Zbulohen gjenet për një jetë më të gjatë

20:32 | 28 Maj 2019
A. B.

Studiuesit në Qendrën Mjekësore Universitare (UMC) në Amsterdam kanë zbuluar një ndryshim të rrallë gjenetik që redukton shumë gjasat e sëmundjes Alzheimer dhe dy forma të tjera të demencës.

Përveç kësaj, është e mundshme që ky gjen rrit mundësinë për një jetë më të gjatë, shkruan revista shkencore Acta Neuropahologica, dhe transmetohet nga televizioni holandez NOS.

Sipas informacionit të botuar në artikull, ky zbulim jashtëzakonisht i rëndësishëm sjell mundësi të reja në zhvillimin e ilaçeve për sëmundjen Alzheimer, por edhe forma të tjera të demencës që nuk mund të trajtohen në këtë moment.

Shkencëtarët presin që zbulimi i këtij gjeni përgjegjës për rregullimin e sistemit të trurit do të çojë në një hap më afër shërimit të sëmundjes Alzheimer.

Hulumtimi i udhëhequr nga gjenetisti klinik Hene Holstehe në UMC në Amsterdam është kryer mbi gjashtëmbëdhjetë grupe të ndryshme të popullsisë në 60 institutet kërkimore në Evropë, Amerikën Veriore dhe Jugore.

Gjeni Rs 72824905 duket se ka një rol mbrojtës në prodhimin e proteinave te pacientët që kanë probleme të memories. Kjo është arsyeja pse shkencëtarët besojnë se duke zbuluar mënyrën se si funksionon ky gjen, do të jetë shumë më afër shërimit të Alzheimerit.

Në format e demencës që përfshiu studimi, qelizat e trurit vdesin për shkak të prodhimit të proteinave të dëmshme në to.

Edhe pse është e panjohur mënyra se si vjen deri te kjo, shkencëtarët besojnë se kjo ndikohet në mënyrë të konsiderueshme nga fakti se sistemi për pastrimin e trurit nga mbeturinat funksionon më keq gjatë viteve.

 

Të ngjashme