur në universin paralel, të kërkoni që rezervat shtetërore t’i trajtoj prokuroria, e jo komisioni hetimor. Pra – sot qenkan bërë të mirë! (Apo ndonjëri aty, qenka bërë i “mirë”)
5. Policët hetues të cilët e kanë urdhëruar konfiskimin e telefonit të Nagip Krasniqit, i keni suspenduar.
6. Shumicën e ministrave i ke me aktakuza apo tanimë të dënuar.
7. Nuk keni dhënë kurrfarë përgjegjësie për vjedhjet në Instutitin e Mjekësisë Ligjore. Keni lejuar (e mbështetur) punonjës të palicencuar të bëjnë analiza laboratorike. Sërish, asnjë përgjegjësi.
Ka dhe shumë të tjera, por po lodhem unë duke shkruar, e tjerët duke lexuar.
Në kam arritur të mësoj NJË gjë nga studimet e përvoja juridike, është që KJO QEVERI hyn në shembujt tipik të asaj se si NUK duken sistemet demokratike që fuqizojnë sundimin e ligjit, e SAKTËSISHT si duken ato që zhbëjnë demokracitë në autokraci.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë këtyre dy vite e gjysmë qeverisje, Policia e Kosovës ka organizuar mbi 1000 operacione kundër krimit dhe kontrabandës.
Ndërkaq thotë se janë arrestuar mbi 3800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e të cilëve 300 zyrtarë publikë, shkruan Arbresh.info.
Tutje, ai njofton se Policia e Kosovës ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend.
“Me mbi 1000 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë. Ajo sot ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend.”, ka shkruar Kurti.
Gjatë kësaj periudhe janë shkatërruar edhe 16 labortarë të drogës, prej tyre nëntë në veri të vendit, bën të ditur shefi i qeverisë.
“Në total, në dy vjet e gjysmë, në gjithë territorin e Republikës, janë konfiskuar 2.2 ton substanca narkotike.”, njoftoi Kurti.
Kryeministri Kurti njoftoi se janë sekuestruar mbi 14 milionë euro nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave.
LEXO EDHE:
Dy vjet e gjysmë qeverisje, Kurti: Mbi 3800 të arrestuar, 2.2 ton substanca narkotike të konfiskuara
Haradinaj mban sot konferencë për media
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...