Google ADS

1 milion e 400 mijë euro parashihen për deputetët pasiv

15:28 | 28 Mars 2017
Arbresh.info

Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa kanë shqyrtuar dhe aprovuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), po ashtu edhe raportin e shpenzimeve për vitin 2016 të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët nuk kishin vërejtje për parashikimet e rritjes së pagave dhe mëditjeve për deputetët por vërejtja e tyre kryesore gjatë shqyrtimit të kornizës ishin shpenzimet për subvencione dhe investimet kapitale.

Deputeti nga Nisma Enver Hoti, ka kërkuar të dijë më shumë për shpenzimet që janë të parapara për renovimin e Kuvendit dhe subvencionet.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Shqipe Pantina, ka kërkuar të hiqen nga Korniza afatmesme subvencionet dhe transferet pasi që sipas saj janë Ministritë e caktuara që merren me këtë çështje.

“Vërejtjet e mia dhe në njëfarë mënyre unë vë kusht për miratimin e këtij buxheti është tek subvencionet. Është kategoria ku unë asnjëherë nuk do të pajtohem . Nuk jep Kuvendi subvencione. Ne i kemi institucionet të ndara është Qeveria edhe i ka 11 Ministri të cilat i mbulojnë fusha të ndryshme për çfarëdo lloj kështu që kategoria e transfereve dhe subvencioneve duhet të hiqet”, tha Pantina.

Sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi i ka arsyetuar renovimet e Kuvendit duke thënë se nuk mund të përfundojnë punët në hapësira të caktuara në kohë të caktuar. Ndërsa për subvencionet tha se ato rregullohen me ligjin për menaxhimin e Financave Publike.

“Gjitha punët nuk po mund të kryhen me një fazë . Për cdo vit është i paraparë me programin ton të administratës që të kryhen punë të caktuar në pjesët caktuar të hapësirave . Është pa arritshme që të bllokohet Kuvendi të mbyllen dyert edhe mos të punon 1 vjet pastaj të kryhen të gjitha meremetime. ….Subvencionet aktualisht rregullohen me ligjin për menaxhimin financa publike edhe me një rregullore të Qeveris për ndarjen e mjeteve të cilën e respektojmë “, tha Krasniqi.

Krasniqi po ashtu ka raportuar edhe për parashikimet me KASH për vitin 2018-2020, ka treguar se është paraparë që të ndahen mjete për pagesë kalimtare për deputetët që nuk rizgjidhen edhe një herë në postin e deputetit.

“Te kategoria e pagave për vitin 2018-të kemi paraparë 500 mijë euro më shumë . Ndërsa për vitin 2019-të , kemi paraparë 900 mijë euro më shumë po në total është 1 milion e 400 mijë euro. Kjo rritje është paraparë, pra ne e kemi reflektuar si kërkesë buxhetore për shkak se në vitin 2018 përmbyllet afati katër vjeçar i deputetëve edhe në zgjedhjet eventuale këto janë një buxhet i paraparë për paga për mandatin pasiv të deputetëve për kompensim . Është paraparë qysh nga viti 2018 dhe gjysma e vitit 2019. Te mallrat dhe shërbimet në kudër të KASH kemi paraparë kërkesa shtesë sipas kërkesave tona si administratë 300 mijë euro për shpenzime të grupeve të miqësisë….Është paraparë që për deputet e legjislaturës së të re që të kemi një buxhet prej 100 mijë euro për blerjen e laptopëve . Ndërsa 93 mijë e 241 euro për aktivitete të tje ra të deputetëve”, tha Krasniqi.

Ai po ashtu ka thënë se tek programi i administratës kanë në plane t’i punësojnë 20 persona në njësi të ndryshme në Administratë të Kuvendit.

Po ashtu Krasniqi ka thënë se edhe tek programi i stafit mbështetës politikë që nënkuptojnë këshilltarët politik, asistentët, vozitësit për të cilët parashihet të hapen edhe 30 pozita të reja. Ai po ashtu ka thënë se për vitin 2018 kanë paraparë një buxhet shtesë për sigurime shëndetësore dhe kanë paraparë t’i ndajnë 470 mijë euro, por nëse hyn në fuqi ligji për sigurimin shëndetësor tha se do të ndalet ky shërbim.

Ndërsa në KASH është futur edhe kërkesa e kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa , Naser Osmani për ndërtimin e një qendre të re protokollare të përbashkët për Qeverinë, Presidencën dhe Parlamentin . Për këtë objekt Osmani kërkoi që në kategorinë e investimeve kapitale të parashihen edhe 2 milionë euro. Kjo kërkesë ka hyrë si projekt shtesë në KASH, por kërkesa me shkrim do të dërgohet në Kuvend. Komisioni po ashtu e kanë shqyrtuar raportin vjetor të shpenzimeve të Kuvendit për vitin që shkoi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme