Google ADS

Dënohet me 25 vite burgim i akuzuari për vrasjen në AKI

14:10 | 18 Mars 2022
V. S.

Gjykata Themelore në Prishtinë të premten e ka dënuar me dënim unik prej 25 vitesh burgim të akuzuarin V. I. i akuzuar për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në shtator të vitit 2018.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj- Hyseni.

I. akuzohej se kishte privuar nga jeta I.S., e më pas, sipas prokurorisë, për të ikur nga vendi i ngjarjes kishte rrëmbyer një punëtore tjetër.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari u dënua me 21 vite burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë”, me tre vite burgim për veprën penale “Rrëmbimi” dhe me 1 vit e 6 muaj burgim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. Kurse, me dënim unik u dënua me 25 vite burgim.

Të njëjtit, do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 qershor 2020 e ka mbyllur për publikun dhe mediat këtë rast.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2019, V.I. akuzohej se më 4 shtator 2018, rreth orës 09:31, në bufenë e objektit të AKI-së në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.S., siç thuhet për shkak të xhelozisë, pasi që tani i ndjeri një ditë më parë në kohën e drekës, duke bërë shaka iu ka thënë zyrtarëve të AKI-së se gjoja do të bëhet i madh, pasi ato ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së.

Aktakuza thotë se duke rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarës F.B, derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, ka shkuar i pandehuri në kuzhinë me revole në dorë, e ka thirrur në emër “I.”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dalë në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se pasi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri ka rrëmbyer F.B, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke pirë kafe në oborrin e objektit të AKI-së, papritmas ka dalë i pandehuri nga objekti me armë në dorë dhe i është afruar asaj dhe nën kanosje të armës e ka detyruar që të shkojë te vetura e të pandehurit, e cila ishte e parkuar në parkingun e AKI-së dhe e i ka vënë armën në kokë.

Pastaj, sipas aktakuzës, e ka urdhëruar të shkojë në drejtim të portës kryesore të daljes nga oborri i AKI-së, e posa ka mbërritur te porta kryesore, aty i ka kanosur me armë edhe pjesëtarët e sigurimit, duke iu drejtuar me fjalët “e vrava, shkoi çika”.

Në aktakuzë thuhet se ai ka dalë nga vetura, ka marrë të dëmtuarën dhe vazhdimisht ka mbajtur armën nga ajo, ndërsa tjetrën dorë ia ka mbajtur rreth qafe, ka ecur për të dalë jashtë objektit dhe kur është afruar te dera ka shkuar te komanda për ta hapur derën dhe aty është penguar nga zyrtari Sh.Sh, ndërsa zyrtari E.B, duke e parë atë gjendje, ka rënë në gjunjë para të pandehurit dhe i është drejtuar me fjalën “nëse dëshiron të vrasësh dikënd, më vrit mua”, e i pandehuri në ato çaste thuhet se i është drejtuar atij me fjalët “vetëm ty ta dha armën”, e më pas ia ka dhënë armën ku edhe është liruar e dëmtuara.

Më këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.

Në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se nga koha e papërcaktuar e deri më 4 shtator 2018, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armën e llojit të lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale, ndërsa gjatë bastisjes nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në banesën e tij është gjetur edhe sekuestruar edhe revolja e tipit “Colt Amadeous ROSSI S.A 38 special” dhe një thikë. /BetimipërDrejtësi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme