​330 persona zyrtarë kanë armë me leje

13:28 | 15 Korrik 2017
Arbresh.info

Aktualisht në Republikën e Kosovës janë rreth 330 persona zyrtarë, të cilët kanë leje për të mbajtur armë.

Një person mund të pajiset me leje për armë nëse është i rrezikuar si dhe nëse është pjesëtar i sigurimit apo punonjës i personave me rëndësi të veçantë për institucionet shtetërore.

Leja për armë merret në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por zyrtarë të kësaj të fundit nuk ka treguar se cilët persona publik kanë armë me leje pasi që sipas tyre është dokument i klasifikuar.

E sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme leja për armë lëshohet vetëm nëse paraqitësi i kërkesës i plotëson kriteret sipas rregullores 04/2012 për armëmbajtje në Kosovë. Udhëheqës i Divizionit për Armë, Municion dhe Eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Destan Mustafa, tha për KosovaPress se një person fizik mund të aplikojë për leje të armëmbajtjes vetëm nëse i plotëson arsyet e justifikueshme dhe legjitime.

Sipas tij, leje mund të kërkojë, një person i rrezikuar, i cili është vlerësuar nga Komiteti për Vlerësim të Rrezikut (Policia e Kosovës), si subjekt që i nënshtrohet rrezikut dhe se nuk i është ofruar mbrojtja në asnjë mënyrë tjetër; apo që dëshmon me shkrim një vlerësim të tillë nga ndonjë institucion tjetër të cilit i është dhënë mandati ligjor për një vlerësim të tillë.

Mustafa tregon edhe kriteret që një person duhet t’i plotësojë për të pasur një armë me leje.Sipas tij, këto janë kritere të bollshme që vërtetojnë se ai person atë armë do ta përdor vetëm për qëllimin për të cilin edhe ka kërkuar leje.Ndërsa sipas tij kur kanë kërkesa lidhur me sigurinë publike ato raste trajtohen në mënyrë të veçantë.
Përveç numrit rreth 320 lejeve për armë, sipas Mustafës, nga viti 2009 e deri më tani kanë lëshuar rreth 13 mijë lejet për armë gjahu, shenjëtarie dhe koleksionimi.

Rregullorja nr. 04/2012, për Armëmbajtje në Republikën e Kosovës, neni 4 paragrafi 1, thotë se leja për armëmbajtje jepet edhe për “1.2. zyrtarë të Sigurimit që janë punonjës të personave me rëndësi të veçantë për institucionet shtetërore; zyrave, agjencive apo misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës, 1.3. kur armëmbajtja është e nevojshme për ruajtjen dhe ngritjen e rendit dhe sigurisë publike dhe në veçanti që lidhet me sigurinë e aeroportit, mbrojtjen e parqeve kombëtare dhe pyjet nacionale”, thuhet në rregulloren për lëshimin e lejeve për armëmbajtje.

Në Kosovë janë edhe disa kompani të licencuara që merren me shitjen e armëve dhe kanë poligonin e qitjes.
Njëra ndër to është edhe “Katana”, në Obiliq ku edhe bëhen trajnimet për armë për personat e interesuar.

Osman Hajrizi, nga kjo kompani tregon se numri i qytetarëve për t’u trajnuar me armë zjarri është rritur kohëve të fundit. Sipas Policisë së Kosovës nga janari i këtij viti deri në qershor janë 553 raste të konfiskimit të armëve ilegale. Ndërsa, për vitin 2016 Policia e Kosovës ka arritur të konfiskojnë rreth 1.300 armë dhe numër të madh të municionit.

Agjencitë e ndryshme ndërkombëtare në Kosovë kanë raportuar se në duart e qytetarëve të Kosovës janë më shumë se 300 mijë armë ilegale. Para disa ditësh institucionet e Kosovës kanë bërë shkatërrimin e disa armëve të konfiskuara nga Policia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme