Google ADS

​Daçiq: Prishtina po planifikon një sulm në veri

17:30 | 10 Qershor 2019
M. A.

Shefi i diplomacisë së Serbisë Ivica Daçiq ka akuzuar serish Prishtinën zyrtare për mos implementim të marrëveshjeve të Brukselit, përfshirë formimin e asociacionit të komunave serbe, ndërsa aksionin e policisë në veri kundër krimit të organizuar, e ka quajtur ‘akt të papranueshëm me qëllim të frikësimit të serbëve në Kosovë’.

Gjatë fjalimit në seancën e KS të OKB-së mbi raportin e rregullt tremujor të UNMIK-ut për punën e këtij misioni në Kosovë, Daçiq ka kërkuar që Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së.

“Deklarata e Thaçit na bëjnë të pyesim se çfarë kemi bërë deri më tash. Pyetja është a ka qenë dialog ky në fakt. Serbia ka kërkuar dialogun, por ky është ofendim edhe për bashkësinë ndërkombëtare se nuk janë implementuar marrëveshjet. Si partner i përgjegjshëm Serbia ka zbatuar të gjitha marrëveshjet, por përfaqësuesit e Prishtinës kanë thënë se nuk do ta zbatojnë shumë qartë dhe kanë kërcënuar BE-ë duke thënë se do të bashkohen me Shqipërinë dhe t’i aneksojnë edhe tri komuna në Serbi. Kush mund të na bindë se Prishtina nuk do të sillet në të njëjtën mënyrë edhe në të ardhmen. Tash vijnë edhe kërcënimet e kryeministrit të Shqipërisë për bashkim me Kosovën”, tha Daçiq.

Ai ka folur edhe rreth aksionit të policisë në veri të Kosovës, pasi sipas tij ‘përdorimi i tepruar i forcës policore ishte me qëllim të frikësimit të serbëve në Kosovë, dhe se ky akt i papranueshëm nëse nuk ndëshkohet, popullata serbe në Kosovë do të jetë e frikësuar”.

Sipas tij, asnjë forcë e sigurisë nuk mund të shkojnë në veri pa e njoftuar KFOR-in, gjë e cila nuk është plotësuar në këtë rast dhe se dy pjesëtarë të UNMIK-ut, njëri prej tyre rus, është rrahur, arrestuar dhe shpallur person non-grata.

“Edhe anëtarët e UNMIK-ut nuk janë më të sigurt në Kosovë kur pjesëtarët e tij janë të padëshiruar nëse nuk i shkojnë përshtati Prishtinës. Pa kurrfarë trupi, Prishtina i ka ofruar misionit të rishikojë prezencën e vet në veri. Ne jemi shumë larg nga situata stabile në Kosovë. Rrezikshmëria e situatës mund të jetë e kushtueshme dhe se zhvillimet e fundit tregojnë se askush nuk mund ta marrë përgjegjësinë e këtij rreziku”, u shpreh ai.

Daçiq tha se “Prishtina po planifikon një sulm në veri” dhe kërkoi që “kjo të parandalohet për të mos u shkaktuar një gjakderdhje e re”.

Duke folur rreth dialogut, ai tha se një gjë e tillë është pamundur të bëhet për shkak “të fajit të Prishtinës”, e cila ka krijuar pengesa vazhdimisht përmes vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe.

“Prishtina bën hapa të tillë për të mos ardhur deri te dialogu”, u shpreh ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme