​Në jug festë, në veri zhgënjim dhe dëshpërim

15:59 | 17 Shkurt 2019
Arbresh.info

Derisa shumica e qytetarëve në jug të Mitrovicës po festojnë 11 vjetorin e pavarësisë, në veri të Mitrovicës ishte ditë e zakonshme dhe pa atmosferë festive.

Shqiptarët e asaj pjese thanë se atje sot nuk ndjehet fryma e pavarësisë dhe në vend të festës ka vetëm zhgënjim e dëshpërim.

Adem Mripa, banor i Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, ka bërë të ditur se në atë pjesë akoma nuk ndjehet fryma e pavarësisë së vendit. Sipas tij, shqiptarët e veriut në raste të festave, dalin në jug për të festuar.

“Ne shqiptarët në veri nuk e ndjejmë frymën e pavarësisë dhe të shtetësisë sepse ende jemi nën diktatin e rebelëve dhe të atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe pavarësisë së saj…Kur ka ndonjë festë kryesisht dalim në jug në mesin e bashkatdhetarëve dhe të afërmeve tanë…Jemi të zhgënjyer dhe të dëshpëruar, sepse pak ka pasur interesim për neve shqiptarëve në veri”, ka thënë Mripa.

Petrit Myftari, poashtu banor i veriut të Mitrovicës, tha se në atë pjesë nuk ndjehet frymë festive dhe nuk festohet pavarësia. Ai ka kritikuar institucionet se nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët e veriut, derisa potencoi se në vend të festës ndjen zhgënjim dhe dëshpërim.

“Nuk festohet, nuk ndjehet era e pavarësisë në veriun e Kosovës…Institucionet qendrore nuk kanë bërë aspak për shqiptarët në veri dhe jemi të zhgënjyer totalisht…Sigurisht që ndjejmë zhgënjim dhe dëshpërim pasi që nuk ndjehet dora e shtetit tek banorët shqiptarë në veri”, theksoi Myftari.

Edhe Artan Mustafa, ka konfirmuar se që 11 vite asnjëherë nuk është festuar pavarësia në veri.

“Hajgare je duke bërë.. S’ka pasur kurrë deri sot festë atje. ..Tregon realiteti, dil 20 hapa më andej dhe e sheh, është gjë që shihet”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme