1.2 milionë vetë vdesin çdo vit prej aksidenteve rrugore

09:40 | 5 Korrik 2024
E.K

Çdo vit prej aksidenteve rrugore në botë vdesin rreth 1.2 milionë vetë dhe plagosen 40 deri në 50 milionë të tjerë. OKB-ja ka nisur tani fushatën #MakeASafetyStatement.

Aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë për grupmoshat 5-29 vjeç. Prandaj OKB-ja ka nisur tani fushatën #MakeASafetyStatement, e cila synon të rrisë sigurinë rrugore dhe ta përgjysmojë këtë shifër deri në vitin 2030.

“Siguria rrugore nuk është kurrë e përfshirë sa duhet në agjendat politike në shumicën e vendeve. Pasojat e aksidenteve i njohim, por në lidhje me aksionet e ndërmarra për parandalimin, jemi shumë mbrapa” – tha Jean Todt, i Dërguari i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për sigurinë rrugore.

Ai vuri në dukje se çdo vit prej aksideteve rrugore vdesin 1.2 milionë vetë dhe plagosen 40 deri në 50 milionë të tjerë, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.

Fushata nisi në New York dhe do të vazhdojë deri në vitin 2025, duke mbuluar më shumë se 1000 qytete në 80 shtete të botës, përmes reklamave rrugore, medias sociale dhe platformave të tjera.

Në këtë fushatë janë përfshirë deri tani 14 persona të famshëm, ndër të cilët supermodelja Naomi Campbell, legjenda e tenisit Novak Gjokovic, apo aktorja fituese e Oskarit dhe ambasadore e vullnetit të mirë të UNDP-së, Michelle Yeoh. Mbështetjen e tyre për fushatën e kanë premtuar edhe personitete të tjera.

Ata kanë kontribuar me deklarata personale si “Unë e ngas makinën ngadalë” ose “Unë nuk e ngas makinën kur nuk jam esëll”./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme