Krahina etnografike e Medvegjës shtrihet në pjesën veri-lindore të Malësisë së Galabit. Malësia e Galabit ruan gjurmë të lashta të civilizimit me tradita të pasura të kulturës materiale dhe shpirtërore të popullatës autoktone dardano-arbërore.
Shkruan: Dr.Qazim Namani
Kostumet e veshjes së grave të rajonit të Medvegjës pasqyrojnë traditën e lashtë të shprehjes estetike, duke nxjerrë në pah elementet më të lashta dhe domethënëse të artit tradicional që nga parahistoria, Dardanisë antike e deri në ditët e sotme.
Motivet e artit popullor të shprehura te kjo veshje janë ngushtë të lidhura me historinë e rajonit dhe me dukuritë tjera kulturore dhe artistike të popullatës autoktone arbërore të kësaj treve.
Burimet historike dhe zbulimet arkeologjike na kanë ndihmuar që të ndjekim gjurmët e shprehjeve artistike të ornamentikës së lashtë me motive gjeometrike, të kombinuara me simbole astrale, mitike dhe motiveve tjera të ndryshme që e bëjnë këtë veshje të veçantë dhe me vlera shumë të larta etnografike.
Figurat artistike të ornamentikës të kësaj veshje paraqesin interes të madh kombëtar për të dëshmuar lidhjen shpirtërore të kësaj popullate me artin popullor të popullatës dardane në këtë trevë.
Motivet e shumëllojshme të qëndisura me simbolika mitike dhe kompozime të veçanta artistike dëshmojnë realizime të përkryera të mjeshtërisë burimore dardane gjatë etapave të ndryshme të historisë.
Nëse analizojmë pjesët përbërëse të veshjes tradicionale të grave të kësaj ane me veshjet e përshkruara që i bartnin gratë e fiseve ilire, në periudhën e antikitetit të vonë, vërejmë ngjashmëri me veshjen e grave arbërore, pa ndikime të mëdha nga kulturat tjera, që u imponuan nga pushtuesit e ndryshëm në këto treva gjatë etapave të më vonshme historike. Në këtë veshje, përmes qëndisjes së simboleve ornamentale shprehet psikologjia shoqërore, ku elementet e zbukurimit përshtaten me traditën popullore dhe historinë antike të rajonit.
Mozaiku i qëndisjes dëshmon trashëgiminë shpirtërore të popullatës autoktone që përveç botëkuptimeve mitike, religjioze ruan dhe botëkuptime emocionale, që pasqyrojnë karakteristika mbrojtëse nga ndodhitë e liga, syri i keq dhe shpitat e këqij, traditë kjo e bartur te shumë popuj nga lashtësia e deri në ditët e sotme.
Dihet se trashëgimia shpirtërore nuk është statike por ndryshon varësisht duke futur elemente të reja nëpër etapa kohore, te kjo veshje janë ruajtur në mënyrën origjinale motivet e lashta pagane që na shtyjnë të mendojmë se gjurmë të kësaj kulture te veshja e grave shqiptare në ketë rajon janë bartur të pa ndryshuara që nga lashtësia, antikiteti, mesjeta, periudha osmane dhe sllave.
Siç shihet te veshja e grave të këtij rajoni janë bartur gjurmët e kulturës dardane me elemente të veçanta tradicionale, kolorit të pasur dhe stoli të ndryshme, që punoheshin me dorë dhe me plotë kreativitet, andaj gjatë punimit të veshjes shprehen dukshëm ndjenjat shpirtërore religjioze dhe estetike. Gjatë punimit të veshjes rëndësi i kushtohet ruajtjes së traditës, teknikës së punimit, qëndisjes së motiveve si dhe kualitetit të materialit të zgjedhur. Veshja tradicionale si art popullorë është trashëgimi e rëndësishme e kulturës materiale, ndërsa motivet e shprehura të artit popullorë në veshje, janë pjesë e rëndësishme e kulturës shpirtërore të një komuniteti apo etnie.
Kjo veshje duket e pasur sepse përmban shumë zbukurime, ngjyra, dhe me larmi të pasur të ornamenteve kozmike, floreale, zoomorfe, antropomorfe, gjeometrike dhe religjioze që gjatë etapave të ndryshme i përdornin popujt e lashtë. Këto simbole i gjejmë edhe sot dendur në të gjitha elementet e veshjes së gruas shqiptare në rajonin e Medvegjës.
Dukuri e qëndisjes së kësaj veshje është renditja e motiveve zbukuruese të ornamenteve në mënyrë simetrike në të dy anët ë trupit. Tërësia e ornamenteve të qëndisura dhe përdorimit të shumë ngjyrave krijon një sistem të plotë dekorativ me simbole të punuara me stil, që këtë veshje e bëjnë të dallueshme me veshjet e grave nga krahinat tjera etnografike shqiptare dhe popujt tjerë të rajonit dhe me gjerë. Shikuar nga aspekti i përdorimit të elementeve për stolisjen e kokës dhe kolorit të ngjyrave kjo veshje përafrohet me veshjen e grave nga rajoni i Hasit, por është dukshëm më e pasur me simbole pagane dhe motive tjera të paraqitjes së artin që nga kohët e lashta..
Ornamentika në veshje tradicionale për gra në fshatrat e Medvegjës edhe sot ruan disa veçori të rralla të simbolikës së kombinuar me disa elemente dhe stoli dekorative të punuara me rruza dhe stil të lartë estetik dhe artistik.
Gjatë intervistës në terren me gra që i punuan këto veshje vërejmë shpjegime interesante për një grup ornamentesh, që i krahasonin ato me figura të objekteve që i përafrojnë, ndërsa disa ornamente i shpjegojnë mbi baza religjioze dhe dekorative. Në përgjithësi ornamentet artistike të kësaj treve ndërlidhen me artin popullor të traditës duke ruajtur me besnikëri dhe fanatizëm traditën në qëndisje, dhe përdorimin e ngjyrave të ndritshme dhe të hareshme.
Te kjo veshje shumë rrallë e hasim ngjyrën e zezë, andaj në përgjithësi dominojnë ngjyrat e ndritshme që e bëjnë veshjen tërheqëse dhe të hijshme. Për ngjarje të hidhura gratë ë këtij rajoni zakonisht veshin shamia ngjyrë kafe dhe veshje me ngjyra më të mbyllëta (errëta).
Dukuri e veçantë te kjo veshje është qëndisja e jakës dhe gjoksoreve të fustanellës së gjatë dhe këmishës së shkurtë, dhe në këto elemente zakonisht shprehen motive të plleshmërisë, ku dominojnë: ylli gjashtëcepësh, vulva, hëna dhe dielli, ndërsa qëndisja e kraharorëve, mëngëve rreth duarve dhe fundit të fustanellës bëhej me motive floreale dhe gjeometrike. Fustanella vishej e gjatë deri te thembra e këmbës, dhe kishte ngjyrë të bardhë e cila në pjesë të caktuara qëndisej me ornamente me ngjyra të ngrohta, të ndritshme që duken mbresëlënëse me butësinë dhe gjallërinë magjike. Ornamentet dhe simbolet e qëndisura mbi ngjyrë të bardhë rrezatojnë fuqi, shpresë, mbijetesë dhe pastërti.
Kjo veshje karakterizohet me zgjedhjen e veçantë të simboleve, që në radhë të parë paraqesin botëkuptime të kohës së lashtë për fenomene natyrore dhe rolin e njeriut në perceptimin e tyre. Përmes këtyre simboleve paraqitet bota e brendshme shpirtërore e njeriut, dhe krijimtarisë së tij artistike me vlera etnokulturore dhe shoqërore të artit, që ka zanafillë që nga fillet e jetë së njeriut në trevat tona. Duke i pasur këto elemente kjo veshje dëshmon përkatësinë autoktone, etnike, krahinore, religjioze, estetike dhe botën e brendshme shpirtërore të popullatës dardano-arbërore-shqiptare të kësaj treve.
Veshja tradicionale e grave shqiptare nga rajoni i Medvegjës, që është ruajtur me xhelozi deri ne ditët e sotme e cila përfaqëson trashëgiminë kulturore autentike dardane, konsiderohet të jetë veshja më tipike aristokrate e oborreve mbretërore që nga mbretëria dardane, ajo bizantine, e deri në shekullin XXI te kultura e popullatës autoktone arbërore në fshatrat e Medvegjës, duke e ruajtur artin tradicional popullor dardan, për të mos u zhdukur nga pushtimet e huaja mija vjeçare.
Veshja tradicionale e femrave shqiptare në rajonin e Medvegjës sot, përfaqëson në përgjithësi trashëgiminë kulturore autentike te popullatës shqiptare ne Malësinë e Galabit. Motivet zbukuruese në këtë veshje shfaqen në forma të ndryshme, dhe janë pjesa më artistike që realizohen mbi pëlhurë, me traditën dhe frymëzimin e bartur brez pas brezi te femra shqiptare e kësaj ane.
Pëlhura e linit punohej në vegjë, ndërsa qëndisja punohej me dorë, me disa ngjyra aq tërheqëse sa që e bëjnë veshjen shumë artistike, duke i ndërlidhur motivet e lashta pagane, mitike zoomorfe, të zbukuruar me lule të bimëve nga natyra dhe ornamente gjeometrike. Vlerat artistike i shtohen sidomos nga zbukurimet e shumta të punuara me gjilpërë, shtizë, grep dhe përdorimi i rruazave dhe stolive me ngjyra të ndryshme.
Përveç simboleve astrale që shprehen në këmishë, jelek, te fustanella e gjatë te kjo veshje bie në sy edhe përdorimi i simboleve ornamentike gjeometrike si: trekëndëshi, katërkëndëshi, rombi, spiralja, spiralja e dyfishte, meandri, vijat valore dhe zik-zake, të kombinuara edhe me elemente florale, dhe kolorit të ngjyrave ku e bëjnë të duket shumë autentike dhe origjinale që nga lashtësia. Këto motive janë hasur shumë shpesh të paraqitura në gurë, qeramike, enë të ndryshme që nga kohët e hershme parahistorike e deri më tani në të gjitha trevat ku jetuan fiset ilire dhe më gjerë, por jo të shprehura në një ekzemplar të vetëm si në këtë rast.
Këmishët dhe fustanella më parë punoheshin në vegjë prej materialit te linit, ndërsa në kohët e vona edhe prej materialit të pambukut, që tregon se me kohë janë përdorur prodhimet e reja, por pa e ndryshuar stilin e punimit dhe formën e qëndisjes. Për nga koloriti i ngjyrave veshja e këtij rajoni që përfshinë rajonin e Galabit, ka ngjashmëri me veshjet tjera në rajon, por përdorimi i ornamentikës është shumë më i shprehur se sa te veshja e grave në rajonet tjera ku jetuan fiset ilire, dake dhe trake, andaj mund të pohojmë se qëndisjet dekorative në mënyrë simetrike, dhe teknikisht të kombinuara dhe me ngjyra piktoreske, kësaj veshje i kanë dhënë tipare të veçanta dhe dalluese ndaj veshjeve tjera në rajon.
Nga studiues të fushës së etnologjisë është thënë se ngjyra e bardhë simbolizon pastërtinë, ndershmërinë, triumfin, krenarinë, dritën, diellin, shkëlqimin dhe autoritetin shpirtëror, andaj edhe te kjo veshje në përgjithësi dominon ngjyra e bardhë. Përveç ngjyrës së bardhë, që simbolizon pastërtinë, te kjo veshje përdoret shumë edhe ngjyra e kuqe që simbolizon gjakun, jetën dhe verën. Ngjyra e zezë përdoret për qëndisjen e ornamenteve.
Qëndisjet te kjo veshje janë të dukshme dhe kanë forma të rregullta dhe me domethënie ku secila figure përmban në vete ndonjë simbolikë. Te ornamentet gjeometrike përdoren mjaftë shumë edhe rombet e vegjël që mishërojnë fëmijët simbolizojnë zhvillimin e jetës dhe fisit.
Në përgjithësi ornamentika e përdorur në veshjen tradicionale për gra në fshatrat e Medvegjës ruan disa veçori të simbolikës me domethënie dhe botëkuptime mitike që me stil estetik dhe artistik shprehen të punuara në stolisje e kokës dhe pjesëve tjera të trupit.
Nga rrëfimet e grave të kësaj treve vërejmë se këto vepra artistike ndërlidhen me artin popullor të traditës, duke ju përmbajtur me besnikëri traditës së burimeve dhe gjurmëve të rrënjëve të etnisë dardane. Për tu njohur më mirë me artin popullorë dhe mënyrën e punimit të kësaj veshje ne realizuam një bisedë me Ajshe Baftiu-Berisha e lindur në fshatin Sfircë të Malësisë së Galabit.
Pështjellaku që vishet në anën ë përparme të trupit quhet përparc. Te ky pështjellak punoheshin tre mindila, ku njëri e kishte gjatësinë e pështjellakut dhe gjerësinë rreth 30 – 40 cm dhe vishej në pjesën e sipërme të pështjellakut. Mbi këtë mindil në anën e majtë dhe të djathtë vishej nga një mindil i vogël. Mindilët kishin ngjyrë të bardhë dhe zakonisht qëndiseshin me motive dhe ngjyra të ndryshme.
Jelekët e punuar prej materialit të leshit dhe më vonë prej pambuku, zbukuroheshin me qëndisje astrale dhe mitike. Përveç qëndisjeve të figurave të ndryshme, në jelek kapeshin me gjilpërë detaje zbukuruese të punuara me rruza dhe monedha të shumta, për ta bërë jelekun sa më të bukur dhe tërheqës. Jeleku e mbulonte këmishën po ashtu të qëndisur me figura të ndryshme, deri te kollani i punuar me rruza që e mbështillte trupin në bel për ti dhënë veshjes një pamje shumë magjepse dhe aristokrate.
Veshjet popullore për femra në shumë raste tregojnë edhe statusin e tyre social dhe familjar në shoqëri, nëse gruaja është e martuar apo jo, moshën, përkatësinë fisnore dhe fetare.
Veshja e grave të martuara po ashtu përmban elemente identifikuese për nuset e reja, gratë e martuara, gratë e veja dhe të moshuar.
Vajzat deri në moshën e pubertetit mbanin veshje të veçantë dhe sipas elementeve të qëndisura mund të kuptojmë se vajza është e fejuar apo jo. Te veshja e vajzave gjatë qëndisjes nuk përdoret ngjyra e zezë, por ajo që bie në sy te kjo veshje vërehet se nuk është shumë e ngarkuar me simbole pagane dhe mitike me përjashtim të rrezeve të diellit, yllit gjashtëcepësh dhe sëpatës si simbol i pllëshmerisë. Te veshja e vajzave dominojnë fluturat, bleta, lulet, rrezet e diellit, shqiponja dhe ornamente të ndryshme gjeografike.
Kjo veshje e ruajtur me xhelozi në rajonin e lindjes së perandorëve më të njohur dardan si: Konstantin i Madh, Justini, Justiniani…. dëshmon edhe të dhënat historike kur thuhet se perandori Justinian e barti qendrën e krishterimit nga Selaniku ne vendlindjen e tij. Duke e bartur qendrën e krishterimit në ketë treve mund të pohojmë se të gjithë artistet më të njohur të kohës së Justinianit u vendosen në qytetin e lindjes së perandorit pranë Medvegjës së sotme, andaj edhe gjurmët e artit dhe të kulturës mbetën si e vetmja dëshmi te popullata arbërore e këtyre anëve.
Meqenëse kjo veshje e jona kombëtare i ka ruajtur te gjitha këto tipare dhe vlera kulturore deri në ditët tona është interes kombëtar të ruhet, të prezantohet në muzetë tona popullore dhe të stimulohet tradita e punimit të saj si relikt i rrallë dhe me vlera shumë të larta të kulturës dhe artit tonë popullorë.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...