Dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Salih Mustafës, Hazir Borovci ka thënë se nuk kishte dallime fetare apo partiake brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Fillimisht, dëshmitari Hazir Borovci, në seancën e së mërkurës është pyetur nga avokati Julius Von Bone, se a i kujtohet se kur kanë filluar sulmet e NATO-së më 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ajo datë më kujtohet mua dhe i kujtohet çdo shqiptari, për shkak se në atë datë, në atë ditë, është ndalë gjakderdhja, është ndalë gjenocidi dhe është kuptuar për herë të parë e drejta e një populli, e drejta e popullit tim”, tha ai.
Më pas, gjykatësja Mappie Veldt- Foglia, i tha se pyetja ishte nëse e mban mend datën dhe iu lut t’i japë përgjigje pyetjes, e nëse ka nevojë për shpjegime të mëtejme do t’i kërkojnë atij. Ndërkaq, dëshmitari u përgjigj duke thënë se data ka qenë 24 mars.
Borovci tha se atë kohë ka jetuar në të njëjtin vend ku banon edhe sot, në lagjen “Velania” në Prishtinë.
“Në atë periudhë isha veprimtar i LDK, nënkryetar i degës së tretë. Isha po ashtu pjesë e këshillit të emergjencës në Prishtinë dhe ndihem mirë para jush kur them se isha pjesë e UÇK-së, isha një prej ushtarëve, gjegjësisht çlirimtarëve të Kosovës”, deklaroi ai.
Teksa tregoi për angazhimet në LDK, tha se ishte nder e kënaqësi që ishte pjesë e UÇK-së.
“Kisha angazhime në degën time, në LDK, kisha angazhime në këshillin komunal të emergjencës gjegjësisht solidaritet e po ashtu me nder e kënaqësi e them para jush që isha pjesë e UÇK-së”, shtoi dëshmitari.
Tutje, tha se në LDK është angazhuar që nga ditët e para, që nga fundi i vitit 1989.
“Rrethanat në të cilat është formuar LDK ishin shumë të vështira, nuk ndejta duarkryq, me kënaqësi e i vetëdijshëm iu bashkëngjita një lëvizje shumë popullore dhe që nga ajo ditë e edhe sot jam anëtar i LDK-së”, ka thënë Borovci.
Ai deklaroi se gjatë tërë vitit 1998, sa më shumë që shtohej represioni, dhuna, përndjekjet, burgosjet nga regjimi serb, nevoja ishte shumë e madhe të angazhoheshin në këshillin për emergjencë.
“Popullata e zhvendosur kishte nevoja për strehim, ushqim, veshmbathje, barna. Prandaj, periudha ishte e angazhimit tim në vitin 1998-1999, deri në javën pas 24 marsit, kur detyrohemi të tërhiqemi nga Prishtina”, deklaroi ai.
Borovci ka thënë se në këshillin komunal për emergjenca grumbullonte të gjitha ndihmat, si gjëra ushqimore, veshmbathje, medikamente dhe pastaj nga ai këshill ekzistonin nënkëshillat dhe bëhej shpërndarja në familje që ishin të zhvendosura nga zona e luftës, për familje që kishte nevojë.
“Edhe unë, edhe miqtë e mi, edhe veprimtarët e LDK-së edhe ushtarët e UÇK-së, kemi ndihmuar në grumbullimin dhe shpërndarjen gjegjësisht në familjet që kanë pas nevojë”, ka thënë ai.
Këshilli komunal për emergjencat, ai tha se ndodhej në lagjen “Velania”, në një shtëpi trekatëshe, ku ishte vendi ku grumbulloheshin ndihmat e nga aty ndaheshin në nënkëshillat e tjerë të lagjeve të tjera të Prishtinës.
Ai tha se në mars të vitit 1999 vështirësitë ishin të shumta, ku në muajin mars erdhi te kulmi i vështirësive, pasi Prishtina ishte e bunkerizuar nga paramilitarët e regjimit serb.
“Mundësitë vinin duke u vështirësue sa që me 24 veç tërhiqemi nga ai vend, nuk mujm me zhvillu mo aktivitet për vendin që fola më herët. Ishin të ndryshme vështirësitë për shkak se çdo veprimtar qoftë i këshillit komunal për emergjenca, qoftë i LDK-së, qoftë i UÇK-së që zihej, arrestohej, burgosej, maltretohej. Prandaj, këto ishin ato vështirësitë, sidomos në pjesën e dytë të marsit. Kurse, më 24 mars veç vijnë duke i vështirësu nga granatimet dhe mundësitë ishin shumë të vogla, kalohet në qasje tjetër, organizim tjetër”, tha ai.
Dëshmitari tha se në marsin për të cilin po flitet për shkak se muaji mars ishte muaji i gjenocidit, nuk ishte më muaj i represionit, burgosjeve, por kishte kaluar regjimi në gjenocid.
“Dihet 5, 6, 7 marsi i familjes Jashari, si shumë familjeve tjera si në Dukagjin e pjesë tjera, më nuk flasim për dhunë e represion, po flasim për gjenocid. Ne në ato rrethana si UÇK, unë bashkërisht me shokë, vendosëm popullatën civile nga 20, 30, 50, 100 anëtarë nëpër shtëpia. Nga nënrruga në “Velani”, i vendosëm mbi rrugë, për shkak se afër ishin objektet, ndërtesat e larta”, tha ai.
Më pas, gjykatësja tha sërish që pyetja kishte të bënte me agresionin dhe i tha mbrojtjes se nëse shikon që dëshmitari po devijon nga përgjigja duhet të ndërpritet nga avokati, në të kundërtën do ta ndërpres ajo.
Pastaj, dëshmitari tha se popullata afër tyre arrestohej, maltretohej fizikisht, merreshin në biseda, mbaheshin në biseda dhe në çdo pjesë të lagjes nuk mund të hynte askush dhe dilte pa u kontrolluar, me përjashtim të disa vijave që i kanë shfrytëzuar me shumë kujdes.
Tutje, tha se paraprakisht kishin marrë vendim bashkërisht me kryefamiljarët e popullatës që jetonin aty dhe me shokët e tjerë që t’i qëndrojnë afër dhe mbrojnë popullatën.
“Nëse osht nevoja, edhe të rezistojmë, por gjithmonë duke pas parasysh popullatën civile dhe në këtë rast nuk kemi dalë menjëherë”, tha ai.
Kurse, gjykatësja i tha se pyetja ishte nëse kanë qëndruar në Prishtinë apo ishte larguar.
“Ne jemi këtu me një qëllim specifik dhe avokati i mbrojtjes dëshiron që të marrë një lloj informacioni të caktuar dhe jo të tjera që dëshironi të ndani ju. Duhet t’u përgjigjeni pyetjeve që ju bëhen, kemi kohë të caktuar në dispozicion dhe nëse filloni të flisni për çdo lloj gjërash, ato mund të mos jenë të rëndësishme këtu. Ju lutem dëgjoni pyetjen dhe jepni përgjigje”, ka thënë Mappie Veldt- Foglia.
Dëshmitari tha se në Prishtinë kanë qëndruar deri rreth fundit të marsit deri kur është rrethuar lagja në tri drejtime.
Ai tha se kishin dy rrugë, të rezistojnë apo orientojnë popullatën dhe vendosën bashkërisht me popullatën që një pjesë të jenë në krye të popullatës, një pjesë në mes dhe se ai në fund ishte me një pjesë të popullatës deri të orientohen në drejtimin e duhur.
Sipas tij, popullsia shkoi në drejtim të fshatit Butovc, afër Prishtinës. Kurse, tha se edhe ai shkoi bashkë me ta në përcjellje, mbrojtje dhe ndihmesë të popullatës civile.
Tutje, ai tha se njerëzit që ishte me ta e njihnin mirë Butovcin, si Mustafë Sopi e Gani Sopi.
“Me Mustafë Sopi jem rritë bashkë, një jetë të tërë kemi punu bashkë”, tha Borovci.
Ai tha se në Butovc kanë qëndruar deri më 12 qershor, deri në datën e hyrjes së forcave paqeruajtëse.
Ndërkaq, tha se ka qëndruar në familjen Sopi, e pastaj ka kaluar në familjen e Reçicëve, që vetëm një kodër i ka ndarë.
Sipas tij, ai është takuar me Salih Mustafën në Budovc dhe pas arritjes së tij në Budovc orientimisht është takuar më 2 ose 3 prill të vitit 1999.
“Vendi ku unë kam ruajt në atë pikën ku thashë, kemi ra afër osht shtëpia e Mustafë Sopit, ku kanë qëndruar disa familje dhe unë pasi e kreva rojën, erdhëm për të pushu, kaluam ka shtëpia e Mustafë Sopit dhe aty e kam takuar Salih Mustafën. Më herët, nuk e kam njoftur Salih Mustafën, po aty ka bojshim Bajram dhe në bazë të asaj që më ka tregu Mustafë Sopi dhe në bazë të fjalëve që u thoshte popullatës civile dhe na u drejtua edhe neve, e kuptova se o fjala për Salih Mustafën”, tha ai.
Tutje, Borovci tha se pas kësaj, janë takuar edhe hera të tjera, por nuk kanë biseduar shumë për shkak të specifikave që i kanë pasur nga vendi te Reçicët, por se është takuar në Butovc me të, diku te dy javëshi i prillit, gjegjësisht pjesa e dytë e prillit.
Pas festës së Bajramit, në Butovc tha se kanë mundur të takohen e mos bisedojnë pasi janë kthyer nga roja, por tha se e ka takuar disa herë, e nuk mund të thotë saktësisht 3, 4 apo 5 herë.
“Por, gjatë kësaj periudhe e kemi parë disa herë dhe kemi biseduar, jo shumë herë dhe kemi biseduar. Ma shumë herë e kam pa se që kemi bisedu. Na këshillonte, sugjeronte dhe kur e kam parë për herë të parë, e kam dëgju çka i këshillonte popullatën civile, atëherë mu ka kujtu çka ka thënë Mustafë Sopi për të dhe e kam ditë se është Salih Mustafa”, tha dëshmitari.
Periudha për të cilën po flet tha se është java e parë e prillit dhe e dyta, që nëse i kujtohet saktë është 16-17 prilli.
“Kur e pashë herën e parë, këshillonte dhe jepte moral popullatës civile si të ndihmohen njëri me tjetrin, si t’i ndihmojnë fëmijët. Ne na këshillonte vazhdimisht mos të lëmë popullatën vetëm dhe kërkonte prej ne që kishim më shumë eksperiencë të qëndrojmë te pikat më të rrezikshme, ku ishim më afër forcave serbe dhe nga kjo atëherë e kam kuptuar se ka pas të drejtë Mustafa çka na ka tregu ma herët, para se me njoft, për Salih Mustafën”, tha ai.
Dëshmitari tha se Salih Mustafa në ato raste kur e ka parë nuk i kujtohet diçka që ka pasur veshur për të mbajtur mend.
“Por, më kujtohet se e ka pas si një palltë, si xhaketë si themi, ngjyrë si të gjelbër ashtu, ajo më kujtohet do të thotë nuk më kujtohet diçka ndonjë e veçantë apo posaçme që më ka mbet në kujtesë”, tha ai.
Ndërkaq, konfirmoi se ka mbajtur armë jo të rënda, të lehta, por se nuk i kujtohet çfare.
Ky dëshmitar ka thënë se Mustafa ka qëndruar në Butovc.
“Vetëm nëse eventualisht ka dalë që e ka pas prej ushtarëve të shkojë në qytet të marrë ushqim, që unë nuk e kam pa, por zakonisht ka qëndru në Butovc gjatë periudhës. Unë thashë se kam mund të shkoj, unë se kam pa, por nëse ka shku në qytet, por atë periudhë ka qëndrue në Butovc se ka pas me disa kryefamiljarë që kanë shku në qytet për të marrë ushqim, për të sjellë ushqim te popullata civile. Ka qenë rrezik, po o dashtë me shku me siguru ushqim nga qyteti se kishte mungesë ushqimi, veshmbathje, barna”, tha ai.
Ai ka konfirmuar sërish se ka qenë pjesë e UÇK-së, ku tha se është kyçur në janar të vitit 1998.
“Bashkërisht me disa shokë, veprimtarë të LDK-së, me shokë që njiheshim gjatë njëri me tjetrin, që ishin njoft dhe prindërit e ishim brezi i dytë i tretë që kishim njohje mes vete, duke parë rrezikun që po i kanoset vendit tonë, vendosëm që edhe na të jemi pjesë e UÇK-së”, tha ai.
Tutje, Borovci tha se fillimisht në UÇK kanë mundur të kyçen të gjithë që kanë pasur vullnetin, mundësinë e dëshirën pasi UÇK ishte vet populli.
Ai është pyetur se a kishte dallim brenda UÇK-së mes njerëzve që vinin nga parti të ndryshme politike apo fe.
“Sikur të kishte dallim, unë isha atëherë nënkryetar i degës të LDK-së, nuk ka pas dallime as në aspektin partiak, as fetar, janë munduar të improvizojnë e inskenojnë për të na përça, por kur është në pyetje atdheu, vendi, të gjithë janë bë bashkë, edhe LDK edhe subjekte tjera dhe nuk ka pas dallim, as në aspektin fetar e as partiak”, tha ai.
Borovci ka deklaruar se në vitin 1999 organizimi i UÇK-së në Prishtinë ka qenë i njëjti organizim, vetëm që shkonte duke u rritur në numër, pasi me të njëjtat gjëra janë marrë.
“Por, në vitin 1999, fillojmë si pjesë e ushtrisë, të mbajmë edhe roje, të merremi ma shumë me vëzhgim, mbledhjen e grumbullimin e informacioneve pasi rritej arrestimi, dhuna, burgosja”, tha ai.
Gazetari rumun: Nuk mund të bërtasësh “Serbi, Serbi...
Sherr mes 3 të miturve pranë shkollës “Fan Noli”, ndërron je...
Rovena rikthen këngën e saj të parë
Ushtarët e KFOR-it patrulluan në Leposaviq
Sylvinho: Duam edhe të marrim vendin e parë, shkojmë në fush...
Kosova përfiton grant prej 9 milionë franga për mbrojtjen dh...