Dëshmitari i tetë i mbrojtjes, Kapllan Parduzi, në dëshminë e tij në sesionin e parë të gjykimit të së hënës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ka rrëfyer plagosjen e tij më 10 prill 1999, ku ishte dërguar për trajtim, si kishte qëndruar në Zllash dhe ishte tentuar ta dërgonin në Maqedoni për shërim të mëtutejshëm e si i kishte ndihmuar edhe Salih Mustafa.
Fillimisht, dëshmitari Kapllan Parduzi ka deklaruar se i ka dhënë mbrojtjes së Salih Mustafës deklaratë më 26 shkurt 2021. Ndërkaq, bëri të ditur se në mes të dhjetorit 2021 është kontaktuar nga prokuroria dhe më 10 janar 2022 tha se ka qenë për intervistë në Fushë Kosovë, në zyrat e EULEX, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ky dëshmitar ka bërë të ditur se ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga maji i vitit 1998, të cilës i ishte bashkuar në zonën operative të Llapit.
Ndërkaq, tha se në atë kohë nuk kanë ekzistuar brigadat, por të njëjtat janë formuar më vonë.
“Mendoj që diku ka fundi i gushtit të 1998”, tha ai, duke iu referuar kohës së formimit të brigadës, për të cilat tha se janë formuar 2 brigada, ajo 151, të cilës i ka takuar dëshmitari dhe brigada 152. Ndërsa, tha se brigada 153 është formuar dikur në vitin 1999, rreth shkurtit.
Shtabi i brigadës 151, ai bëri të ditur se selinë e ka pasur në shkollën e Bajgorës, në Bajgorë.
“Kemi qëndru deri më 19 ose 20 shtator sepse më 15 shtator 1998 ka qenë ofensiva e parë e ballafaqimit mes forcave serbe dhe UÇK në fshatin Kaçanull, në vijën ku ndahet territori i komunës së Llapit dhe Mitrovicës. Brigada 151 jemi vendos në fshatin Bradash”, tha ai tutje.
Sipas tij, ai ka pasur gradën më të lartë që ka ekzistuar në UÇK, e cila sipas tij është ushtar i UÇK-së dhe gradë më të madhe nuk ka pasur.
“Brigada 151 fillimisht ka qenë komandant Nuredin Ibishi- Leka, kurse brigada 152 ka qenë Idriz Shabani me pseudonimin Luta”, tha dëshmitari Parduzi.
Ai tha se Nuredin Ibishi nuk ka qenë komandant i brigadës 151 deri në qershor të 1999-ës.
“Nuk mund ta them me saktësi, por besoj se diku ka fundi nëntorit, fillimi dhjetorit 1998 është avansu në shef shtabit të Zonës Operative të Llapit”, tha dëshmitari, ndërkaq pas tij tha se komandant ka qenë Idriz Shabani, ndërkaq në brigadën 152 tha se ka qenë Arif Muqolli.
Dëshmitari Parduzi tha se Salih Mustafën fizikisht e njeh nga viti 1998, ndërkaq si emër tha se e njeh shumë më herët përmes mediave, pasi ka qenë i ndjekur dhe përndjekur.
Sipas tij, Mustafën e ka takuar ose në Bajgorë osë në Zabërgjë, por se gjasat më të mëdha janë që janë takuar në Bajgorë.
“Po, kem pas kontakt sepse ka qenë absurditet të mos takoheshim, ka zgjatur mund të them maksimumi 1 orë, por mund të ketë gjasa më pak, por jo mbi një orë”, tha dëshmitari.
Ndërkaq, shtoi se data e takimit më 1998 me Salih Mustafën nuk i kujtohet, por se muaji mund të ketë qenë korriku, por se nuk është i sigurt për këtë.
“Aktivitetet e Salih Mustafës kanë qenë të miat dhe të gjithë ushtarëve të UÇK-së, kështu që rreth asaj tematike nuk kemi pas nevojë të bisedojmë sepse kanë qenë njohura çka duhet të bëjmë. Në bazë të rrjedhshmërisë që ka shku ngjarja kanë qenë gjithë vullnetarë të paraqitur dhe njerëzit që kanë qenë në rrjedha, i kanë sjellë për ushtrime ushtarake sepse shmica kanë qenë të ri dhe s’kanë pas përgatitje ushtarake dhe i kanë kry trajnimet dhe ku ka pas nevojë i kemi angazhu”, tha ai.
Këta rekrutë që i kishte sjellë Salih Mustafa, sipas dëshmitarit Parduzi pjesa dërrmuese mendon se kanë qenë të Prishtinës dhe rrethinës, ku për ta bëri të ditur që e kanë përfunduar trajnimin.
Ai tha se gjatë vitit 1998 deri në qershor 1999 ka qenë në fshatin Zllash.
“Në ’98 kam qenë njëherë, i kemi dërgu do armë e municion. Në ’99 dy ose tri herë kam qenë, gjithsej 4-5 herë”, tha ai.
Tutje tha se herën e parë kur ka shkuar në Zllash, nëse nuk gabon ka qenë fundi i tetorit të 1998-ës, ku ka dërguar armë e municion dhe ka marrë ndihma, si ushqim e veshmbathje pasi ka qenë një qendër për ndihma për tërë zonën.
Këto armatime dhe municion tha se i ka marrë në brigadën 151, në Bradash.
Ndërkaq, ai theksoi se ndihmat, të cilat i mori në Zllash i dërgoi në Bradash, në depon e brigadës 151.
Ai tha se armët i kishte dorëzuar në një shtëpi një katëshe, për të cilën më pas tha se nuk ka qenë as një katëshe, por përdhesë. Ndërkaq, tha se sa i kujtohet nuk ka pasur shtëpi përreth saj.
Dëshmitari Parduzi bëri të ditur se më 10 prill 1999 ishte plagosur, në fshatin Surdull, ku kishte pasur luftime tërë ditën. Ndërkaq, tha se në fund të marsit dhe fillim të prillit kishin shkuar në Surdull.
Sipas tij, pasi ka qenë rëndë i plagosur, disa shokë e kanë bartur në fshatin Turiçicë, ku nuk e kanë kryer shërimin e tij aty pasi nuk ka pasur kushte minimale, por sipas tij i ishte dhënë ndihma e parë aty.
Kurse, tha se aty nuk e di a ka pasur ushtarë të tjerë të plagosur, pasi ka qenë në gjendje të rëndë, por se e di se ka pasur gra e fëmijë.
Ai tha se e kanë bartur nga aty për në spitalin e improvizuar në fshatin Potok, ku për të arritur atje kanë bërë dy ditë.
“Fshatrat më kujtohet kur kemi kalu para se m’u plagos, po masi jam plagos nuk më kujtohet se nuk kam mujt me i përcjell për shkak se gjendja jeme shëndetësore nuk më ka lejuar”, tha dëshmitari.
Gjatë asaj kohe tha se kur është transportuar nga Turiçica në fshatin Potok, e ka parë Salih Mustafën, i cili ka bërë sigurimin e rrugës.
“Por, në dy raste është ndalë traktori me rimorkio me pushu, se ka qenë kohë jashtëzakonisht e keqe, me të rreshura atmosferike, ka qenë ftohtë, është ardhë, është afru më ka pyet si je dhe a po mundesh me qëndrue”, tha dëshmitari, ndërkaq shtoi se në rimorkio kishte qenë me Nuredin Ibishin.
Parduzi tha se pjesën dërrmuese, gjysmën e rrugës, i kishte përcjellë Salih Mustafa.
“M’u përkeqësue gjendja dhe kanë zbritë me një fshat dhe kemi pushu disa orë dhe sigurisht Cali ka pas obligime dhe detyrë, e pastaj më kanë marrë persona të brigadës 151 dhe transportue në Potok”, tha dëshmitari, duke shtuar se kur ka mbërritur në Potok ka qenë pjesërisht me vetëdije, ku ka pas raste që ka pasur vetëdije, e raste që i ka humbur.
Në spitalin e improvizuar në Potok, ai tha se ka qëndruar diku deri te fundit i prillit 1999, ku më pas janë zhvendosur në fshatin Popovë për shkak të luftimeve dhe granatimeve të përditshme.
Nga fshati Popovë, tha se i kanë marrë dhe i kanë dërguar në Zllash, ku qëllimi ka qenë për ta deportuar nga aty për në Tetovë, për shërim të mëtutjeshëm.
Ndërsa, tha se gjatë kohës sa ka qenë në Potok, me sa i kujtohet, nuk e ka takuar Salih Mustafën.
Kurse, në Zllash tha se sa i kujtohet sigurisht ka qenë diku në fund të prillit, fillim të majit, por se nuk është i sigurt, ku ishte bërë tentimi i parë për të kaluar në Maqedoni, që nuk kishte pas sukses. Ndërkaq, tha se e kishte parë Salih Mustafën në Zllash, kalimthi.
Parduzi tha se kishte qëndruar në një shtëpi private, të imporovizuar, ku tha se mund ta quajnë spital, por se nuk ka qenë i tillë, e se kishte qëndruar sa për të marrë shërbimet elementare, si infuzione.
Kurse, tha se pamjen e asaj shtëpie nuk mund ta përshkruajë, por se e di që ka qenë kati përdhesë e se nuk e di sa dhoma kanë qenë, por se ka pasur dy shtrata në dhomën ku ka qenë ai.
Ai tha se pasi kanë dështuar herën e parë të kalonin për në Maqedoni, ka qëndruar edhe një natë në Zllash. Kurse, tha se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk ka arritur të shoh shtëpinë.
Sipas tij, tentimi i dytë ishte bërë rreth 20 majit, apo ka mundur të jetë 15 maji, ku kësaj here kanë arritur me sukses të kalojnë në Maqedoni dhe se personalisht i kishte përcjellë Salih Mustafa deri në një fshat.
“Aty i ka ngarku disa djemë që e kanë njoft zonën dhe kemi vazhdu”, tha ai, ndërkaq para se të ndërmerrte rrugën për Maqedoni për herë të dytë nuk e di saktë sa ka qëndruar në Zllash, por mund të jetë dy apo tre ditë.
Ndërkaq, sipas tij, edhe herën e dytë kur kishte qëndruar në Zllash ka qenë e njëjta shtëpi, por se fatkeqësisht nuk ka mundur të shoh as kësaj here pamjen e shtëpisë për shkak të gjendjes shëndetësore.
“M’u më kanë mbajtë si kufomën, njeri i gjallë i vdekur”, tha ai ndër të tjera.
Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari i tetë i mbrojtjes është Kapllan Parduzi
Ka filluar seanca e së hënës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ku po dëgjohet dëshmitari i i tetë i mbrojtjes, Kapllan Parduzi.
Seanca e fundit në këtë rast, u mbajt më 8 prill, ku u dëgjua dëshmitari Nazmi Verbovci.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
Gjest shembullor nga Dardanët/ Nderojnë luftëtarin e UÇK-së ...
BQK lëshon në përdorim web faqen e re zyrtare: Për rritje të...
Biden në Samitin e G20: SHBA mbështet fuqimisht sovranitetin...
Nesër lansohet dixhitalizimi i fiskalizimit në Kosovë
Gazetari rumun: Nuk mund të bërtasësh “Serbi, Serbi...
Sherr mes 3 të miturve pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ...