Sigurohen mbi 15 mijë vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës, në shkurt pritet të nis vaksinimi

09:58 | 3 Shkurt 2024
K.B

Mbi 15 mijë vaksina janë siguruar kundër kancerit të qafës së mitrës.

Kështu bën të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në një përgjigje për Arbresh.info

Në përgjigjën e tyre thuhet gjithashtu që vaksinimi do të bëhet nga muaji shkurt.

“Vaksina HPV është bërë tashmë me vendim të Ministrisë prej vitit të kaluar 2023, pjesë e Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe fushata e vaksinimit të rregullt në krejt vendin për vajzat e moshës 12 vjeçe fillon nga muaji tjetër (shkurt). Janë siguruar mbi 15 000 vaksina”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, IKSHPK bën të ditur se vaksinimi do të fillojë përmes shkollave për vajzat e klasës së gjashtë, që i bie mosha 12 vjeç.

“Gjatë vitit qe shkoi vaksinimi kundër HPV vaksinës është pilotuar si projekt me 300 vaksina të dedikuara kryesisht për vajza te reja që kanë predispozita familjare për kancer të qafës së mitrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë bërë përgatitjet që ka mesi i muajit shkurt të fillojë vaksinimi përmes shkollave i vajzave të klasës VI-të (mosha 12 vjeç) me vaksinën kundër HPV”, thuhet tutje në përgjigje.

Sipas IKSHPK-së, prindërit kanë filluar të interesohen dhe janë duke u informuar për këtë proces.

“Prindërit kanë filluar të interesohen dhe ata po informohen për këtë proces, dhe siç edhe keni mundur të vëreni janari është duke u shënuar me aktivitete sensibilizuese dhe informuese për kancerin e qafës së mitrës dhe vaksinimin kundër HPV, interesimi është i mire”, njofton IKSHPK.

Ndërsa, shefja e njësisë se vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Fetije Fetaj, në një intervistë për Arbresh.info thotë se këtë vit, do t’i marrin vajzat e moshës 12 vjeçare, pra vajzat që vijojnë klasën e gjashtë.

“Vaksina kundër Human papillomavirus (HPV) është vaksinë që jepet prej moshës 9 deri në 15 vjet, si grupmoshë ku është vërtetu që efikasiteti i vaksinës edhe koha më e mirë është për me u vaksinu, fillimisht vajzat. Por Kosova duke u bazuar në rekomandimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rekomandimin e Komitetit Profesional Këshillues për imunizim dhe aprovimin e Ministrit, për këtë vit ka vendosur që vaksina të jepet në moshën 12 vjeçare, respektivisht vajzat e klasës së gjashtë”, shprehet Fetaj për Arbresh.info.

Mes tjerash, shefja e njësisë së vaksinimit në IKShPK bëri të ditur se qytetarët do të informohen në momentin që sigurohen doza të tjera të vaksinës për vaksinimin e moshave tjera.

Vitin që lamë pas, dhjetë vajza në Kosovë janë vaksinuar me vaksinën kundër papilloma virusit (HPV), e cila i mbron ato nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës.

Aplikimi i vaksinës është realizuar pasi në Kosovë, në tetor të vitit të kaluar, arritën 300 doza të kësaj vaksine.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.

Andaj, për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, OBSH-ja rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual.

Kanceri i qafës së mitrës, sipas OBSH-së, është lloji i katërt më i zakonshëm i kancerit te gratë, dhe më shumë se 95 për qind e rasteve shkaktohen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Nga vendet fqinje të Kosovës, Shqipëria ka paralajmëruar futjen e vaksinës HPV në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit.

Në Maqedoninë e Veriut, kjo vaksinë është në kalendar, ndërsa nga viti 2013 është obligative për grup-moshën 12 deri në 26 vjeçe dhe jepet në tri doza.

Në kalendarin e vaksinimit të Serbisë është po ashtu HPV, por vaksina nuk është e obligueshme, është e rekomanduar.

Në vitin 2020, Mali i Zi ka ndarë buxhet për vaksinën HPV, por ato mjete janë përdorur për nevojat e trajtimit të pandemisë COVID-19, e cila ka shpërthyer në atë vit.

Sipas autoriteteve në këtë vend, vaksinimi me HPV do të bëhet prioritet kur të ketë një situatë më të favorshme epidemiologjike me COVID-19.

Vaksina HPV jepet edhe në Bosnje e Hercegovinë, ndonëse nuk është e obligueshme./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Të ngjashme