Google ADS

Tre shkencëtarë britanikë fitojnë çmimin Nobel në fizikë

15:46 | 4 Tetor 2016
Arbresh.info

Çmimin Nobel për fizikë e fituan tre shkencëtarët britanikë David J. Thouless, F. Duncan M. Haldane dhe J. Michael Kosterlitz.

Komiteti i Nobelit ka deklaruar se si meritor për çmimin në fizikë këtë vit janë konsideruar Thouless, Haldane dhe Kosterlitz, për kontributin e tyre në ndryshimin e fazave topologjike dhe zbulimin teorik të fazave topologjike të materies.

Komiteti ka theksuar se gjysma e çmimit i është dhënë Thouless, ndërsa gjysma tjetër është ndarë midis Haldane dhe Kosterlitz.

“Fituesit e çmimit të këtij viti hapën dyert e një bote që nuk ishte e njohur, se materiali mund të hyjë në gjendje të ndryshme. Shkencëtarët kanë përdorur metoda të ndryshme matematike për t’i studiuar fazat apo gjendjet e panjohura të materies, siç janë super-përçuesit, super-fluidet dhe shtresat e holla magnetike. Në saj të punimeve kryesuese, fazat e reja të materies dhe të panjohura deri më tani u bënë temë studimesh”, thuhet në deklaratën e komitetit.

Shkencëtarëve çmimi do t’u dorëzohet në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që do të mbahet më 10 dhjetor me rastin e përvjetorit të vdekjes së Alfred Nobelit.

nobelprize

Ndërkaq, Komiteti i Nobelit nesër do ta bëjë publik emrin e fituesit të Çmimit Nobel në kimi. Nga ana tjetër, fituesi i çmimit për paqe do të shpallet ditën e premte, ndërsa ai për ekonomi më 10 tetor. Ende nuk dihet se kur do të jepet Çmimi Nobel për letërsi, në të cilin përflitej edhe shkrimtari shqiptarë Ismail Kadare.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme