Imer Gashi është dënuar me 10 muaj burgim pasi ka pranuar se përmes telefonit ka dërguar porosi në formë elektronike (e-mail) në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, duke kanosur me vrasje ambasadorin dhe zyrtarët e tjerë.
E-maili në adresë të ambasadës ishte dërguar në qershor të këtij viti, ku sipas aktakuzës, Gashi kishte kërkuar nga ambasadori ndalimin e grupeve kriminale në Kosovë në të kundërtën do të ndodhte vrasja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj Gashit është shpallur të hënën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vesel Ismajli, pasi që i akuzuari deklaroi se pranon fajësinë për veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”.
I akuzuari Imer Gashi deklaroi se i kupton pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë dhe se ndihet thellësisht i penduar.
“Pendohem jashtëzakonisht thellë për veprën penale që e kam kryer, kërkoj falje publikisht në emër timin dhe të familjes”, tha i akuzuari.
Pranimi i fajësisë nga i akuzuari u mbështet edhe nga mbrojtësi i tij, avokati Leart Kryeziu, i cili tha se pranimi i fajësisë është bërë pas konsultimit të mjaftueshëm me të dhe se i njëjti ndihet i penduar, duke kërkuar nga gjykata që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim sa më i butë.
Prokurori Afrim Shefkiu deklaroi se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Gashi është i plotë dhe në përputhje të plotë me provat materiale të bashkangjitur aktakuzës. Ai i propozoi gjykatës që pranimin e fajësisë ta aprovoj.
Pas deklarimeve të tyre, gjykatësi Ismajli ka aprovuar pranimin e fajësisë dhe ka bërë shpalljen e aktgjykimit.
Lidhur me propozimin e mbrojtjes për ndryshimin e masës së sigurisë, gjykata mori aktvendim me të cilin i ndërpreu masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Gjykatësi Vesel Ismajli gjatë shpalljes së aktgjykimit njoftoi palët se brenda afatit ligjor kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 3 shtator 2021, Imer Gashi ngarkohet me veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”.
Në aktakuzë thuhet se Gashi më 16 qershor të vitit 2021, me paramendim dhe dashje, përmes telefonit dhe emalit të tij, në adresën zyrtare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade.
I akuzuari sipas aktakuzës kishte kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade, se po që se nuk ndërmarrin veprime për çështjen e sigurisë në Kosovë, për parandalimin e grupeve kriminale, do ta vriste ambasadorin, i cili sipas tij, mbulon kriminelët në Kosovë.
Sipas aktakuzës, Gashi kishte thënë se nuk ka pasur qëllim të vrasë ambasadorin por të sensibilizojë Ambasadën e SHBA-së në Kosovë me padrejtësitë ndaj familjarëve të tij në një proces gjyqësor./BetimipërDrejtësi/
Diplomatët amerikanë vizitojnë Sirinë për herë të parë pas r...
Përurimin e segmentit Stanovc- Vushtrri, Kurti: Rruga Prisht...
Një nxënës sulmoi me thikë mësuesen dhe disa nxënës në Zagre...
Osmani: Lidhja e thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ësht...
Spiropali: Kosova meriton anëtarësimin në BE
Konjufca: Kjo seancë duhet të shihet që Kosova dhe Shqipëria...