Google ADS

1 Maji në Kosovë, punëtorët kërkojnë t’iu vlerësohet mundi

13:10 | 1 Maj 2022
S D

Më 1 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, punëtorët e sektorit privat protestuan në Prishtinë, duke kërkuar kushte më të mira të punës.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi tha se për shkak të kushteve të këqija, mijëra punëtorë po ikin nga Kosova.

Ai shton se nga Qeveria e Kosovës nuk kërkojnë lëmoshë, por “kërkojmë që djersa jonë të paguhet”.

Organizatorët e protestës u shprehën të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, duke thënë se nuk po bën asgjë për të përmirësuar kushtet e punës për ta.

“Vlerësim i punës e i mundit”, ishte një nga mesazhet e punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.

Një nga kërkesat e protestuesve ishte edhe themelimi i Gjykatës së Punës.

Punëtorët po ashtu kërkuan fillimin e aplikimit të sigurimit shëndetësor. Kosova ka miratuar një ligj për sigurime shëndetësore më 2014, por asnjëherë nuk është zbatuar për askënd.

Protestuesit thanë se për shkak të kushteve jo të mira të punës, mijëra punëtorë po kërkojnë që të largohen nga Kosova, raporton REL.

Organizatorët e protestës thanë se mbi 2,000 persona çdo ditë aplikojnë për viza në ambasadat në Kosovë, me qëllim që të gjejnë një punë më të mirë jashtë vendit.

Sindikalistët thanë se janë të zhgënjyer me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi kanë pritur më shumë nga ai. Ata edhe një herë kundërshtuan propozimin e Qeverisë së Kosovës për pagën minimale, duke thënë se paga minimale nuk përcaktohet nga Qeveria, por nga tregu i punës.

Punëtorët e sektorit privat thanë se ata po e mbajnë shtetin, ndërkaq shteti nuk po bën asgjë për t’i ndihmuar. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme