Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë ngritur shqetësimet e tyre të vazhdueshme mbi kontratën miliardëshe të Termocentralit Kosova e Re e cila veçse po jetësohet me ndihmën e kompanisë publike NKEC.
BGF dhe INDEP kërkojnë tërheqjen e menjëhershme nga kontrata për ndërtimin e TC Kosova e Re, pasi sipas tyre, ky projekt do të falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje për mjedisin, shëndetin dhe të drejtat e njeriut.
“Duke ndërprerë këtë projekt të dëmshëm, Kosova ka mundësinë të ndërtojë të ardhme evropiane përmes tranzicionit të energjisë drejt burimeve të ripërtërirë, efiçiencës së energjisë dhe një tregu të integruar e liberal në funksion të përballueshmërisë së çmimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit”, thuhet në deklaratë.
Duke përkujtuar se Qeveria e Kosovës ka themeluar kompaninë publike NKEC (Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës), e cila do të shërbejë si ndërmjetësuese në mes të investuesit privat ContourGlobal dhe tregut të energjisë në Kosovë, BGF dhe INDEP theksojnë se TC Kosova e Re ka një çmim të garantuar prej 80 euro/MWh dhe NKEC detyrohet të blejë 100 për qind të kapacitetit të TC Kosova e Re, e cila pritet të prodhojë rreth 3,370,000 MWh në vit edhe nëse tregu nuk e kërkon.
“Kur i shumëzojmë 3,370,000 MWh në vit me çmimin e garantuar prej 80 euro/MWh del që qytetarët e Kosovës do të duhet t’ia paguajnë ContourGlobal 270 milionë euro në vit apo 5.4 miliardë euro për 20 vjetët e ardhshëm pas ndërtimit të termocentralit.
Financimi i ndërtimit të termocentralit parashihet të bëhet me një strukturë financiare ku 70 për qind e kostos pritet të mbulohet nga financimi përmes kredisë dhe 30 për qind nga investimi përmes kompanisë private ContourGlobal. Me një strukturë të tillë të financimit, 910 milionë euro do të financohen përmes kredisë si dhe 390 milionë do të financohen përmes investimit privat. ContourGlobal parashihet që vetëm brenda një viti t’i arkëtojë 270 milionë euro apo 69 për qind të investimit të tyre privat”, përfundon deklarata.
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë
Supa e cila eliminon helmet dhe yndyrat nga trupi: Racion i ...
Për herë të parë, ShBA furnizon Ukrainën me gaz amerikan
Murtaja afrikane/ Autoriteti i Veterinarisë asgjëson sipas p...
Si ndikon gjumi në sistemin imunitar?