100 ditëshi i Qeverisë Haradinaj, me premtime e dështime

11:36 | 19 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Qeveria Haradinaj më 9 shtator mori votën e deputetëve të Kuvendit. Si prijës i saj u zgjodh Ramush Haradianj më 11 shtator, ndërkaq,  me ceremoni shtetërore pranoi detyrën nga, Isa Mustafa.

Dita e parë e punës së kryeministrit filloi  më 12 shtator, ndërsa tani u bën 100 ditë nga fillimi i punës së tij, shkruan arbresh.info.

Që me marrjen e postit si kryeministër, Haradinaj sikur të gjithë pararendësit e tij premtoi që do të punoj për të gjitha çështjet që i preokupojnë qytetarët e vendit. Ai mori disa vendime, realizoi vizita jashtë vendit mirëpo nuk arriti të përmbush disa premtime.

Një nga vendimet e para që mori Ramush Haradinaj ishte shkarkimi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës kufitare të drejtuar nga Murat Meha dhe zëvendësimi me atë të drejtuar nga Shpejtim Bulliqi. Komisioni i dytë publikoi raportin për kufirin ku në këtë raport pretendon se Kosova humb territor me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Pavarësisht këtyre pretendimeve kjo marrëveshje u procedua nga Qeveria për tu dërguar  në Kuvend, e që opozita e konsideroi si dështim të kryeministrit Haradinaj.

Vendimi tjetër që mori Haradinaj ishte shpronësimi i pronave të banorëve në fshatin Hade dhe Shipitull në Obiliq, pasi që Kosova rrezikohej nga mungesa e energjisë. Kryeministri i bindi banorët që do të realizonte kërkesat e tyre dhe se pronat do t’ua shpronësonte me një çmim që do tu konvenonte edhe atyre. Madje iu premtoi edhe punësim për nga një anëtar të familjes.

Mirëpo, kur erdhi moment i shpronësimit të këtyre pronave, banorët u ankuan se premtimet e Haradinajt ndryshuan totalisht, madje atyre iu dha ultimatum gjysma e dhjetorit t’i nënshkruajnë marrëveshjet se ndryshe pronat e tyre do të përfundonin në Ligjin për Shpronësim.

Gjatë 100 ditëve qeverisje, në kabinetin me 21 ministra, u emëruan edhe 67 zëvendësministra, kurse me kërkesë të kryeministrit u shkarkua edhe Bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim e me 29 shtator u shkarkuan edhe 10 drejtorë të ndërmarrjeve publike, bazuar në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Vendim tjetër i kryeministrit gjatë kësaj periudhe ishte edhe arritja marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. Mirëpo me arritjen e kësaj marrëveshje u tha se do të shtrenjtohet çmimi për energjinë. Një gjë e tillë u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët të cilët kanë paralajmëruar edhe protesta.

Gjatë këtij 100 ditëshi, kryeministri Haradinaj realizoi edhe disa vizita jashtë vendit ku e para ishte në Tiranë me krerët e shtetit shqiptar ku u rikonfirmuan marrëdhëniet e ngushta Kosovë-Shqipëri. Ndërsa në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Shkup me 16 tetor, kryeministri Haradinaj nuk mori pjesë, dhe Kosova u përfaqësua nga zëvendësi i tij i parë, njëherësh, ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. 100 ditshin e qeverisjes, Haradinaj e plotësoi edhe me vizitën e kongresistit dhe mikut të shqiptarëve, Eliot Engel, miratimin nga Kuvendi në lexim të parë të projektbuxhetit për vitin 2018 dhe vizitën e parë të një kryeministri maqedonas në Kosovë, Zoran Zaev.

Më 27 nëntor më pas kryeministri mori pjesë në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ku u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi. Kurse më 18 dhjetor Haradinaj udhëtoi në Bruksel ku mori pjesë në një takim joformal me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim të ftuar nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, Haradinaj pati thënë që do të bisedoj edhe për Lieberalizimin e Vizave, mirëpo edhe sot e kësaj dite pa ndonjë rezultat.

Brenda 100 ditëve, emri i kryeministrit Haradinaj dhe 18 shtetasve të tjerë u hoq nga lista e kërkimit ndërkombëtar në Intrepol, ndonëse Qeveria hoqi dorë nga aplikimi në këtë organizatë, siç veproi edhe për UNESCO-s.

Ndërsa për punën e tij 100 ditëshe, Haradinaj do ta prezantoj nesër raportin në mbledhjen e Qeverisë./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme