Google ADS

​Bojkoti i Listës Serbe i kushtoj buxhetit të Kosovës 168 mijë e 280 euro

10:27 | 26 Shkurt 2017
Arbresh.info

Mijëra euro po i kushtojnë buxhetit të Kosovës zëvendëskryeministri, ministrat dhe deputetët e Listës Serbe ani pse ata kanë bojkotuar institucionet tash e disa muaj. Me 10 tetor të vitit të kaluar, Lista Serbe morri vendim që t’i bojkotojë institucionet e Kosovës në shenj kundërshtimi për miratimin e Ligjit për “Trepçën”.

Por, serbët e Listës vazhdojnë edhe sot e asaj dite t’i marrin pagat e majme që kanë në institucionet e Kosovës. Tani kur po bëhen gati pesë muaj, vetëm zëvendëskryeministri Branimir Stojanovc, ka marr 6 mijë e 775 euro, pasi paga e tij është 1355 euro në muaj.

Ndërsa, dy ministrat e Listës Serbe, ai për Komunitete dhe Kthim dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, marrin nga 1270 euro e 50 cent, derisa për pesë muaj, buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar plotë 12 mijë e 705 euro, ani pse kanë bojkotuar institucionet e vendit.

Një deputet i Kuvendit të Kosovës paguhet 1488 euro në muaj. Derisa Lista Serbe ka dhjetë deputetë, që do të thotë se deputetët e Listës Serbe buxhetit të shtetit i kushtojnë 14 mijë e 880 euro në muaj në total. Ndërsa, për këta muaj prej se ata po e bojkotojnë punën e Kuvendit, buxhetit i ka kushtuar plotë 148 mijë e 800 euro.

Përfaqësuesit e Listës Serbe pas bojkotimit të institucioneve të Kosovës kanë takuar kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, pas të cilit takim kishin lëshuar një komunikatë për media ku thuhej se do t’i bojkotojnë institucionet e Kosovës në bazë të vendimit të Vuçiqit.

“Ju njoftojmë se ne ligjvënësit serbë në institucionet e përkohshme të Kuvendit të Kosovës do t’i zbatojmë të gjitha vendimet e presidentit Vuçiq dhe se i ngrijmë të gjitha aktivitetet e punës në Kuvend dhe Qeveri. Gjithashtu në përputhje me kërkesën e Aleksandër Vuçiqit është marrë vendim që Mirjana Jevtiq të tërhiqet nga posti i ministres pasi që ajo si një serbe e Kosovës respekton autoritetin dhe kërkesën e kryeministrit të Serbisë”, thuhej në komunikatën e tyre, pas këtij takimi.

Nga ana tjetër, shoqëria civile e sheh si paradoks bojkotimin e institucioneve, por jo edhe të pagave që marrin nga po ato institucione.

Arton Demhasaj, nga organizata Çohu, thotë se për të pamundësuar marrjen e pagës kur deputeti bojkoton me dëshirë punën e Kuvendit, ka nevojë të ndryshohet baza ligjore, pasi tani për tani baza ligjore që është aktualisht në implementim nuk parasheh që deputetët që bojkotojnë punën deri në gjashtë muaj mund të marrin pagat.

“Kështu që për ta ndaluar një gjë të tillë dhe të mos përsëritet është e nevojshme të rregullohet me ligj që deputeti qëllimisht, më dëshirë largohet nga Kuvendi dhe nuk dëshiron të jetë pjesë e Kuvendit të mos ketë të drejt të marr pagën. Kjo për arsye se ne jemi dëshmitar që disa herë po shohim qoftë parti politike grupe parlamentare, apo deputet nuk kanë marr pjesë në Kuvend, e kanë bojkotuar Kuvendin, por në anën tjetër e kanë marr pagën mujore ashtu siç e parasheh ligji”, tha Demhasaj.

Madje, Demhasaj e quan zhvatje dhe keqpërdorim të taksave të qytetarëve marrja e pagës pa punuar asgjë dhe pa shkuar në Kuvend.

“Po derisa qytetarët paguajnë taksa dhe derisa jemi dëshmitar çfarë niveli është papunësia në Kosovë dhe çfarë ballafaqohen pensionistët në Kosovë, apo familjet në Kosovë sa marrin paga, atëherë të marrin deputetët paga të tilla pa qenë fare në Kuvend, thjeshtë pa punuar asgjë, konsideroj që është një zhvatje, apo më mirë të themi keqpërdorim i taksave të qytetarëve”, shtoi ai.

Edhe Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, që bënë monitorimin e punës së legjislativit, thotë se fenomeni i bojkotimit të Kuvendit vetëm sa po i forcon bindjet e qytetarëve që kanë për përfaqësuesit e tyre, që i bie se ata (politikanët) merren vetëm me interesa personale,

“Gjithsesi ky është një fenomen i cili nuk do të duhej të ndodhte, duke pasur parasysh edhe perceptimi i shumë qytetarëve sidomos në kohë krizave politike, pasi viteve të fundit vazhdimisht kemi parë kriza politike, ka qenë që deputetët interesin primar e kanë karrigen e tyre edhe interesin e tyre privat, personal qoftë me paga, mëditje apo tjera dhe këto veprime veç sa i përforcojnë këto bindje të qytetarëve të cilët i kanë për deputetët e tyre të zgjedhur. Edhe më herë kemi pasur bojkot nga partitë shqiptare, tash kemi bojkotim nga lista Serbe, mirëpo kjo është një anomali, ose një zbrazëtirë juridike ta quaj e cila buron nga rregullorja e punës së Kuvendit”, është shprehur Murati.

Por, sipas tij, janë dy mënyra se si do të mund rregullohej kjo çështje.

 

“E para përmes ndryshimit të rregullores së punës së Kuvendit, ose të miratimit të një rregulloreje të re. E dimë që secila legjislaturë që vjen duhet ta ketë rregulloren e vet të punës. Rregullorja aktuale është e hartuar para vitit 2010 dhe para saj nuk ka pasur raste të bojkotimit në këtë format siç ekziston tani dhe për këtë arsye një çështje e tillë ka mbetur e pambuluar në rregulloren paraprake… Ndërsa, e dyta e dimë që projektligji për Kuvendin tash e sa kohë është në Kuvend në komisione parlamentare dhe një gjë e tillë mund të parashihet edhe në projektligjin për Kuvendin dhe të mos hasim në gjëra të tilla”, ka shtuar ai.

Kushtetuta e Kosovës dhe rregullorja e punës së Kuvendit humbjen e mandatit të deputetit në disa raste, por jo edhe ndalimin e pagës në rast të bojkotit.

Neni 70, pika 5, thotë se nëse deputeti mungon gjashtë (6) muaj rresht në seancat e Kuvendit, ai humb mandatin, derisa, vetëm në raste të veçanta, Kuvendi i Kosovës mund të vendosë ndryshe.

Edhe rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh të njëjtën gjë. Neni 25, paragrafi (E) i kësaj rregulloreje të Punës së Kuvendit, thotë se deputeti e humb mandatin nëse në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit.

“Deputeti i Kuvendit e humb mandatin, nëse: në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit. Nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen Kryetarit të Kuvendit, Kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit Kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës”, thuhet në nenin 25 të rregullores së Kuvendit.

Njëjtë sikurse Lista Serbe, Kuvendin e kishin bojkotuar për disa muaj edhe partitë parlamentare opozitare Vetëvendosje, AAK dhe Nisma.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme