​Qeveria maqedonase: Nuk ka përçarje rreth çështjes së emrit

16:33 | 10 Qershor 2018
M. A.

Nuk ka përçarje mes kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit Nikola Dimitrov lidhur me zgjidhjen e çështjes për emrin.

Ky është reagimi nga Qeveria maqedonase pas shkrimeve në media të nxitura edhe nga persona zyrtar të Greqisë, se bisedimet janë zvarritur për shkak të dallimeve në kreun politik të Maqedonisë për versionin përfundimtar të marrëveshjes.

“Kryeministri Zoran Zaev, ministri i jashtëm Nikola Dimitrov dhe përbërja e plotë e Qeverisë së Maqedonisë janë në një linjë të vetme, fuqishëm të përcaktuar dhe të përkushtuar në tejkalimin e kontesteve, përforcimin e dinjitetit dhe identitetit të qytetarëve të Maqedonisë, ka deklaruar Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë së RM-së.

Këtij reagimi i paraprinë disa shkrime ku cak i sulmeve ishte ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov. Ai u akuzua se ka luajtur lojëra të dyfishta, ndërsa përmendej edhe prejardhja e tij nga Egjeu dhe se në të kaluarën ka qenë i afërt me VMRO-DPMNE-në “nacionaliste”. Ndërsa në mediat greke lidhur me çështjen e emrit, fokusi i teksteve është në mospajtimet politike atje. zëvendësministri grek i mbrojtjes vlerëson se tani është mundësia më e mirë për zgjidhje.

“Ajo që ndodh është një pjekje e kushteve për tejkalimin e një problemi që ekziston, pjekje e vullnetit politik në të dyja palët. Mundësia për zgjidhje që tani ekziston nuk do të përsëritet më kaq lehtë”, tha Fotis Kuvelis, zëvendësministër i Mbrojtjes në Greqi.

Demokracia e Re opozitare tani për tani nuk ofron mbështetje, duke akuzuar për mos-transparencë nga Qeveria e Ciprasit.

“Jemi lënë të presim në errësirë. Të paktën ditët e fundit nuk dimë asgjë si Demokraci e Re. Edhe pse kërkojmë të dhëna zyrtare, ne informohem nga Shkupi. Mësuam se nëse ka marrëveshje, Cipras ndoshta do të ketë shumicë të ngushtë në Parlament. Por, shoh se ka reagime të ashpra tek populli, ka thënë Kostas Cacidakis, zëvendëskryetar i Demokracisë së Re.

Deklaratat e fundit zyrtare nga Shkupi erdhën nga zëvendëskryeministri Bujar Osmani i cili sqaroi se ngecja nuk ka të bëjë me dallimet në parime mes Greqisë dhe Maqedonisë, por për shkak të dallimeve në interpretimin e disa pjesëve të marrëveshjes. Një zëdhënës qeveritar grek një ditë më parë shprehi optimizëm se do të arrihet marrëveshje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme