Për zgjedhjet e parakohshme nacionale që po mbahen sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial janë duke punuar me qëllim të mbrojtjes së votës së qytetarëve, raporton “Arbresh.info.
“Gjatë ditës së sotme, deri në orën 15.00, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kemi disa raste të iniciuara që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Deri më tani kemi pranuar disa informata, prej të cilave janë hapur 5 lëndë, kundër 7 personave”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Në Prishtinë është evidentuar një rast kundër 1 personi, për të cilin është bërë kërkesë për paraburgim për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve, nga neni 214 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës; në Pejë është evidentuar 1 rast kundër 1 personit, i cili është në ndalim, për veprën penale, Keqpërdorim të detyrës gjatë zgjedhjeve, nga neni 214 i KPRK;, si dhe në Gjilan po ashtu një rast kundër 1 personi, i cili gjendet në ndalim, për veprën penale, Deklarim i rrejshëm, nga neni 391 i KPRK-së, ndërlidhur me veprat kundër së drejtës së votimit.
Prokuroria bën të ditur se edhe në Ferizaj ka evidentuar 1 rast kundër 1 personi, i cili është në ndalim, për veprën penale Keqpërdorim të detyrës gjatë zgjedhjeve, nga neni 214 i KPRK, si dhe në Prizren po ashtu 1 rast kundër 3 personave, të cilët janë duke u intervistuar për veprën penale, Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve, nga neni 211 i KPRK-së;
Sipas Prokurorisë, në Gjakovë dhe Mitrovicë nuk është evidentuar ndonjë rast shkelje.
“Edhe njëherë Ju informojmë se rreth 100 prokurorët e Shtetit, të cilët po kujdestarojnë sot, po veprojnë me urgjencë në secilin rast që po paraqitet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme gjatë këtij procesi zgjedhor”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokurori i Shtetit sërish i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë./ Arbresh.info
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës