​75 vjetori i OKB-së u shënua me mbjelljen e 100 pemëve në Lipjan

15:58 | 24 Tetor 2020
Arbresh.info

Për nder të 75 vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara, komuna e Lipjanit bashkë me përfaqësues diplomatik kanë mbjellë 100 pemë dekoruese rreth lumit “Sitnica”, me ç ‘rast u vlerësua lart kontributi dhe bashkëpunimi i OKB-së në Kosovë.

Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin që ka Kosovës me OKB-në ndër vite, derisa ka thënë se shënimi i kësaj dite me mbjellje të drunjtëve, më shumë se simbolikë është e domosdoshme për një ambient të pastër.

“Drunjtë që sot po na dhuroni nuk janë vetëm simbolikë por edhe të domosdoshëm, po angazhohemi të sigurojmë fonde dhe mundësi për të krijuar ambient të pastër në gjithë komunën tonë. Qëllimi ynë është të vazhdojmë të ndërtojmë një qytet dhe komunë të qëndrueshme dhe të pastër. Ky aktivitet i vogël është një hap sa do pak i vogël në këtë drejtim. Ne jemi komunë krenare e Republikës së Kosovës pjesë e rajonit dhe botës andaj kujdesi që shfaqim për mjedisin, shoqërinë është në frymën e zhvillimit lokal, rajonal e global në kontekstin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa, koordinatore e OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson, ka thënë se me mbjelljen e vetëm një peme, qytetarët kanë shumë përfitime, derisa u shpreh e gëzuar që komuna e Lipjanit ka planifikuar mbjelljen e mijëra pemëve.

“Ne po mbjellim pemë dhe unë jam shumë e lumtur dhe e kënaqur që dëgjoj kryetarin e komunës duke më treguar se po planifikojnë të mbjellin disa mijëra pemë në Lipjan, dhe një pemë natyrisht, ne e dimë që një pemë është e mirë për mjedisin, në të vërtetë na ndihmon të luftojmë ndryshimin e klimës, por për mua, në vendin tim në Suedi, kemi shumë pemë kemi shumë pyje, si këtu në Kosovë, dhe unë do të doja të thoja që një pemë simbolizon shumë gjëra të tjera, na jep mbrojtje, na jep nxehtësi dhe gjithashtu na jep një ndjenjë qetësie, kështu që në atë kuptim unë jam shumë mirënjohëse për Lipjanin dhe për kryetarin e komunës që na mirëpriti, dhe mezi pres të shoh pemët duke u rritur”, ka thënë ajo.

Kurse, përfaqësuesi i EULEX-it, Shan Cerin ka kujtuar vitin 2000, kur edhe kishte vizituar për herë të parë Lipjanin, për çka thotë se kanë ndodhur shumë përparime në këtë komunë që nga ajo kohë.

“Kam dy falënderime për të bërë këtu sot, njëra për të uruar OKB-në për ditëlindjen dhe për organizimin shumë të mirë, por gjithashtu për mua sot është interesante të kthehem këtu në Lipjan, sepse kam qenë këtu më parë, unë isha këtu në vitin 2000 dhe unë isha pjesë e grupit irlandez në kampin këtu në qytet dhe është e mrekullueshme të shohësh se sa përparim është bërë këtu në Lipjan, atë kohë nuk ishin këto ndërtesa të larta, ishte krejtësisht ndryshe, dhe është me të vërtetë mirë të shohësh sa përparimi është bërë”, ka thënë ai.

Kombet e Bashkuara është Organizata Ndërkombëtare më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, veprimtaria e të cilës daton që nga viti 1945. Qëllimi kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kombeve, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme